Berisha:Minatorët në pension 55 vjeç

0

Mosha e daljes në pension e minatorëve të vendit aktualisht është 65 vjeç dhe jo të gjithë janë në gjendje fizike të punojnë deri këtë moshë.

Drejtuesit e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë i kanë dërguar Kryeministrit Sali Berisha, një kërkesë ku të miratohet ndryshimi i daljes në pension për minatorët.

Sipas kësaj kërkese minatorët kërkojnë uljen e moshës së daljes në pension deri në 55 vjeç. Ata i kanë dërguar një shkresë kreut të qeverisë, nëpërmjet sindikalistëve në të cilën rendisin disa pika me karakter ekonomik. Minatorët kërkojnë që vjetërsia në punë të jetë 25, pasi puna e tyre konsiderohet më e vështirë nga të gjithë sektorët e tjerë në vend.

“Mosha e daljes së tyre në pension duhet të jetë 55 vjeç. Nga këto me një vjetërsi pune prej 25 vjet e kondicionuar kjo për punë në nëntokë për 12 vjet e gjysmë. Kemi dërguar kërkesën në kryeministri ditën e djeshme, në mënyrë që ky pension të miratohet para zgjedhjeve të 23 qershorit”, tha Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Kjo kërkesë është bërë pas premtimit të z. Berisha në ceremoninë e organizuar me rastin e 22 vjetorit të grevës së parë të përgjithshme të 800 mijë punonjësve të Shqipërisë.

“Për pensionin dhe moshën 55 vjeç do të bëhet realitet shumë shpejt. Ne jemi të gatshëm të bëjmë reformën e nevojshme”, është shprehur gjatë takimit kreu i qeverisë.

Minatorët kanë marrë garancinë e Kryeministrit të vendit se mosha e daljes në pension do të ulet dhe me miratimin e këtij vendimi do të përfitojnë me mijëra minatorë.

/Muzafere Dema/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here