Çfarë fshihet pas spitaleve shqiptare?

Ndërkohë që sistemi shëndetësor në Shqipëri duket sikur po përmirësohet, ende mbeten shumë mangësi si në strukturën e organizmit, komunikimin me pacientët nëpër spitale, por dhe mbi mënyrën se si mund të merret informacion nga këto institucione. Mënyrat e marrjes së informacionit Marrja e informacionit në institucionet shëndetësore është më e vështirë nga ç’mund të

Ndërkohë që sistemi shëndetësor në Shqipëri duket sikur po përmirësohet, ende mbeten shumë mangësi si në strukturën e organizmit, komunikimin me pacientët nëpër spitale, por dhe mbi mënyrën se si mund të merret informacion nga këto institucione.

Mënyrat e marrjes së informacionit

Marrja e informacionit në institucionet shëndetësore është më e vështirë nga ç’mund të paramendohet. Mekanizmi që shërben në të tilla raste është i papërcaktuar. Për të marrë një informacion mbi një pacient specifik duhet t’i drejtohesh doktorit përgjegjës. Në spitalet shtetërore jo gjithmonë doktori përgjegjës mund të të japë tërësinë e informacionit të kërkuar. Ndërsa në spitalet private gjendja është disi më ndryshe, kjo për shkak se dhe struktura është më e vogël dhe ka më pak pacientë. Sa i përket informacioneve të arkivuara, gjendja është shumë kritike. Këto informacione ose mungojnë tërësisht, ose janë të pjesshme. “Arkivat e klinikave private janë të plota, por ato nuk janë për periudha afatgjata”, shprehet për “Objektiv.al” përgjegjësja teknike për spitalin “Zonja e Këshillit të Mirë”, Liljana Marashaj.

Qëndrimet mbi dypunësimin e mjekëve

Në sistemin shëndetësor haset shpesh fenomeni i dypunësimit të mjekëve. Mjekët punojnë në një spital shtetëror, por edhe në një klinikë private, madje disa herë zotërojnë dhe klinika të tyre. Ky fenomen shihet në këndvështrime të ndryshme. Menaxheri i klinikës private “Globe”, nuk e sheh këtë fenomen si burimin e problemit. Zoti Lekaj shprehet se klinikat e vogla private kanë pjesë të stafit doktorë të dypunësuar, por sjellja e një doktori me pacientin buron nga vetë ai.

Ndërsa qëndrime të tjera të kundërta shprehen se trajtimi i pacientëve në mënyrë jokorrekte nis pikërisht tek dypunësimi i doktorëve, të cilët mbajnë një profil tjetër në klinikat shtetërore dhe tjetër në ato private.

Çështja e konsultimit dhe kërkimit shkencor

Shqetësues mbetet fakti që, si në klinikat private ashtu në ata shtetërore, mungon komunikimi mes kolegëve. Nga ajo që thonë vetë mjekët shqiptarë, ata ekzistojnë si qenie të mëvetësishme që marrin pacientin dhe e trajtojnë. Mungojnë mbledhjet mes doktorëve për të trajtuar raste specifike dhe për të shkëmbyer ide me njëri –tjetrin, apo gjetur një zgjidhje në grup. Ky problem sipas zonjës Liljana Mirashaj vjen nga “mendjemadhësia” e disa mjekëve, por dhe frika për të ndarë eksperiencën, apo egoja për të pranuar ide të tjera përveç të tyreve.

Nuk është për tu habitur fakti që mjekët shqiptarë nuk kanë sjellë asnjë risi në fushën e mjekësisë. Kërkimi shkencor është një proces që mungon tërësisht në Shqipëri. Kostoja e kërkimeve është një faktor që e arsyeton deri diku çështjen, po jo çdo kërkim ka një kosto superlative mbi vete. Aty ku kostoja është e përballueshme mungon dëshira e vetë mjekëve për t’i shtyrë më tej caqet e dijes. Madje, jo vetëm kërkimet shkencore mungojnë, por mungon dhe dëshira e mjekëve për trajnime pasuniversitare.

Shitja e pacientëve për përqindje

Përtej asaj që duket në spitalet shqiptare, udhëzimet për në klinika private nuk vijnë kaq rastësisht sa ç’duken.  Jo rrallë doktorët i udhëzojnë pacientët të kryejnë analizat, grafitë, skanerët, ezhetë në klinika private dhe më pas rezultatet e këtyre analizave të lexohen nga doktorët në spitalet shtetërore. Ky cikël ndodh sepse doktorët kanë një marrëveshje të fshehtë me këto klinika.

Si ndodhin këto marrëveshje?

Mjekët kontaktojnë me klinikat private dhe u shprehin atyre idenë e krijimit të një pakti me përfitim të dyanshëm. Doktori në këtë rast merr 40 % të fitimit nga pacienti dhe në mënyrë analoge klinika e kontaktuar merr 60 %. Ndonjëherë këto marrëveshje mund të bëhen dhe me raporte 80 % me 20 %. Nga burimet tona mësohet që dhe doktorë të Spitalit Ushtarak  dhe atij “Hygea” e bëjnë diçka të tillë.

Çmimet

Pacientët jo gjithmonë janë të kënaqur me çmimet. “Nëse do të kishim mundësi financiare,- shprehet prindi i një pacienteje në Spitalin Ushtarak,- do ta çonim në një klinikë private”. Në spitalet tona shtetërore ka paqartësia lidhur me mënyrën e pagesës së mjekëve. Nëse e paguan, mund të quhet korrupsion, nëse nuk e paguan mund të mos marrësh shërbimin e duhur. Ndërkohë që në klinikat private një problem i tillë është i zgjidhur sa i përket saktësimit të pagesave, por jo gjithmonë këto pagesa janë të përballueshme nga pacientët.

Komunikimi

Ajo që komunikojnë kushtet e spitaleve private dhe shtetërore është ndoshta një element diferencues. Spitalet shtetërore dhe pse janë përmirësuar sa i përket furnizimit me ilaçe, përsëri kanë probleme. Në dhoma ka ende shumë pacientë, që ndonjëherë rrezikojnë që përveç sëmundjeve që mbartin të marrin sëmundje nga njëri-tjetri.

Ndonjëherë nuk ka hapësira në dhomë dhe disa pacientë së bashku me krevatet e tyre ndodhen në korridor. Evidente është dhe mungesa e batanijeve si dhe ambulancës inaktive. Transporti i të sëmurëve nga një pavion në tjetrin bëhet nga vetë të afërmit. Mbetet e dyshimtë nëse komunikimi i doktorëve me pacientët në Spitalin Ushtarak vjen nga kushtet jo të mira të spitalit dhe ngarkesa ditore, apo nga vetë natyra e mjekëve.

 Ku drejtohen pacientët?

Pacientët në të shumtën e rasteve drejtohen drejt spitaleve shtetërore, kjo për shkak të çmimeve më të përshtatshme, por në rastet kur ato kërkojnë vërtet cilësi janë drejt privative. Në spitalet private pacienti merr vëmendjen e duhur dhe jo gjithmonë e ndjen atë atmosferën e sëmundjeve që haste tek spitalet shtetërore.

  Reklamimi

Aktiviteti reklamues kundrejt pritshmërive nuk është shumë aktiv. Sipas vetë opinionit të tyre, mënyra më e mirë për reklamim është një pacient i kënaqur që shkëmben mendimet me të tjerët. Pra janë vetë pacientët ata që i vendosin emrin një klinike. Ndër  klinikat që merren më tepër me çështjen e PR dhe pasqyrimin në media është Spitali Amerikan.

Problemet e spitaleve shtetërore

Së pari është vetë struktura e atillë që implementon problemet. Ambientet jo të përshtatshme dhe mungesa e kushteve, mbipopullimi me pacientë është një arsye tjetër.  Dhe së fundmi është ai filtri i komunikimit që mungon. Problemi nuk kanalizohet në mënyrën e duhur. Pacientët nuk mund të orientohen në mënyrën e duhur, shpeshherë shkojnë tek një mjek që nuk mund të trajtojë problemin e tyre, kështu dhe prognoza nuk përcaktohet në mënyrën e dukur. Gjithashtu mungon kontrolli institucional. Mjekët veprojnë si të duan, sepse kontrolli mbi ta është inekzistent.

 

/Rovena XHILI/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar