Aksidentohet 12-vjeçari, ndodhet në gjendje koma

0

Aksidenti i një fëmije 12 vjeç në Durrës, i cili ende po lufton me vdekjen në spitalin e këtij qyteti, ngriti dje në këmbë institucionin e Avokatit të Popullit, Prokurorinë, Prefektin dhe deputetë të këtij qarku. S. Mustika u përplas teksa udhëtonte me biçikletë rreth orës 12:00 në aksin “Katër Rrugët” në Shijak. Ai u transportua në urgjencën e Durrësit nga drejtuesi i një mjeti  me targë AA 971 FV, Man Vora, 24 vjeç.

I ati i 12-vjeçarit akuzoi spitalin e Durrësit për mungesën e një ambulance me respirator, e cila do t’i jepte mundësinë të birit të nisej drejt Tiranës. “Fëmijën e kemi sjellë në gjendje kome. Mjekët nuk i kanë dhënë ndihmën e duhur përsa i përket transportimit. Na thanë se nuk ka autoambulancë me respirator. I kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë të na dërgojë një helikopter”, u shpreh i ati i 12-vjeçarit.

Pas një ore konsultë mes mjekëve të Durrësit e neurokirurgëve të Tiranës, drejtori i spitalit, Taulant Baku dha detaje mbi gjendjen e fëmijës dhe akuzat e ngritura nga familjarët.

“Pasi mjekët specialistë janë konsultuar, vendosën që fëmijën ta mbajnë në kushtet e terapisë. Më pas, grupi i mjekëve të specializuar janë konsultuar me neurologët më të mirë të Spitalit Ushtarak nëse ekzistonte mundësia e transportimit për një mjekim më të specializuar. Por, duke u njohur me situatën, ku fëmija kishte marrë dëmtime në kokë, mushkëri, brinjë dhe kolonë, mjekët neurokirurgë rekomanduan të mos e lëvizin, pasi mund të rrezikonte jetën”, tha Baku.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, pasi është njohur me rastin në fjalë dhe pretendimin e familjarëve, ka pohuar se mungesat që ka aktualisht spitali i Durrësit nuk qëndrojnë për rastin në fjalë, duke hedhur poshtë akuzat e tyre.

“Nuk është hera e parë që Spitali i Durrësit monitorohet nga ana jonë. Mjekët na njohën me situatën në fjalë dhe me kushtet që ofron spitali, duke arritur në përfundimin që 12-vjeçarit i është ofruar ndihma e duhur”, tha Totozani

/Laugert Qosja/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here