“Arrest me burg” për Karçinin, dyshohet se tentoi të eliminonte konkurrentin

Gjykata e Krimeve të Rënda hedh poshtë kërkesën e Ilir Karçinit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, duke e lënë në qeli biznesmenin nga Fieri që dyshohet se do të paguante 120 mijë euro për eliminimin e konkurrentit të tij, ngjarje kjo e parandaluar nga policia. Gjykatësja Etleva

Gjykata e Krimeve të Rënda hedh poshtë kërkesën e Ilir Karçinit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, duke e lënë në qeli biznesmenin nga Fieri që dyshohet se do të paguante 120 mijë euro për eliminimin e konkurrentit të tij, ngjarje kjo e parandaluar nga policia.

Gjykatësja Etleva Deda ka vendosur të lërë pas hekurave Karçinin, duke vlerësuar të ligjshëm arrestimin me burg të dhënë në mungesë për biznesmenin tre ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, si dhe duke pranuar kërkesën e prokurorëve Ardian Nezha dhe Behar Dibra.

Gjatë seancës të zhvilluar sot në gjykatën e Krimeve të Rënda, Ilir Karçini, që dyshohet se pagoi Julian Sinanajn për të vrarë një prej biznesmenëve të hidrokarbureve në Durrës, theksoi se nuk e njihet me shtetasit Julian Sinanaj dhe të penduarin N.GJ. Ai nga krahu tjetër ka pranuar konfliktet me biznesmenin e gazit Piro Bare, por mohon të ketë paguar apo urdhëruar vrasjen e tij.

Avokati i Ilir Karçinit, ish-kryeprokurori, Theodhori Sollaku ka deklaruar se do ta ankimojë masën e sigurisë për klientin e tij në Gjykatën e Apelit. Sipas tij, Ilir Karçini mohon akuzat ndaj tij. “Ai ka mohuar të ketë njohje me Julian Sinanajn dhe të penduarin N.Gj, prandaj dhe mbajtja në qeli e tij nuk është ligjore”, tha Sollaku për mediat në përfundim të seancës gjyqësore.

Ilir Karçini, pronari i një firme gazi me qendër në Patos të Fierit, dyshohet si porositësi i vrasjes me pagesë të kolegut të tij Piro Bare, drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes “Romano Port” me të cilin mendohet se ka pasur një konflikt pikërisht në fushën e tregtisë së gazit.
Emri i Ilir Karçinit është përcjellë disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas dëshmisë së Julian Sinanaj. Arrestimi i biznesmenit u bë ditën e shtunë në banesën e tij në kryeqytet dhe nën masa të larta sigurie.

Biznesmeni 44 vjeçar nga fieri do të përballet me një akuzë të rëndë, atë për sigurimin e materialeve për vrasjen e kolegut të tij durrsak Piro Bare, porosi e cila nuk u çua dot deri në fund nga Julian Sinanaj, që u arrestua me armën gati dhe foton e shënjestrës në xhep, dy ditë para se të kryente ekzekutimin e planifikuar.

Dëshmia e Karçinit në Prokurori pak orë pas arrestimit të tij

Në mëngjesin e ditës së shtunë, 1 Shkurt 2014, biznesmeni nga Fieri, Ilir Karçini, 44 vjeç, banues në Tiranë u arrestua pranë banesë së tij në rrugën “Mendar Shtylla”, rreth orës 10:30.

Pas shoqërimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë nën masa të forta sigurie, Karçini është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, vendosur në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe akuzën ndaj tij, “Sigurimi i mjeteve materiale dhe kushteve për realizimin e një vrasje”, parashikuar nga kodi penal dhe që dënohet deri në 5-së vjet heqje lirie.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e çështjes Ardian Nezha dhe Behar Dibra, nën mbikëqyrjen e oficere të policisë gjyqësore, Karçini ka mohuar çdo lidhje dhe njohje me shtetasin Julian Sinanaj (i cili pohoi emrin e Karçinit, si porositës për një vrasje të mbetur në tentativë) dhe të penduarit N.Gj.

Karçini në rrëfimin e tij, ndër të tjera ka pranuar se ka pasur disa herë konflikte me biznesmenin nga Durrësi, Pirro Bare, por nuk ka tentuar në asnjë rast eliminimin fizik të tij, përkundrazi ka kërkuar të drejtën e tij në rrugë ligjore.

Nga pohimet e bëra në prokurori mësohet se kanë qenë katër raste kur biznesmeni Bare nuk e ka lejuar kompaninë e Karçinit për të përdorur Porto Romanon për shkarkimin e depozitave me gaz, duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare.

Sakaq, mësohet se e vetmja provë në dispozicion të prokurorisë për implikimin e Ilir Karçinit në një atentat të menduar ndaj biznesmenit Bare është dëshmia e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, i arrestuar në flagrancë nga blutë e Tiranës në tentativë për të ekzekutuar Piro Baren. Ky i fundit në rrëfimin e bërë në prokurori ka theksuar se porositësi për këtë ka qenë Andon Mëhillaj, i shpallur në kërkim. Sinanaj ka treguar se pagesa do të ishte 120 mijë euro dhe se krimi do realizohej më 25 Janar, në zonën e liqenit.

Burime policore kanë konfirmuar, se është gjetur edhe transaksioni bankar i vlerës së deklaruar për ekzekutimin e biznesmenit Bare, prapa të cilës sipas hetimeve të kryera nga uniformat blu fshihet pikërisht Ilir Karçini.

/Objektiv.al/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar