Ardian Vehbiu: Intelektualët të dyzuar mes privilegjeve të pamerituara dhe anti-intelektualizmit populist

Në Intervistën “Start 19+1” vjen studiuesi dhe publicisti i njohur Ardian Vehbiu.  Ahmet Zogun e cilëson si  një monark prej shajaku, por që dinte të dëgjonte këshillat e të tjerëve.  Enver Hoxhën, një mikroborgjez province, që pati kohë dhe fat  ta shndërrojë provincializmin gjirokastrit në paranojë dhe pastaj megalomani. Ndërsa liderët e sotëm i vlerëson

Në Intervistën “Start 19+1” vjen studiuesi dhe publicisti i njohur Ardian Vehbiu.  Ahmet Zogun e cilëson si  një monark prej shajaku, por që dinte të dëgjonte këshillat e të tjerëve.  Enver Hoxhën, një mikroborgjez province, që pati kohë dhe fat  ta shndërrojë provincializmin gjirokastrit në paranojë dhe pastaj megalomani. Ndërsa liderët e sotëm i vlerëson si njerëz të rraskapitur nga meskiniteti i tyre, sidomos etik.

1 -Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Qytetar – që për mua është mënyra e vetme e të qenit patriot në një kohë kur terma si tre të mësipërmit janë konsumuar, qoftë si mburrje qoftë si akuza, në diskursin publik.

2 – Majtas apo djathtas?

Majtas.

3 – Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Kur jam vetëm, dal shëtitje në park. Po të kem mundësi, bisedoj me një njeri të afërt.

4 – Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi kur e keni lexuar?

“Brave New World” e Aldous Huxley-t.

5 – Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Ka humbur besimi i qytetarëve në drejtësinë dhe paanshmërinë e shtetit; ka humbur shpresa e shqiptarëve se shteti shqiptar mund t’u sigurojë klimën dhe sigurinë e mjaftueshme, që këta të gjejnë vetveten dhe lumturinë në jetë.

6 – A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Ka krizë identiteti dhe metastaza të saj, që shprehet në mënyrën më akute si krizë e raporteve midis brezave; dhe në mënyrën më specifike, si krizë e babait – ose e autoritetit.

7 – Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

Decentralizim i pushtetit (federalizëm), kooperativa bujqësore & tregtare, imponim i shërbimit të detyruar civil për të rinjtë, si zëvendësues i shërbimit ushtarak të dikurshëm.

8 – A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Do të veçoja vëllezërit Frashëri.

9 – Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratikë janë liderët e sotshëm politik?

Zogu ishte një zgjatim i përtharë i Perandorisë Osmane, monark prej shajaku, por që dinte të dëgjonte këshillat e të tjerëve; Enver Hoxha ishte një mikroborgjez province, që pati aq kohë dhe fat sa ta shndërrojë provincializmin gjirokastrit në paranojë dhe pastaj megalomani; liderët e sotëm, me aq sa i njoh, janë njerëz të rraskapitur nga meskiniteti i tyre, sidomos etik.

10 – Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Jemi në post-komunizëm, madje më keq; jemi në ujëra të panjohura, ku ende eksperimentojmë me harta lundrimi të vizatuara për anije dhe detra të tjera. Kemi ruajtur vizionin bardhezi, në një botë ku ngjyra është gjithçka.

11 – Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?

Shqiptarët janë popull i kufirit të lyer me magmë mes dy pllakave tektonike, produkt i një çarjeje vigane planetare, gjithnjë me njërën këmbë në Lindje, tjetrën në Perëndim.

12 – Ku ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar evropian?

Qytetari shqiptar ndihet i vetmuar, i nëpërkëmbur dhe i rrezikuar; i rrethuar me joqytetarë ose me njerëz që ia refuzojnë solidaritetin. Qytetarit shqiptar i mbahet goja kur nis të thotë “ne”.

13 – “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Besa ka qenë orvatje e një kulture të pashkruar, si ajo e shqiptarisë mesjetare, për të disiplinuar dhunën e vetvetishme brenda një shoqërie të detyruar t’u bindet rregullave të mbijetesës, jo të jetesës, e aq më pak të bashkëjetesës. Sot shqiptarëve u duhet një lloj tjetër bese – që ka të bëjë me besimin tek Tjetri e që mundëson sa jetën sociale qytetare, aq edhe vetë kapitalizmin, ose të paktën tregun e lirë. Ne rrezikojmë, megjithatë, t’i humbim të dyja llojet e besës, sa kohë që humbim kohë duke adhuruar hijet e tyre, ose simbolet përkatëse.

14 – Tirana, metropol apo fshat urban?

Metropol – por i shqiptarëve. Yni është qytetërim ende rural, me këpucët me baltë, me dyshime për tjetrin dhe pasione materiale të thjeshta; por për këtë nuk e ka fajin Tirana, të cilën duhet ta gjykojmë nga bukuria që arrin të sekretojë megjithatë – dhe këtu s’e kam fjalën për arkitekturën, por për ata pak qytetarë që i ndesh gjithnjë atje.

15 – Çfarë është kombi për ju?

Një kolektiv njerëzish që dëshirojnë të jetojnë së bashku dhe ta shkruajnë hisen e tyre të historisë së përbotshme së bashku; qoftë edhe duke filluar me krijimin e një armiku të përbashkët.

16 – Çfarë është familja për ju?

Dashuri.

17 –  Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?

Kisha e Mesopotamit, në vitet 1980, e shndërruar në magazinë veglash bujqësore. Një lagje në Romë, ku kam pasur një déjà-vu të fortë, ose bindjen se dikur disi kisha kaluar fëmininë atje. Varrezat ilire në Selcë të Poshtme.

18 – A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Shpresoj ta kem ende në të ardhmen; përndryshe, ndoshta çmimin “Gjergj Fishta”, që m’u dha për librin “Shqipja Totalitare” në 2010.

19 – Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Do t’u kisha kushtuar më shumë vëmendje dhe kohë njerëzve të dashur për mua, që sot nuk jetojnë më.

20 – Sipas jush, cili është identikiti i intelektualit të sotëm shqiptar?

Intelektualin e sotëm shqiptar e shoh të dyzuar mes pretendimeve komike për privilegje të pamerituara dhe paralizës përballë anti-intelektualizmit populist.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar