Çfarë përmban marrëveshja Kosovë-Serbi?

Çfarë përmban marrëveshja Kosovë-Serbi?

nga Elta Liksenaj E ndërsa bisedimet vazhdojnë në Bruksel për dakordësimin e implementimit të planit, politikanë, analistë, diplomatë, si kosovarë ashtu edhe të huaj, kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje më suksesin apo dështimin e zbatimit  të shumëpërfolur të këtij plani. Më herët edhe vetë ndërmjetësuesja e bisedimeve, baronesha Katherinë Eshton, shfaqi “frikën‘’ e

nga Elta Liksenaj

E ndërsa bisedimet vazhdojnë në Bruksel për dakordësimin e implementimit të planit, politikanë, analistë, diplomatë, si kosovarë ashtu edhe të huaj, kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje më suksesin apo dështimin e zbatimit  të shumëpërfolur të këtij plani.

Më herët edhe vetë ndërmjetësuesja e bisedimeve, baronesha Katherinë Eshton, shfaqi “frikën‘’ e saj për suksesin e diskutueshëm të bisedimeve, për aq kohë sa në realitet nuk janë vendosur ende në vijë çështjet e parashikuara për zgjidhje.

Rëndësia e zbatimit të planit është e madhe, jo vetëm për shkak të pikave konkrete që përmban, por edhe për shkak të kohës dhe angazhimit afatgjatë që u desh deri në nënshkrimin e marrëveshjes më 20 prill.

Pas nëntë raundesh bisedimesh të pafrytshme, në raundin e dhjetë, siç duket edhe vetë liderët serbë e kuptuan se nëse nuk realizohet nënshkrimi i kompromisit, atëherë kombi i tyre rrezikon të ardhmen evropiane. Të parët që në mënyrë tipike reaguan me agresivitet  ashtu siç kanë bërë historikisht, ishin sërish serbët, të cilët madje lëshuan edhe deklarata kërcënuese ndaj kryeministrit të tyre Daçiç, se “do ta thernin si shqiptar”, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes.

Pala serbe domosdo që mban një qëndrim antagonist. Po në të vërtetë çfarë humbasin dhe çfarë fitojnë palët nga implementimi i planit? A kanë të drejtë kosovarët për të gëzuar nëse ky plan përmbushet sipas parashikimit dhe a duhet që të rebelohen e të armiqësohen më tej serbët pasi ata janë gjithsesi të humburit, ashtu siç e konsiderojnë veten?

Pika e parë e planit në fjalë parashikon Asociacionin e Komunave me bazë etnike, që do të themelohet pas zgjedhjeve lokale. Ndërkaq që qeverisë së Kosovës i takon detyra e formimit të një grupi përgatitor që do të angazhohet në themelimin e asosacionit dhe statusin që ai do të ketë. Grupi përgatitor duhet që të veprojë me shkathtësi dhe efikasitet pasi do të ketë afat deri në zgjedhjet lokale.

Megjithatë, një ndër pikat më delikate të këtij plani është ajo që parashikon shpërbërjen e strukturave paralele ilegale të sigurisë, duke përfshirë këtu: MUP, BIA si dhe mbylljen e tyre, në mënyrë që ato të zëvendësohen me strukturat përkatëse të ligjshme, me kuadro nga Kosova, në krye të të cilave do të jetë komandanti rajonal i policisë Kosovare. Natyrshëm se si do të reagojnë forcat policore serbe në veri, përbën edhe shqetësimin më të madh në mbarëvajtjen e këtij procesi.

Sipas pikës së tetë të planit, gjithashtu do të mbyllen dhe do të ndalohet puna e gjykatave dhe prokurorive paralele, çka deri tani ka shkaktuar shumë përplasje e pakënaqësi nga mënyra se si menaxhohen e trajtohen çështjet e drejtësisë. Do të jetë EULEX-i ai që ka survejuar në Kosovë për vite me radhë, ai që do të marrë në dorëzim edhe lëndët e sistemit të drejtësisë,  ndërkaq që për secilin organ të këtij institucioni pika e dhjetë e planit parashikon hapjen e vendeve të lira për prokurorë e gjyqtarë, vetëm sipas kushtetutshmërisë së shtetit të Kosovës.

Edhe në veriun e Kosovës, sipas planit, zgjedhjet lokale do të mbahen në të njëjtën kohë me pjesën tjetër të vendit. Nuk do të ketë më standarde të dyfishta dhe as funksionim sipas legjislaturës serbe, që deri tani ka përcaktuar si dhe për shumë çështje të tjera edhe  zgjedhjet në veriun e Kosovës.

Pika e dhjetë është një tjetër pikë tepër e rëndësishme, e cila për gjatë këtyre 14 viteve është shndërruar në një problem me vlerë të vërtetë lajmore. Nëpërmjet heqjes së barrikadave shpresohet t’i jepet fund edhe përplasjeve të serbëve të veriut me shtetasit e Kosovës. Me heqjen e barrikadave do të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe burim më pak konflikti ndërmjet dy shteteve.

Përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore të realizimit në terren të marrëveshjes do të jenë grupet  mbikëqyrëse me kryeministrat Thaçi dhe Daçiç, si dhe  me ndërmjetësuesen Ashton, që do të  kontrollojnë me kujdes hap pas hapi gjithë procesin, suksesi i të cilit padyshim që varet më shumë se nga askush tjetër nga pala serbe.

Nga implementimi tërësor i këtij plani Kosova do të  vendosë autoritetin dhe sovranitetin e vet në gjithë territorin e saj. Gjykatat, policia, organet përkatëse,  mbyllja e strukturave paralele serbe, emërimi i funksionarëve të rinj kosovarë në strukturat e reja legale etj., janë hapa të cilat i japin më shumë hapësirë Kosovës për vetëvendosje dhe vendimmarrje si shtet. Gjithashtu Kosova nëpërmjet këtij zbatim-plani, do të ketë më shumë mbështetje nga Bashkimi Evropian për gatishmërinë dhe kompromisin e treguar, fakt që deri tani është vlerësuar nga pothuajse të gjithë diplomatët evropianë.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar