Çdo 10 sekonda uria i merr jetën një fëmije!

0

BBC News

Çdo  10  sekonda  një  fëmijë  vdes nga uria. Ky është përfundimi i studimeve nga shoqata e bamirësisë “Enough Food for Everyone If”, e cila po nxit drejtuesit e G8 për të premtuar më shumë ndihmë për familjet më të varfra në botë. Por a është studimi i kësaj shoqate  një tablo e saktë e gjendjes së varfërisë në shtetet të cilat kanë një standard të ulët jetese? Cili është shkaku i vërtetë i këtyre vdekjeve, nuk kanë asgjë për të ngrënë apo ushqehen keq që në vegjëli?

Ka mjaftueshëm ushqim për çdokënd, por jo çdokush ka ushqim mjaftueshëm”, thotë shoqata “Enough Food for Everyone If”.

Në çdo minutë të ditës, katër fëmijë vdesin nga uria”, shprehet komediani  Eddie Izzard.  Statistika është një variacion i përdorur rreth 7 vite më parë në fushatën: “Bëni historinë e varfërisë”, ku një mori personazhesh të famshëm nga bota e muzikës, kinemasë dhe modës, u shfaqën në një video duke kërcitur gishtërinjtë në intervale të rregullta. Mesazhi ishte se çdo tre sekonda një fëmijë vdes si rezultat i varfërisë ekstreme. Statistikat për vdekjet që ndodhin në botë në disa sekonda janë përhapur shumë veçanërisht viteve të fundit.

Statistika më e fundit (15 sekonda) bazohet në të dhënat e “Lancet”, një e përditshme e njohur ndërkombëtare, e cila në 2011 publikoi një artikull ku thuhej se më shumë se tre milionë fëmijë gjatë atij viti, humbën jetën si pasojë e kequshqyerjes.

 Pas statistikave…

Ne kemi nevojë të fokusohemi tek individi dhe shprehjet e tilla me sekonda ndihmojnë në humanizimin e problemit. Kështu që kemi nevojë për një frazë të shkurtër, të arritshme  që në një periudhë të shkurtër kohore do të mund të përforcojë impaktin e problemit që po adresojmë si dhe të ndihmojë në veprim sa më të përshpejtuar”, thekson Jack Lundie, një ndër përfaqësuesit e shoqatës “Enough Food for Everyone If”.

Uria tek fëmijët

Por çfarë thotë shkenca? Duhet ta pranojmë se të thuash se çdo 10 apo 15 sekonda po vdes nga uria një fëmijë, të sjell në mendje imazhe trishtuese dhe të dhimbshme. Por në shumicën e rasteve pjesa më e madhe e atyre fëmijëve vdesin pasi nuk kanë marrë përbërësit e nevojshëm ushqimorë në vitet e hershme të fëmijërisë dhe shpeshherë preken nga sëmundje të tilla infektive si  fruthi. Një fëmijë i ushqyer mirë që në fëmijëri do ta kapërcente sëmundjen pa shumë vështirësi, por për një tjetër me një sistem imunitar më të dobët, sëmundja bëhet kërcënuese për jetën.

Një tjetër “surprizë” është teksa zbulon se cilët janë në të vërtetë këta fëmijë, të cilëve shumica e gazetave u referohet me frazën ‘’flenë me barkun bosh”.  Profesori  Robert Black  thotë se këto fëmijë nuk janë nga shtetet më të varfra në botë.

Ata janë nga  shtete si India, Nigeria etj., të cilat i kanë burimet e nevojshme për t’i ushqyer më mirë fëmijët.  Vështirësia është tek përdorimi i një diete me drithëra dhe niseshte, që të kenë përbërësit e nevojshëm ushqimorë në dy vitet e para të jetës’’.

Gati çereku i vdekjeve në këto vende i atribuohet edhe ushqyerjes së papërshtatshme me gji, pasi të paktën deri në moshën 6-muajshe fëmijët duhet të ushqehen patjetër me gji nga nëna, gjë që i mbron nga ekspozimi ndaj ushqimeve të helmuara. Kështu që çështja është më e komplikuar nga se e tregojnë statistikat se një fëmijë çdo 10 sekonda vdes nga uria e mirëfilltë.

Përgatiti për “Objektiv.al”: Elta LIKSENAJ

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here