Bie çmimi për pronat e bankave

0

Hyn në fuqi ndryshimi i Kodit Civil dhe të Procedurës Civile i miratuar në maj të këtij viti. Këto ndryshime prekin shumë nene, por pjesa më e rëndësishme dhe më e ndjeshme për ekonominë është ekzekutimi i kolateralit, e cila për sektorin bankar solli bllokimin e kredive dhe rritjen e huave të pashlyera.

Ndërkaq, lehtësitë lidhen direkt me vlerën e pronës së bllokuar nga banka, ndaj klientit të saj, që nuk ka qenë në gjendje të shlyejë kredinë. Tashmë vlera e një apartamenti, trualli, makine etj., mund të ulet deri në 50 për qind, aspekt ky tepër pozitiv që bankat të shesin pronat e mbajtura peng. Nuk janë pak, por rreth 1 miliard euro kredi të pashlyera, ku nga këto, afro 300 milionë konsiderohen të humbura, pra janë me një vit a më shumë vonesa në shlyerje.

Kështu, në rast se një pronë e sekuestruar nga banka, vlerësohet me 10 lekë, atëherë ajo del në ankand me çmim 20 për qind, më të ulët, pra 8 lekë. Në rast se në ankandin e parë, nuk shfaqet interes për pronën, atëherë zhvillohet ankandi i dytë, duke e nxjerrë me një vlerë prej 5 lekë, pra 50 për qind më ulët se fillestarja.

Shoqëritë e përmbarimit e vlerësojnë këtë masë, pasi i jep mundësi çdo kujt të blejë prona me çmime më me leverdi, gjithashtu lehtëson bankat nga “makthi” i mosekzekutimit të kolateralit.

Nëse kodin e mëparshëm dikujt i bllokohej prona nga banka, atëherë ai shkonte në gjykatë për të marrë sigurinë e padisë, ndërsa tani siguria e padisë zgjat 20 ditë, afat ky që detyron gjykatësin të japë vendimin, nëse bllokimi i pronës nga banka është i drejtë apo jo.

/Erilda Sulika/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here