Banka e Shqipërisë në raportin e fundit bën me dije se shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për ushqime janë rritur. “Ecuria e inflacionit 90 për qind dominohet nga ushqimet. Kriza u ndryshon sjelljen konsumatorëve. Ulen blerjet për mallra të konsumit afatgjatë”, u shpreh guvernatori Ardian Fullani. Shifrat e fundit tregojnë se shpenzimet për blerjen e ushqimeve
Banka e Shqipërisë në raportin e fundit bën me dije se shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për ushqime janë rritur.
“Ecuria e inflacionit 90 për qind dominohet nga ushqimet. Kriza u ndryshon sjelljen konsumatorëve. Ulen blerjet për mallra të konsumit afatgjatë”, u shpreh guvernatori Ardian Fullani.
Shifrat e fundit tregojnë se shpenzimet për blerjen e ushqimeve janë rritur ndjeshëm dhe kanë rënë shpenzimet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të tjera me afate më të gjata konsumi. Banka e Shqipërisë e pohoi këtë fakt në vlerësimin e fundit që i bëri ekonomisë në katërmujorin e parë të vitit 2013, kur pohoi se ecuria e inflacionit 90 për qind dominohet nga ushqimet.
Instituti i Statistikës që mat ecurinë e rritjes së çmimeve ka pohuar se gjatë muajit prill, mesatarisht çmimet janë rritur 2.5 për qind. Çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur me 5.8 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Banka e Shqipërisë pohon se inflacioni i artikujve ushqimorë është balancuar nga reduktimi i inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor. Inflacion i kësaj kategorie ka reflektuar rënien e çmimit të naftës, si pasojë e reduktimit të çmimit të saj në tregjet botërore.
Efekt rënës në inflacion ka dhënë edhe reduktimi i çmimeve të mallrave të konsumit afatgjatë, ndërkohë që çmimet e kategorive të tjera të mallrave të konsumit nuk kanë shfaqur ndryshime të rëndësishme. Rritja e çmimeve të ushqimeve lidhet me disa faktorë sezonalë që e kanë ndikuar negativisht prodhimin vendas.
“Shirat e gjata të pranverës dhe përmbytja e zonës së Nënshkodrës kanë ndikuar negativisht në prodhimet bujqësore të stinës, si frutat dhe perimet, duke bërë që një kilogram kastravec ose domate të shitet me dyfishin e çmimit të një viti më parë”, kanë shpjeguan ekspertët e Bankës së Shqipërisë
Kriza
Kriza ekonomike ndikoi në sjelljen e shqiptarëve për të shpenzuar. Në kushtet e një pasigurie për të ardhmen, shqiptarët kanë reduktuar disa shpenzime duke sjellë në këtë mënyrë rënien e konsumit. Ky vit ka nisur me rënie të çmimeve për mobiliet dhe pajisjet shtëpiake dhe të pasurive të paluajtshme, të cilat, të ndikuara nga psikologjia e krizës janë shtyrë për t’u kryer më vonë. Banka e Shqipërisë parashikon se çmimet e konsumit do të vazhdojnë rritjen me norma të ulëta. Me një probabilitet ndodhjeje 90 %, inflacioni vjetor pritet të luhatet në intervalin 0.6% – 3.6% pas 4 tremujorëve.
/Enkeleda Cami/
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *