Të jetosh në karrocë me rrota, Iliri: Nuk është zgjedhja ime

Të jetosh në karrocë me rrota, Iliri: Nuk është zgjedhja ime

Të jetosh ndryshe nga të tjerët do të thotë ta shikosh botën me një sy tjetër. Jo sepse ti ashtu ke dashur, por sepse jeta të ka përballur me këtë realitet. Kështu është rasti i personave me aftësi të kufizuara, të cilët shpesh hasen me probleme të ndryshme. Probleme që variojnë nga pranimi në shoqëri,

Të jetosh ndryshe nga të tjerët do të thotë ta shikosh botën me një sy tjetër. Jo sepse ti ashtu ke dashur, por sepse jeta të ka përballur me këtë realitet. Kështu është rasti i personave me aftësi të kufizuara, të cilët shpesh hasen me probleme të ndryshme. Probleme që variojnë nga pranimi në shoqëri, e te përditshmëria e këtyre personave.

Një prej tyre është edhe Iliri, invalid i cili mjetin e vetëm të lëvizjes ka karrocën me katër rrota. Ne e takuam atë në qendër të Tiranës, ku ai pranoi të jepte një intervistë.

Iliri është një person i cili ka lindur me një problem në këmbë, që i ka shkaktuar humbjen e të ecurit. Në jetën e vrullshme të kryeqytetit, ai nuk nguron të tregojë se si e kalon një ditë të zakonshme.

“Vij çdo ditë këtu për të lypur para. Njerëzit shpesh më ndihmojnë, por ka edhe nga ata që të shikojnë me përbuzje”.

Iliri jeton me prindërit në një banesë me qira, ndërkohë që ka dy vëllezër që jetojnë në Greqi dhe Gjermani.

“Jetoj vetëm me prindërit që janë të sëmurë. Kam dy vëllezër, njëri është në burg në Greqi ndërsa tjetri në Gjermani. Nuk kam kontakte me ta”.

Teksa ne e pyetëm atë nëse ka krijuar një familje të tijën, ai na përgjigjet se nuk ka mundur.

“Nuk kam një bashkëshorte dhe as fëmijë. Jeta më ka përballur me një fatkeqësi që nuk është zgjedhja ime, dhe më është dashur të kujdesem për prindërit”.

Iliri na kërkoi që ta shoqëronin deri te urbani që e çonte në lagjen ku ka shtëpinë. Ai ndau me ne një problem që e ka shoqëruar në disa raste, fenomenin e grabitjes. Iliri shpesh ka rënë preh e grabitjes nga të rinj që sipas tij konsumojnë lëndë narkotike, ndërkohë që denoncimin në polici e shikon si diçka të kotë.

“Kanë ardhur disa herë dhe më kanë vjedhur paratë. Unë mbledh në ditë 2 000 lekë, ata mi marrin se u duhen për të blerë ‘sheqer’! I kam denoncuar, por policët më thonë mos dil vetë merr shoqërues. Unë i njoh ata por nuk i denoncoj më se kam frikë se më vrasin. Më marrin me karrocë dhe më fusin në rrugica të errëta, dhe mbase më godasin atje”.

Teksa po e shoqëronim e pyesim nëse merrte një përkrahje invaliditeti, dhe përse nuk kishte shkuar në një qendër për trajtimin e personave me aftësi të kufizuar?

“Unë marr 135 00 lekë asistencë në muaj. Kanë ardhur për të më marrë në qendrat e përkujdesjes, po nuk kam pranuar. Nuk ndahem dot nga rruga, këtu kam shokët që më flasin, atje s’njoh njëri. Nuk kam shkruar se kam edhe prindërit, nuk ka kush përkujdeset. Këtu mbledh lekë dhe në darkë blej ushqime”.

Ne e pyetëm atë nëse has probleme gjatë lëvizjes në qytet, dhe ai thotë se lëvizja është e vështirë në shumë vende, sidomos në urban.

“Trotuaret janë të ngushta, ndonjëherë edhe me gropa. Ka gurë të vegjël që i prishin gomat e karrocës. Nuk ka rampa, dhe shpesh detyrohem që të shkoj në fund të trotuarit për të hipur mbi të”.

Ai tregon se shpesh i duhet të rrezikojë jetën, duke lëvizur në korsi të automjeteve, për shkak të trotuareve dhe mungesës së rampave. Kjo gjë vërehet edhe në momentin që ne e hipim atë në urban, ku detyrohemi që karrocën e lëvizjes ta ngremë peshë me duar.

Në ‘Planin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025’, në sesionin e Aksesueshmërisë Fizike (3.1.1), citohet se ‘gjatë viteve të fundit aksesueshmëria në mjedise ka pasur përmirësime kryesisht në qytetin e Tiranës, por në shumë raste jo sipas standardeve të kërkuara dhe sigurisht janë akoma të pamjaftueshme. Përfaqësues të përdoruesve të karrigeve me rrota mendojnë që rampat e realizuara janë jashtë standardeve, ndërsa përfaqësues nga komuniteti i personave që nuk shikojnë, mendojnë se edhe nivelimet për ta nuk janë në përputhje me standardet’.

Alban Hoxha

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar