BB mbështet qeverinë shqiptare për taksën progresive

0

Banka Botërore mbështet propozimin e qeverisë së re për  taksën progresive . Banka sugjeron që Shqipëria të mos jetë më në kahun e politikave që pakësojnë të ardhurat në buxhet, pasi financat nuk po përjetojnë një kohë të mirë dhe në këto kushte duhet të ruhet balanca.Drejtoresha Rajonale për Europën Juglindore, Ellen Goldstein, tha dje se Shqipëria nuk ka një sektor të madh privat që një ndryshim i vogël të sjellë efekte të mëdha, por nëse do të ketë lëvizje taksash, të bëhen në dy anë.

Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor deklaroi se; “Në diskutimet me qeverinë kemi theksuar katër ide të dobishme në lidhje me atë që duhet bërë. Njëra është që çdo masë e marrë të jetë neutrale në buxhet. Pra, nëse ul taksat për dikë, duhet ta kompensosh duke rritur për dikë tjetër. Së dyti, mund të jetë shumë e dobishme të rritej progresiviteti i sistemit të taksave me qëllim që ata që kanë më shumë të ardhura, të paguajnë më shumë se ata që kanë më pak. Së treti, do të ishte ulja e evazionit dhe zgjerimi i bazës së tatim-paguesve, ndërsa masa e fundit është ruajtja e mekanizmave socialë për të mbrojtur njerëzit më të varfër.”

Gjithashtu ajo u ndal edhe në shlyerjen e borxhit ndaj kompanive, duke e cilësuar nismën e qeverisë për verifikimin e këtij borxhi si tepër pozitive. Në kohën kur qeveria është duke kërkuar ndihmë financiare për të shlyer borxhin ndaj kompanive, Goldstein tha se është rënë dakord për një hua, e cila do të kalojë direkt në buxhet.

Ndërkaq sipas Bankës Botërore kreditë e këqija janë një tjetër shqetësim dhe kërkon ndërhyrje dhe vëmendje nga qeveria shqiptare.

/Erilda Sulika/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here