Borxhi i jashtëm, 3.2 miliardë lekë më shumë se plani

0

Qeveria ka tejkaluar me 3.2 miliardë lekë planin e borxhit të jashtëm për gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, aktualisht niveli i huamarrjes së huaj arrin për periudhën janar-qershor 2013 në vlerën 10.1 miliardë lekë, nga 6.9 miliardë lekë që ishte planifikuar.

Pra kufiri i përcaktuar është kaluar me 3.2 miliardë lekë më shumë. Sipas ekspertëve të financave, borxhi i huaj po përdoret kryesisht për investime publike afatgjata dhe pjesa më e madhe e financimeve që janë marrë borxh, janë kredi zhvillimi me afat shumë të gjatë dhe interesa jo të larta.

Ndikuar dhe nga kushtet jo të favorshme dhe interesat shumë të larta që ofrojnë tregjet financiare ndërkombëtare, vitet e fundit qeveria është fokusuar më tepër në marrjen e borxhit në tregun e brendshëm.

Aktualisht niveli i huamarrjes së brendshme arrin për 6 muajt e parë të vitit 2013 në vlerën 25.2 miliardë lekë, nga 22.4 miliardë lekë që ishte planifikuar për këtë periudhë. Pra kufiri i përcaktuar është kaluar me 2.8 miliardë lekë më shumë.

/Klajdi Lleshi/

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here