Beogradi me ekspozitë mbi krimet serbe në Kosovë, Daçiç i pranishëm

0

Një ekspozitë mbi krimet e kryera nga forcat serbe në Podujevë, në vitin 1999, është hapur të mërkurën në mbrëmje në Qendrën Kulturore të Beogradit.

Nën titullin “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevci, kanë paraqitur tragjedinë e familjes së tyre që u masakrua nga forcat serbe.

“Për ne është shumë e rëndësishme që jemi këtu. Kemi ndjenjën se e kemi pasur të shkruar të mbijetojmë për të treguar historinë tonë, për të treguar të vërtetën. Shpresoj se njerëzit do të vijnë për ta parë ekspozitën”, ka thënë Saranda.

Ndërkohë që i pranishëm në galeri ka qenë dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç. Daçiç tha para gazetarëve se duhet të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullatës civile në luftërat në ish-Jugosllavi.

“Uroj që e vërteta të mund të tregohet kështu në të gjitha pikat e ish-Jugosllavisë: edhe në Zagreb, edhe në Knin, edhe në Sarajevë, edhe në Banjallukë, edhe në Prishtinë”, tha ai.

Vizita e tij në këtë ngjarje kulturore është komentuar në mënyra të ndryshme. Ҫedomir Jovanovic, kryetar i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë se, prania e Daçicit në ekspozitë është një gjest i rëndësishëm, por nuk mjafton për ndryshimin e shoqërisë serbe.

“Ne jemi distancuar nga vitet ’90, por nuk kemi ndryshuar shumë”, ka thënë ai.

Ndërsa rreth 50 persona kanë protestuar para galerisë kundër pjesëmarrjes së kryeministrit serb në të.

Ekspozita i referohet një ngjarjeje të 28 marsit të vitit 1999 në Podujevë, ku pjesëtarë serbë të formacionit “Skorpionët” kanë vrarë 14 persona, mes tyre gra dhe fëmijë. Pesë fëmijë të plagosur rëndë kanë mbijetuar, mes të cilëve edhe Saranda, Jehona dhe Fatosi.

 /Romina Qama/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here