Të qaj 5 minuta për vendin tim?

Korrupsion, vjedhje, vrasje, skandale, tortura, pengmarrje në sy të policëve, pedofili, krim në familje dhe jashtë saj, terma dhe akte monstruoze që janë infektim i shoqërisë  kudo në glob por në Shqipëri pjesë e aktualitetit të përditshëm. Një vend i vogël me pothuajse 1.5 milionë banorë të mbetur ku pjesa dërrmuese janë të moshuar, sepse

Korrupsion, vjedhje, vrasje, skandale, tortura, pengmarrje në sy të policëve, pedofili, krim në familje dhe jashtë saj, terma dhe akte monstruoze që janë infektim i shoqërisë  kudo në glob por në Shqipëri pjesë e aktualitetit të përditshëm.

Një vend i vogël me pothuajse 1.5 milionë banorë të mbetur ku pjesa dërrmuese janë të moshuar, sepse çdo i ri mendon çdo ditë sapo zgjohet se si të largohet nga kjo tokë e vuajtur, ku studentët protestojnë për të drejtat e tyre minimale e në fund quhen ngelësa spse kërkojnë diçka që u përket. Përballemi çdo ditë me skandale nga më të ndryshmet dhe më të padëgjuarat  që si për ironi të fatit siç është edhe shprehja më e madhja zgjat jo më shumë se tre ditë.

Nis nga moshat më të vogla ku para pak muajsh 8 të rinj të moshave 12 deri në 15 vjeç u bënë së bashku dhe përdhunuan moshataren e tyre duke i bërë presion, vazhdon  me njerëzit e thjeshtë ku vrasin njëri-tjetrin për një vend parkimi ose më keq për një të “parë” e përfundon tek ata që kujdesen për mirqënien tonë e që na qeverisin,  të cilët ditë pas dite është e pamundur që të mos përfshihen në një skandal apo në një krim, ku çuditërisht edhe pse me prova ku vërtetohet që janë të përfshirë dalin të pafajshëm e mundësisht të dalin e t’i flasin publikut me mediat e tyre të blera se si figura e tyre është përlyer nga “dashakeqtë”.

Vrasje, atentate të shumta, mosha s’ka rëndësi. Rëndësi të kesh lekë e mik të fortë se jeta  sa një plumb kushton 30 lekë se për ligjin mjafton të kesh mikun se një sy i gjykatësve dhe policëve bëhet qorr. “Sëmundje nga më të ndryshmet nëpër këmbë”, shkaqet  fare të thjeshta të gjenden, e nisim nga ata çka konsumojmë të mbushura me hormone e substanca kancerogjene, të pa kontrolluara nga institucionet përkatëse sepse mjafton një “kafe” dhe një sy bëhet qorr.  Shërbimi mjekësor në vendin tonë, ku privati kushton më lirë se publiku sepse që të hysh në spital duhet të paguhet roja që të të çojë tek infermierja, e kjo e fundit kërkon të paguhet që të bëjë të mundur të të takojë me doktorin,  i cili është gjithmonë i zënë e që të të hedhë sytë e do një “kafe” e në fund do përfundosh duke blerë ilaçe të skaduara tek një farmaci e ndonjë mikut të tij.

Institucione, të cilat paguhen nga ne me taksat tona që të na shërbejnë e të sigurojnë mirëqënien tonë  thuajse nuk egzistojnë shumicën e rasteve, fillojmë nga policia jonë, e cila mbron të fortët e të pasurit ku përmendim rastin e një vajze e cila u keqtrajtua, dhunua fizikisht e moralisht nga djali i një deputeti e policia doli krah  të fortit duke e harruar misionin e saj fisnik: të mbrojë qytetarët e këtij vendi kundër kujdo individi qoftë i pasur a i varfër, qoftë i “fortë” a me shumë miq pushtetarë.

Jemi ne të cilët paguajmë politikanët tonë të na qeverisin ku kemi lidhur një kontratë të na përfaqësojnë denjësisht brenda trojeve apo jashtë tyre por çfarë shpërblimi marrim nga ata? Rrugë të pabëra, vjedhje parash nga buxheti i shtetit, të na mësojnë se si përdoret fjalori banal, të na shaktërrojnë pasuritë natyrore,  të na shesin detin, të tallën me ne?!

Kam disa pyetje për ju të dashur pushtetarë që çdo ditë e më shumë po e çoni në humnerë të pafund këtë vend të bekuar. Po ju pse nuk mendoni për vendin tim e vendin tuaj? Si do t’i përgjigjesh nesër brezit të ardhshëm kur të pyesë se çfarë bëre për vendin tënd? Ti që e konsideron veten shqiptar, me ty e kam.

Jemi në një gjendje ku tanimë edhe rastet kur politikanët tanë akuzohen nga vendet e tjera për lidhje me drogën a me krimin nuk na bëjnë më përshtypje se fjala “drogë” është bërë tashmë pjesë e pandarë e jona. Droga tregtohet nëpër shkolla e në rrugë cepat janë mbushur me grupe të rinjsh duke tymosur hashash. Statistika shokuese të atyre që marrin lëndë narkotike, një numër shumë i madh e pjesa më e madhe e moshave 18-20 vjeç. Jemi të infektuar nga drogërat, propaganda e disa mediave ku mbrojnë ineresat e atyre që paguajnë e fatkeqësisht misioni dinjitoz i pasqyrimit të së vërtetës që çdo ditë e më shumë ka filluar të vyshket, duke i lënë vënd “fake news”-it të dalë mbi të vërtetën.

Më vjen për të qarë për ty o vendi im sepse shumë njerëz kanë derdhur gjak për ty e pasardhësit e tyre po e shesin gjakun tënd. Luftuan për fjalën e lirë e tashmë është më e cënuar sa ç’ishte,  luftuan ta zgjerojnë kufirin e tashmë po e shesim për një grusht me lekë që do përdoren për të plotësuar nevojat e luksit të familjeve të pushtetarëve tonë.

Në vargjet e himnit më bën përshtypje pjesa: “ Por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne”. Këto fjalë aq të fuqishme më bëjnë të mendoj… A thua vallë ta shikonte Asdreni të ardhmen do t’i shkruante këto vargje?!  A thua të parët tanë do i dilnin përsëri plumbit para ta shikonin gjendjen në të cilën ndodhemi?! A thua Skëndërbeu, ai hero fisnik që edhe pse i rritur jashtë Shqipërisë s’e harroi kurrë vendin e tij e për të cilin sakrifikoi e vuajti aq shumë, çfarë do të thoshte vallë ta shikonte tani?!  Një pyetje kam në kokën time që shumë  jam kurioz ta di përgjigjen,  A do kishin fytyrë vallë pushtetarët tonë t’u dilnin përpara atyre që kanë dhënë jetën për Shqipërinë?

A do kishim ne fytyrë t’u dilnim para atyre heronjve fisnikë , ne që i lejojmë këta “‘të pangopurit” të bëjnë ç’të duan me këtë vend, të tallen, të betohen për detyrën e shenjtë që do ta bëjnë me dinjitet  e të nesërmen t’ia delegojnë tjetërkujt; tjetri të vrasë 4 vetë në trotuar, tjetri të vjedhë fondet e rrugëve, tjetri të shkelë Kushtetutën, tjetri të akuzohet që ka lidhje me krimin e para kësaj akuze vetëm hesht e tjetri të kërkojë favore seksuale.

Cila do të ishte përgjigja e pushtetarëve tanë, të cilët e coptuan këtë vend dhe po i bëjnë njerëzit që ta urrejnë në qoftë se do të pyeteshin nga paraardhësit tanë se çfarë kanë ata për të thënë për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendemi.

Por diçka ta dinë të gjithë ata që i bëjnë dëme këtij vendi: toka mundet të digjet prush por shpirtin e lirë s’e prek dot askush.

A.C

ReplyForward
objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar