Subjetki i një “Kohesh shtesë” “Kam filluar të jetoj pa fitore e pa humbje”, kështu shprehet në një intervistë autori i romanit “Extra Time”, shkrimtari dhe gazetari Durim Taçi. Një roman i cili lidhet në mënyrë të pashmangshme me sportin. Pikërisht ngaqë në sport, kur asnjë nga skuadrat nuk ia ka dalë të fitojë, e
Subjetki i një “Kohesh shtesë”
“Kam filluar të jetoj pa fitore e pa humbje”, kështu shprehet në një intervistë autori i romanit “Extra Time”, shkrimtari dhe gazetari Durim Taçi. Një roman i cili lidhet në mënyrë të pashmangshme me sportin. Pikërisht ngaqë në sport, kur asnjë nga skuadrat nuk ia ka dalë të fitojë, e për pasojë as nuk ka humbur ende, del në shtesë, në kohë plus, në Extra Time. Pavarësish se kush i del t’i marrë pikët, kjo tashmë nuk është çështje zotësie, por çështje fati. Në këtë formë mund të luhej deri në përjetësi.
Në thelb shtesat vijnë për të baraspeshuar. Kur ishim fëmijë, dhe prindërit na i ndanin gjërat, e njëri prej fëmijëve nuk ishte i kënaqur me ndarjen, atij i hidhnin edhe më, si me thënë ia shtonin gjënë, i jepnin diçka ekstra, pra për t’i sheshuar pretendimet. Po ashtu, edhe kur iknim në dyqan e ishim porositur të merrnim diçka me kile, shitësi pasi vinte gurin në peshore, hidhte edhe më produkt, për të baraspeshuar anët e saj. Kësisoj, si prindi ashtu edhe shitësi përpiqeshin të ishin të drejtë, të saktë, objektivë. Kjo është mënyra se si e kam lexuar romanin “Extra Time”.
Subjekti i romanit është shumë zor i mbamendshëm, por ndjesitë që të kall, janë të paharrueshme lehtë. Megjithatë, romanin ka në qendër (nëse e ka një të tillë) një udhëtim nëpër Francën bregdetare, kur personazhi kryesor ka qenë bashkë me familjen e tij para shtatë vitesh. Kësaj here është i vetëm, pa familjen, por me diçka më të fortë, më këmbëngulëse: kujtimet për të birin e tij i cili ka ndërruar jetë në një aksident me makinë. Këto kujtime e përndjekin, dhe jo vetëm e përndjekin por bëhem pjesë e botës, pjesë e rrëfimit duke gjetur vend pa kurrfarë rendi. Ato hyjnë në rrëfim si thurje, në atë far feje sa vetëm e shtrëngojnë rrëfimin dhe leximin njëkohësisht.
Te poezia “Fuga e vdekjes” Paul Celan, flet për vuajtjen e popullit hebre në gjermaninë naziste dhe teksa nëpërmjet vargjeve tregon për gjithë përjetimet e tyre, kumtin e poezisë çan në mes si pykë, një togfjalësh: “Vdekja është një usta gjerman”. Ky togfjalësh ndërhyn herë pas here aq sa bëhet kryefjala e poezisë. Kësisoj, edhe kujtimet e rrëfimtarit ndërhyjnë në rrëfim shpesh dhe në mënyrë krejt delikate aq sa bëhen kryefjala e këtij romani.
Kemi parë shpesh në letërsi që marrëdhënia atë e bir, ka qenë një marrëdhënie me ide më së shumti të kundërta, konfliktuale, duke pasur parasysh marrëdhënien e Kafkës me të atin.
Subjekti i romanit edhe pse nuk ruan një linjë kronologjike, prek katër rrafshe në mënyrë përshkallëzuese:
- Autori parashtron refleksionet, ndjesitë, dhe pikëpamjet e veta për jetën. Kjo shihet dhe përndjek gjithë tekstin.
- Autori i parashtron vetes dhe lexuesit kujtimet, fragmentet dhe emocionet që lidhen me të birin, Atisin, i cili nuk jeton më.
- Autori paraqet skena dhe ide nga familja e vet e vogël, si dhe nga familja e madhe (me prindërit).
- Autori na kujton ngjarje vendimtare të Shqipërisë në periudhat më delikate të saj: rënia e komizmit dhe kaosi i vitit ’97.
Këto katër rrafshe janë thurja më e madhe e jetës. Pra duke nisur nga ati, biri, familja dhe kombi. Kësisoj nga një njëri ndërtohet tjetri, nga njeriu ndërtohet familja, e nga familjet ngrihen kombet dhe në mënyrë të anasjelltë shuhen. Siç thuren këto rrafshe veprimi të ngjarjeve, ashtu thuren edhe kohët (koha).
Padyshim, pika më kulmore e romanit mbetet aksidenti i Atisit, e gjë cila vjen disa herë në formën e një kujtimi. Nisur edhe nga kultura kinematografike e autorit, të gjitha ngjarjet sikur zhvillohen para një kamere, të cilën regjisori (autori) e lëviz thellë e më thellë sikur të ishin sytë tanë. Këtë formë të treguari të ngjarjeve e kam ndeshur së fundmi të romani me titull “Gërsheti” i shkrimtares franceze Letitia Colombani. Një mënyrë shumë e kursyer rrëfimi, duke na paraqitur më shumë skenar se sa përsiatje.
Regjia e shkrimit
Romani rrëfehet në vetën e dytë, pra me “ti”. Një formë shumë e vështirë rrëfimi. Italo Calvino, te romani “Nëse një natë dimri një udhëtar…”, kapitullin e parë e ka të rrëfyer në vetën e dytë. Aty jam ndeshur për herë të parë me këtë formë të të treguari, e cila ngjan shumë me një mënyrë urdhërore. Calvino të sugjeronte se çfarë të bëje, të uleshe në kolltuk, të thotë shtriq këmbët, etj. Calvino duket sikur i ka mirëmenduar gjërat dhe këtë raport tenton ta krijojë me lexuesin. Ndërsa te romani “Extra Time”, autori këtë raport mëton ta rregullojë me veten. Pra, duke i rrëfyer skenat dhe kujtimet në vetën e dytë, përpiqet t’i distancojë nga vetja. Kësisoj, kuptojmë që veta e parë e rrëfimit është përjetim i ngjarjeve e përjetimi është tërësisht subjektiv. Veta e tretë është vështrim i ngjarjeve. Pra ai, gjendet aty dhe i ka parë gjërat të ndodhin, sërish në mënyrë subjektive. Ndërsa veta e dytë e rrëfimit të vendos në kushte të tjera, sikur ti je krijuesi i këtyre ngjarjeve, e sa herë ato të kujtohen, ti je sërish rikrijuesi i tyre, gjë e cila të duket sikur është shumë larg teje dhe brenda teje njëkohësisht.
T’i drejtohesh vetes me “ti” është shkallë e lartë objektiviteti. Është si me thënë ta qesësh para pasqyre e t’i kërkosh në mos llogari, të të rrëfejë gjëra nga vetja e vet. Është një formë bisede që zhvillohet me veten shumë larg teje.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *