Çelentano dhe shqiptarët, profili i një miti

0

“Çelentano u kthye në një simbol të shoqërisë italiane të periudhës pas Luftës së Dytë botërore. E jo vetëm për italianët, por edhe shqiptarët e përtej Adriatikut. Këngët e tij ishin një dritare për të njohur kulturën italiane, zëri i tij një komunikim me botën e lirë.”

Të gjithë thoshin se ai nuk do të lindte.
Nënës sime i filluan dhimbjet dhe thirrën maminë.
Të gjithë prisnin në ankth…
Pastaj u dëgjua një e qarë që tingëllonte si rrok.
Ishte 6 Janar 1938.
Lindi Ai. Adriano Çelentano.

Ky është mbishkrimi i vendosur në një nga posterat e ngjitur në fasadën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Megjithëse dy javë me vonesë, MTKRS-ja së bashku me shoqatën “Çelentano”, organizuan një takim-koktej me rastin e 75-vjetorit të Adriano Çelentanos. Në aktivitet morën pjesë gazetarë, artistë, e njerëz të zakonshëm, të cilët i bashkon pasioni dhe kujtimet e një brezi, për të cilin Çelentano ishte një mit. Kryesisht fansa të moshës së dytë e të tretë, por nuk mungojnë edhe të rinjtë. Nuk ka dyshim se ai është një këngëtar i tre brezave.  Vetëm në klubin e fansave në Tiranë ka më shumë se 60 mijë admirues. Tipike vetëm për artistët e mëdhenj. Fundja, arti i bukur nuk njeh moshë, nuk njeh kohë.

celentano2

librash, shoqata, panaire e konventa të ndryshme. Artisti Bujar Kapexhiu, i cili, i ulur mes fansash, fillimisht nguron të dalë përpara, duke shprehur dëshirën për të folur aty, mes njerëzve të zakonshëm. I ulur përkrah sociologes Entela Binjaku, Kapexhiu rrëfen fragmente personale, kur në rininë e tij dëgjonte në radio këngëtarin e madh.

“Me këngët e tij ndiheshim të lirë.  Këngën ‘Ventiquattromila baci’ e kam dëgjuar në një dollap të shtrembër në shtëpi, me një radio po aq të shtrembër, që mezi i ndihej zëri dhe me të cilën dëgjonim në këmbë fitoren e Adrianos në San Remo”, shprehet Kapexhiu. “Ne kujtojmë sot një artist të madh, që në vite të trishtuara na dha gëzim. Do të ishte ëndërr që ai të vinte, për ne ka qenë një idhull, një shkollë muzike. Me atë këngë ne pastaj vazhduam rininë tonë dhe nuk është e çuditshme që edhe sot, në pleqërinë tonë ne e dëgjojmë po me aq dëshirë”.

Artani është një tjetër admirues i Çelentanos. Teksa shfleton librin “Questa e’ la storia”, shpërndarë për të gjithë pjesëmarrësit, plot pasion nis e rrëfen: “Asokohe ne e çanim censurën. Ne i gjenim të gjitha mënyrat  e mundshme me kanoçet e dikurshme. Gjenim një mundësi për të kapur stacionet italiane. Përmes tij kemi arritur të mësojmë italishten dhe kulturën italiane. Këngët e tij kanë mbajtur gjallë brezin tonë dhe më herët se brezi ynë”. Artani është nga Tirana, por tregon se atë e dëgjonte edhe Shkodra, e më së tepërmi Durrësi. “Shkonim bile në Durrës, ku valët ishin më të forta”, thotë ai.

Një takim me Çelentanon

Fatosi është Shqiptari që ka pasur fatin ta takojë dhe ta njohë personalisht këngëtarin e madh. Aktualisht,  kryetari i fondacionit “Ibrahim Kodra”, që sot jeton Milano, rrëfen takimin me të: “Për mua dhe për shumë të rinj të brezit tim ka qenë një simbol i muzikës italiane. Kujtoj me trishtim shumë djem të rinj që u burgosën vetëm sepse dëgjonin këngët e tij. E dëgjonim vetëm nëpërmjet radios, por pas ’73-shit terrori në drejtim të artit të huaj u bë shumë represiv. Kujtoj akoma me shumë emocion takimin e parë me të, para 18 vjetësh, por që mbas 5 minutash më dukej sikur e kisha njohur një jetë të terë, e kjo falë thjeshtësisë së tij. Ajo që të mbetet në mendje nga ai është një dashamirësi humane që të bën të ndihesh i barabartë me të, e kjo falë madhështisë njerëzore që rrezaton Adriano. Më dhuroi një fotografi të rinisë me dedikimin “Fatos sei simpatico”. Herën e fundit e kam takuar në funeralin e motrës së tij para disa muajsh, por shkëmbyem vetëm fjalë që thuhen në te tilla raste. Këto ditë kam biseduar me nipin e tij që është gazetar, e që ka shkruar një libër biografik të Adrianos. Shpresoj të bëhet i mundur përkthimi i tij në shqip”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here