Atletikë, jeta dhe karriera e rekordmenes Luiza Gega

Atletikë, jeta dhe karriera e rekordmenes Luiza Gega

Intervistoi: Jonida Halili Luiza Gega është një nga atletet e reja shqiptare me premisa të mëdha. Sportistja 25-vjeçare ka dëshmuar që falë punës dhe dëshirës së madhe për atletikën të arrijë të shndërrohet në një rekordmene kombëtare. Në intervistën për portalin “Objektiv”, Luiza zbulon detaje interesante nga jeta dhe karriera e saj. Si e nisi

Intervistoi: Jonida Halili

Luiza Gega është një nga atletet e reja shqiptare me premisa të mëdha. Sportistja 25-vjeçare ka dëshmuar që falë punës dhe dëshirës së madhe për atletikën të arrijë të shndërrohet në një rekordmene kombëtare. Në intervistën për portalin “Objektiv”, Luiza zbulon detaje interesante nga jeta dhe karriera e saj. Si e nisi karrierën sportive, cilat janë arritjet e saj të deritanishme, çfarë objektivash ka për të ardhmen, janë disa nga pyetjet për të cilat atletja Luiza Gega përgjigjet në intervistën tonë.   

Luiza, ju njiheni për pjesëmarrjet tuaja në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare,gjithashtu dhe për sukseset e arritura ne to. Mund të na thoni si ka filluar karriera juaj dhe sa e vështirë ka qenë  të arrini deri këtu?             

Sportin e atletikës e kam nisur që në moshën 14 vjeçare. Në garat e zhvilluara në shkollë spikatja gjithmonë për shkathtësinë time. Isha dhe me fat sepse një i afërmi im, trajner atletike, më ofroi mundësinë për një stërvitje më profesionale. Që në garat e para fillova të zija vendin e parë. Kjo gjë më motivoi dhe më bëri të dashurohem më këtë sport dhe sigurisht më emocionet që të fal. Vazhdova të stërvitem nga i njëjti trajner për rreth 4 vjet, ku dhe ndoqa shkollën e mesme “Mjeshtëria Sportive” në Durrës. Atletikën si sport profesionist fillova ta zhvilloj pasi erdha në Tiranë. Ndoqa “Universitetin e Sporteve”, me trajnerin tim aktual Taulant Stermasi.

Sa të përshtatshme janë kushtet që ofron Federata e Atletikës Shqiptare për zhvillimin e stërvitjeve apo kampionateve të ndryshme?

Për fatin tim dhe të gjithë atletëve të tjerë, federata nuk na ofron kushtet e favorshme për zhvillimin normal të stërvitjes. Detyrohem që shumë shpesh të dal dhe të stërvitem jashtë vendit dhe me shpenzimet personale sepse federata nuk na i financon këto udhëtime. Problemet kryesore qëndrojnë tek pistat e vrapimit që janë të papërshtatshme sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur në kemi edhe periudhën kryesore të fazës përgatitore.

Gega

A mund të na përmendni disa nga arritjet tuaja në këtë sport ?

Gjatë tre viteve të fundit jam sportistja kryesore që përfaqëson Shqipërinë në aktivitetet evropiane dhe botërore. Në këto tre vite karrierë jam shpallur sportistja më e mirë e Shqipërisë. Këtë gjë e dëshmojnë edhe medaljet ndërkombëtare që kam fituar. Përmend këtu 4 medalje ballkanike ( 3 ari dhe 1 argjendi), 3 vende të para në Kupën e Evropës,  vendin e dytë në “Theart League”, si dhe shumë medalje nëpër gara të tjera ndërkombëtare.

Suksesi më i madh për një sportist, sidomos të atletikës, është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Flitej që ju do të ishit pjesë e përfaqësuesve të Shqipërisë në organizimin e fundit që u bë. Mund të na thoni arsyet se përse nuk morët pjesë?

Keni të drejtë. Vjet ishte “Viti Olimpik” dhe unë isha pretendentja kryesore për të marrë pjesë, kjo falë kualifikimit që sigurova në normën e garës 1500 metra, e quajtur “gara mikse”. Ishte një garë ku unë konkurrova vetëm me djemtë.  Për fat të keq kjo normë u quajt e parregullt sepse Federata Botërore e Atletikës e kishte hequr nga lista e garave që në lojërat e fundit botërore. Në nuk kishim informacione mbi këtë fakt. Kjo ishte arsyeja pse unë nuk arrita të përfaqësoj Shqipërinë në këtë eveniment. Shpresoj që në lojërat e ardhshme të jem pjesë e grupit përfaqësues të kombëtares.

Cilin konsideroni si suksesin më të madh në karrierën tuaj?

Sigurisht që unë çdo arritje e konsideroj një sukses personal, por ajo që mund të veçohet nga të tjerat është thyerja e rekordit kombëtar të garës 1500 metra. Ky rekord mbahej nga legjenda e atletikës Pavlina Evro dhe kishte 30 vjet i pathyer.

luiza

A kanë qenë dëmtimet fizike pengesë për zhvillimin e aktiviteteve sportive?

Për fat të mirë unë nuk kam qenë shpesh pre e dëmtimeve  të rënda që mund të më kushtëzonin karrierën, ndryshe nga disa kolege të tjera. Patjetër që kam pasur dëmtime të lehta sepse vetë sporti është i tillë, por që kanë kaluar pa problem serioze.

Sa ka ndikuar në aspektin personal impenjimi në këtë sport kaq aktiv?

Atletika është një ndër sportet më të vështira, sepse gjithçka vendoset nga një kronometër. Për këtë arsye impenjimi duhet të jetë maksimal. Pavarësisht këtij aspekti, natyra ime sportive bën që jeta personale të mos ndikohet nga profesioni.

Cilat janë disa nga aktivitetet më të afërta në të cilat jeni konfirmuar edhe ju si pjesëmarrëse?

Këtë vit kam shumë objektiva që shpresoj t’i kthej në sukses. Më datë 1 maj arrita të kap normën për të siguruar të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në Botërorin e Atletikës që do të zhvillohet në muajin gusht në Moskë. Gjithashtu do të marr pjesë në Lojërat Mesdhetare që pritet të mbahen në Turqi.

luiza1

Keni ndonjë këshillë për ata të rinj që duan të merren me atletikë?

Atletika është një sport që të fal emocione të papërshkrueshme dhe do të doja t’i thosha gjithë atyre që e kanë pasion këtë sport, të mos e lënë pas dorë por të impenjohen çdo ditë dhe ta ndjekin ëndrrën e tyre.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar