Bashkim Gjergji: Nuk ka komb kosovar, ka shqiptarë të Kosovës

Në Intervistën “Start 19+1” vjen,  Prof. Asoc. Dr. Bashkim Gjergji, një ndër themeluesit kryesorë të degës së gazetarisë në Universitetin e Tiranës,  e njëkohësisht  lektor, autor  e redaktor në tituj të ndryshëm nga fusha e gazetarisë dhe e filozofisë politike.  Ai ndihet patriot, e thekson se për të çmuar botën duhet të çmosh në radhë

Në Intervistën “Start 19+1” vjen,  Prof. Asoc. Dr. Bashkim Gjergji, një ndër themeluesit kryesorë të degës së gazetarisë në Universitetin e Tiranës,  e njëkohësisht  lektor, autor  e redaktor në tituj të ndryshëm nga fusha e gazetarisë dhe e filozofisë politike.  Ai ndihet patriot, e thekson se për të çmuar botën duhet të çmosh në radhë të parë vendin. Sipas tij, shenjat e kombit janë gjuha, kultura, etnia prandaj ka shqiptarë të Kosovës dhe jo kosovarë.

1-Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Besoj patriot, në kuptimin që njeriu duhet të çmoj patjetër vendin e vet, dhe gjithçka që i takon shoqërisë, familjes, e pastaj të hedhim sytë tej, për të kuptuar botën dhe për ta çmuar atë.

2- Majtas apo djathtas?

Mendoj se ka elementë gjithnjë siç thotë Norberto Bobbio, pozitive në ideologjinë e  majtë dhe të djathtë, unë preferoj të them se jam me atë lloj platforme politike që i bën mirë shqiptarëve dhe Shqipërisë.

3- Kur ju duhet një mendim të mençur si veproni?

Një mendim i mençur, për ta gjetur, sigurisht ndihmon përvoja individuale, reflektimi mbi atë që të thonë miqtë dhe njerëzit e afërt dhe padyshim leximet e vazhdueshme, të cilët nuk janë thjesht stoli, por janë më tepër për të mësuar dhe për t’i aplikuar në jetë atëherë kur duhet dhe si duhet.

4- Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar?

Nuk besoj se ka një libër që më ka bërë për të reflektuar më tepër.  Ka  shumë libra, por në morinë e librave të fundit, unë mund të them se libri i fundit i Spartak Ngjelës, më sjell një model të shkëlqyer të reflektimit mbi politikën, mbi mënyrën se si duhet analizuar, si duhet reflektuar mbi politikën, dhe disa fenomene të çuditshme që vijnë dhe që trajtohen me gjenialitet do të thosha unë, me talent të rrallë nga autori për periudhën e diktaturës.

5- Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Pas 100 viteve shtet besoj se ka ndryshuar jo pak. Kanë ndryshuar shuam gjëra  në mentalitetin e brezave dhe nuk hezitojë të them aspak se edhe në mënyrën e jetesës. Ndërsa në mekanizmin si shoqëri, si shtet,  ndoshta ka edhe shumë elementë të së shkuarës.

6- A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Shpesh herë përdoret termi krizë ciklike që vjen herë pas here. Unë mendojë se çdo shoqëri në çdo periudhë ka kriza të caktuara, mund krizë në çështjet e edukimit të brezit të ri, ka një krizë që mund të jetë ekonomike, ka një krizë politike që shfaqet në rastin e zgjedhjeve,  parazgjedhjeve ose pas-zgjedhjeve, siç ka kohë krize të caktuar në fusha të caktuara për motive të caktuara.

7- Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

1-Një përmirësim i sistemit arsimor por jo në letra, në letër çdo gjë është e shkëlqyer. Një përmirësim i sistemit arsimor në përmbajtjen e vet.

2- E dyta, do të kërkoja që të kishte një reformë të plotë të sistemit shëndetësor, ku njeriu kur të shkojë në spital mos të trembet as nga pagesat,  por mbi të gjitha të ketë shërbimin që meriton të ketë një jetë njerëzore.

3-E treta, mendoj që të zhvillohet ekonomia, sepse unë mendoj se baza ekonomike është ajo që përcakton  zhvillimin e familjes dhe shoqërisë në tërësi.

8- A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Tek të gjithë personazhet historike që kanë luajtur rol gjej anë pozitive. Nuk jam kurrë me shikimin e personazheve historikë shqiptar në bllokun bardh e zi. Për shembull tek Fan Noli, do të shikoja kulturën e gjerë, fizionominë e tij si esatist, këndvështrimin, dhe ndoshta para veprimet e tij politike për të cilat  sot ka shumë diskutime të bëra në rrethanat e kohës. Unë nuk mendoj që është pozitive ta penalizosh një figurë politike të kohëve të shkuara, duke gjykuar për kohën duke u nisur nga parametrat e sotme.

9- Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politik?

Duhet vendosur në një kontekst të caktuar, por sigurisht gjej elemente edhe tek figura e Zogut shumë interesante si p.sh. mbledhja e armëve siç thotë Bernard F. Fisher, fizionomia e institucioneve që përcaktohet për herë të parë, që stabilizohen institucionet e shtetit, mënyra e organizmit të tij, më bën përshtypje, duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhej vendi. Zogu ishte monark sepse drejtoi me të gjitha atributet që ka një monark pavarësisht disa frymëmarrjeve siç vë në dukje Robert Elsie për shtypin e viteve ’30. Nëse ishte apo nuk ishte komunist Enver Hoxha, nuk mund ta përcaktoj, por ai ishte një diktator komunist, tipik i majtë. Madje është përcaktuar shumë herë si diktatori më i ashpër në vendet e Lindjes. Liderët e sotëm politik  kanë elementë demokratikë,  së pari kanë një përvojë të jetës politike, kanë kontakte dhe janë nën presionin e opinionit të  brendshëm dhe të jashtëm publik, por reflektojnë edhe nuanca të së shkuarës se janë pjellë e mendësisë  së të kaluarës.

10- Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Jemi në fillimet transitive. Sepse në mendimin tim tranzicion do të thotë një aktivitet ndryshues, që ndryshon.

11- Shqiptarët orientalë apo aksidentalë?

Mendojë se ka një element të gërshetimit oksidental dhe oriental. Oksidental në koncepte sepse marrë në konsideratë leximet e dikurshme, televizionet, kanalet që ndikonin shumë në mentalitetin shqiptar. Prirje ndoshta e kahershme e shqiptarëve, ndoshta edhe tregtia apo lëvizja kanë ndikuar në këtë gjë.  Ka edhe mënyrën orientale të jetesës, në raportet familjare të cilat burojnë në raportet midis brezave për arsye të shoqërisë, jo vetëm të sundimit Osman për 500 vjet, por edhe për faktin që për 50 vite ka qenë një shoqëri pa përplasje, pa ballafaqime me jashtë,  prandaj janë ruajtur edhe shumë tradita të vjetra.

12- Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian?

Qytetari shqiptar nga një qytetar evropian nuk ndryshon nga veshja, por ndryshon pikërisht nga psikologjia, mentaliteti.  Unë do të thosha shumë herë nga edukata e punës, prandaj shpeshherë  siç venë re mediumet e gazetarët dhe zgjidhja problemeve, vjen nga bisedat tona në kafe sesa në vendin e punës.

13- “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Besa nuk është një vlerë e tejkaluar. Që do të thotë respekt për vetveten, respekt për institucionet  respekt për ligjet, që do të thotë t’i do ta kryesh me besnikëri diçka sepse ke një vokacion të brendshëm, sepse ke atë që quhet “imperativi kategorik”,  sepse kjo buron pikërisht nga fjala që i ke dhënë tjetrit,  nga premtimi që i ke bërë,  pra nga parimi i lartë etik. Buron nga legjislacioni, që ti duhet ta zbatosh, ose nga rregullat administrative që i ke pranuar. Nga këto elemente nuk mendoj që besa është një vlerë ë tejkaluar.

14- Tirana, metropol apo fshat urban?

Tirana padyshim është një metropol shqiptar, por me elementë fshati, që burojnë nga ç’rregullimi urbanistik dhe nga improvizimet e ndërtimit e të rregullimeve që burojnë nga  politika të caktuara fitimprurëse.

15- Çfarë është kombi për ju?

Shenjat e kombit janë gjuha, kultura, etnia. Prandaj unë nuk them asnjëherë termin kosovar. Në përvojën time jam mundur ta shmang, them gjithmonë shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Tetovës. Asnjëherë maqedonas shqiptar, apo kosovar, kështu e konsideroj të realizuar në praktikë konceptin tim për kombin.

16- Çfarë është familja për ju?

Familja për mua është çerdhja e shenjtë. Platoni e konsideronte kulla, ose e interpretonte një aspekt shumë individual. Habermasi  thoshte është një shpellë Platonike ku uni individual realizohet në përmasa të plota.

17-  Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?

Prizreni më ka lënë shumë mbresa. Si një nga qytet më të bukura shqiptare, si një qytet i sistemuar dhe i pastër,  me një kuzhinë e art kulinar,  të kultivuar në shekuj dhe me një mikpritje e stof qytetar tepër të lartë.

18- A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Hapja e degës në gazetari në ’92 dhe fillimi i punës këtu, gjithnjë me idenë,  jo vetëm personale, që ndihmoji në hapjen e kësaj dege,  e kolegëve të mi të asaj kohe, e të gjithë të huajve që erdhën e dhanë mësim. Ishte një moment i veçantë,  sepse flitej për ndërtimin e një shkolle nga e para, ndryshe nga degët e tjera, ku  pati qepje,  ndryshime,  këtu filloj gjithçka nga e para, e padyshim ka qenë nja nga momentet më të bukura më frytdhënëse dhe më energjike.

19- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Do merresha me më shumë sport, jam marrë shumë pak. Sepse sporti është vërtetë relaks i mendjes, çlodhje, është rigjenerim i forcave, çka do të thotë, se kjo reflekton raporte shumë më të mira në familje dhe shoqëri.

20- Cili është opinioni juaj mbi etikën në median shqiptare?

Ka elemente pozitive dhe negative. Sot p.sh. kam diskutuar me studentët për shumë aspekte të qarkullimit të të njëjtit informacion, për debatet kinse që nuk janë debatet reale, për interesa të caktuara që përcaktojnë edhe vijën editoriale, këto nuk janë fenomene shqiptare por mbarëbotërore dhe duhet pranuar. Shikoj edhe hapa pozitivë, p.sh. ndarja e opinionit nga lajmi, e informacioni që qytetari të kuptojë se çfarë po ndodh në vendngjarje. Janë parë si standarde profesionale edhe etike njëkohësisht. Po kështu edhe përqendrimi dhe diskutimi midis gazetarëve, e vendimmarrja për të ruajtur shpeshherë individët e thjesht, ashtu siç ka edhe raste të  kundërta të trazimit të jetës private jo vetëm të VIP-ve por edhe njerëzve të zakonshëm. Nga kjo pikëpamje jam i mendimit që proceset etike janë procese që nuk futen dot në një ekuacion të vetëm,  nuk përmblidhen në një sintezë dhe nuk janë kaq të thjeshta,  apo që janë pjesë e vendimmarrjes që burojnë nga diskutimet  në media. Kam bindjen se në media ka diskutime,  sigurisht që nuk është e thjesht, por fakti që disa media kanë kod etikë të veçantë, ose të tjerat që mund të mos kenë kode etike, por kanë qëndrime etike që janë përcaktuar,  aty brendapërbrenda redaksive . Problemi është nëse këto evoluojnë bashkë me evoluimin e medias,  a merren në konsideratë disa gjëra të tjera? Unë mendoj që këto janë fenomene që po shfaqen dukshëm dhe çka më bën mos t’i shikoj me sy pesimist aspektet,  principet, e normat në media.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar