A mbaroi “Ekipi i Ëndrrave”?

0

Humbja e dhimbshme në Mynih përballë Bajernit vendas e lë Barcelonën me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve. Ekipi i drejtuar nga Tito Vilanova u kap i papërgatitur përballë gjermanëve, të cilët u treguan të pamëshirshëm në gjysmëfinalen e parë duke fituar 4-0.

Mediat spanjolle i kanë kushtuar sot një hapësirë të gjerë humbjes katasrofike të ekipit që pritet të shpallet kampion i La Liga-s këtë sezon. “Marca” gazeta më e madhe sportive në Spanjë, ngre pikëpyetjen e madhe: A u varros “Ekipi i Ëndrrave”?

Të njëjtën humbje, 0-4, si për kujtesë, Barcelona e ka pësuar edhe në finalen e vitit 1994 përballë italianëve të Milanit, në stadiumin “Olimpik” të Athinës. Barça e drejtuar në atë kohë nga holandezi Johan Krojf pësoi një disfatë të rëndë nga ekipi i ndërtuar nga Fabio Kapelo.

Në atë kohë Barça po fitonte për të katërtin vit radhazi kampionatin spanjoll, por ishin kuqezinjtë e Milanit që e goditën thellë në “kockë”. Pas asaj humbje në vitin 1994, për dy-tre vite me radhë Barcelona e Krojfit nuk solli asgjë, derisa presidenti Hoze Luis Nunez u detyrua të shkarkonte holandezin nga drejtimi i skuadrës.

Pas tij, me radhë në stolin e ekipit katalanas erdhën dy trajnerë të njohur, Bobi Robson dhe Luis van Gal. Të arritën të fitonin tituj me këtë ekip, por “Ekipi i Ëndrrave” dukej se ishte shënuar në atë finale të Athinës përballë Milanit.

Në vitin 2008, me ardhjen në krye të Pep Guardiolës ekipi i Barcelonës nisi një cikël të ri, duke u quajtur edhe një herë si “Ekipi i Ëndrrave”. Para se të marrë përgjigje për pyetjen e shtruar më lart, “Marca” shkruan se janë edhe 90 minuta për të shpresuar.

/Jonida Halili/

 

Barcelona Bayern Munich

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here