Blasfemia dhe ligji i fanatikëve

Fareed Zakaria – Washington Post Në tërbimin e tyre, dy personat që vranë 12 vetë në Paris këtë javë thërrisnin se ishin “hakmarrë për Profetin”. Ata ndjekin kështu rrugën e terroristëve të tjerë që kanë vënë bomba në redaksi gazetash, kanë therur një regjisor dhe kanë vrarë shkrimtarë dhe përkthyes, të gjitha këto për të

fared

Fareed Zakaria – Washington Post

Në tërbimin e tyre, dy personat që vranë 12 vetë në Paris këtë javë thërrisnin se ishin “hakmarrë për Profetin”. Ata ndjekin kështu rrugën e terroristëve të tjerë që kanë vënë bomba në redaksi gazetash, kanë therur një regjisor dhe kanë vrarë shkrimtarë dhe përkthyes, të gjitha këto për të kryer atë që ata besojnë se është ndëshkimi i duhur Kur’anor për blasfeminë. Por, në fakt, Kur’ani nuk përcakton asnjë ndëshkim për blasfeminë. Ashtu si shumë prej aspekteve më fanatikë dhe të dhunshëm të terrorizmit islamik sot, ideja që Islami kërkon që fyerjet ndaj profetit Muhamed të ndëshkohen me dhunë është një krijesë e politikanëve dhe klerikëve, për t’i shërbyer një agjende politike.

Një libër i shenjtë është thellësisht i shqetësuar me blasfeminë: Bibla. Tek Testamenti i Vjetër, blasfemia dhe blasfemuesit dënohen dhe për ta përcaktohet një ndëshkim i rëndë. Pasazhi më i mirë për të ilustruar këtë është Levitixus 24:16: “Cilido që blasfemon kundër emrit të Zotit duhet dënuar me vdekje. E gjithë “ansambleja” duhet ta vrasë me gurë. Qoftë i huaj apo vendas, kur blasfemon, Emri duhet dënuar me vdekje”.

Në të kundërt, blasfemia nuk shfaqet askund në Kur’an. (Po kështu, Kur’ani nuk ndalon askund krijimin e imazheve të Muhamedit, ndonëse ka komente dhe zakone – “hadith” – që e bëjnë, kundër idhujtarisë).  Akademiku i Islamit Maulana Khan ka thënë se “ka më shumë se 200 vargje në Kur’an, që zbulojnë se bashkëkohësit e Profetëve kanë bërë në mënyrë të përsëritur të njëjtin akt, që tani quhet “blasfemi apo abuzim me Profetin”… por askund nuk përcakton Kur’ani ndëshkimin me rrahje me kamzhik, apo vdekje, apo çfarëdolloj ndëshkimi fizik”. Në disa raste, Muhamedi i trajtonte njerëzit që e tallnin atë apo mësimet e tij me mirëkuptim dhe mirësi. “Në Islam”, thotë Khani, “blasfemia është një temë diskutimi intelektual dhe jo një temë ndëshkimi fizik”.

Dikush ka harruar t’ua thotë terroristëve. Por besimi i frikshëm dhe i përgjakshëm që kanë adoptuar xhihadistët është shumë i zakonshëm në botën myslimane, edhe mes të ashtuquajturve myslimanë të moderuar – pra që blafemia dhe apostazia janë krime të rëndë kundër Islamit që duhen ndëshkuar mizorisht. Shumë vende me shumicë myslimane kanë ligje kundër blasfemisë dhe apostazisë – dhe në disa vende, këta janë edhe më të fortë.

Pakistani është sot vendi tipik ku fushata kundër blasfemisë ka shkuar keq. Në mars, të paktën 14 vetë ishin në pritje të dënimit me vdekje në këtë vend dhe 19 vetë vuanin dënimin e përjetshëm, sipas Komisionit të SHBA për Lirinë Fetare në botë. Pronari i grupit më të madh mediatik në vend është dënuar me 26 vjet burg, për arsye se në kanalin e tij u transmetua një këngë devocioni për vajzën e Profetit, ndërkohë që videoklipi risillte skenën e martesës së saj. Dhe Pakistani nuk është i vetëm. Bangladeshi, Malajzia, Egjipti, Turqia dhe Sudani kanë përdorur të gjithë ligjet për blasfeminë, me qëllim që të burgosin dhe shantazhojnë njerëzit. Në Indonezinë e moderuar, 120 vetë janë ndaluar për këtë arsye që në vitin 2003. Arabia Saudite e ndalon praktikimin e çdo feje tjetër, përveç versionit të saj të Islamit.

Rasti i Pakistanit tregon shumë, sepse versioni i tij ekstrem i ligjeve kundër blasfemisë është relativisht i vonë dhe një produkt i politikës. Mohammed Zia ul-Haq, presidenti i Pakistanit në vitet 1970 dhe 1980 dëshironte ta margjinalizonte opozitën demokratike dhe liberale, dhe mbështeti fondamentalistët islamikë, sado ekstremë që ishin ata. Ai miratoi një seri ligjesh që islamizonin Pakistanin, duke përfshirë një ligj që rekomandonte dënimin me vdekje apo me burgim të përjetshëm për fyerje të Muhamedit, në çfarëdolloj mënyre.

Kur qeveritë përpiqen të fitojnë simpatinë e fanatikëve, këta të fundit e marrin ligjin në duart e tyre. Në Pakistan, xhihadistët kanë vrarë dhjetëra vetë që i akuzojnë për blasfemi, duke përfshirë edhe një politikan kurajoz, Salmaan Taseer, i cili guxoi ta quajë ligjin për blasfeminë një “ligj të zi”.
Ne duhet t’i luftojmë terroristët e Parisit. Por duhet të luftojmë edhe burimin e problemit. Nuk mjafton që liderët terroristë të dënojnë njerëzit që vrasin ata që i konsiderojnë si blasfemues, nëse, në po të njëjtën kohë, vetë qeveritë e tyre mbështesin idenë e ndëshkimit të blasfemisë. Komisioni i lirisë së fesë dhe Komitetit i të Drejtave të Njeriut i OKB kanë shpallur se ligjet për blasfeminë shkelin të drejtat universale të njeriut, për arsye se dhunojnë lirinë e fjalës dhe shprehjes. Kanë të drejtë.

Në vendet me shumicë myslimane, këto kohë askush nuk guxon të kundërvihet. Në vendet perëndimorë, askush nuk përballet me aleatët për këto çështje. Por blasfemia nuk është një problem i brendshëm, që i përket vetëm atyre që merren me çështjet e brendshme të vendeve. Tani, ajo qëndron në udhëkryqin e përgjakshëm mes islamikëve radikalë dhe shoqërive perëndimore. Nuk mund të shmanget më. Politikanët perëndimorë, udhëheqësit myslimanë dhe intelektualët kudo ku janë duhet të theksojnë se blasfemia është diçka që nuk ekziston në Kur’an dhe nuk duhet të ekzistojë në botën moderne.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar