RAHIM OMBASHI Reportazh nga Viena dhe Bratislava Biletat me çmim të lirë i kishim rezervuar qysh në maj, por një email me agjencinë e fluturimit në datën 22 korrik 2019, e hënë, na siguroi që gjithçka ishte gati; ndërkohë Genti vijoi të merrte mendime për hartimin e planit të vizitës studimore. Detyra e sekretarit
RAHIM OMBASHI
Reportazh nga Viena dhe Bratislava
Biletat me çmim të lirë i kishim rezervuar qysh në maj, por një email me agjencinë e fluturimit në datën 22 korrik 2019, e hënë, na siguroi që gjithçka ishte gati; ndërkohë Genti vijoi të merrte mendime për hartimin e planit të vizitës studimore. Detyra e sekretarit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë e detyron të fluturojë shpesh, ka qenë edhe në Vienë disa herë, por nuk kënaqet me projektin, kërkon ta plotësojë, do të nderohet me Presidentin e fondacionit “H. Ali Korça”, Skënder Bruçaj dhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane, Rahim Ombashi, sepse grupi do të kishte edhe takime zyrtare. E sigurova që rendi i ditëve ishte i plotë, duke shtuar se edhe mund ta përshtatnim, sipas rrethanave.
Grupi me studentë të departamentit të Shkencave Islame për programet e studimit “Bachelor” dhe “Master i shkencave” si dhe pedagogë të Kolegjit Universitar “Bedër”, fluturoi mëngjesin e së martës nga Ohri dhe mbërriti në Vienë pas rreth 1 ore e 30 minutash, në kuadrin e një udhëtimi studimor si pjesë e shkollës së verës, pothuajse në të njëjtën kohë me lajmin e bujshëm se shkencëtarët spanjollë prodhuan kimerin (greqishte e vjetër, kimere) njeri-majmun në Kinë. Kimere si fjalë vjen nga mitologjia greke që përshkruan qenie monstuoze me pjesë dragoi, dhie dhe luani. Hibridet (kimeret) e sotme janë organizma që përmbajnë qeliza nga dy specie të ndryshme.
Menjëherë filloi zbatimi i programit të vizitës që do të realizohej me detaje nga hartuesi, Dr. Genti Kruja, përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame. Udhëtimi studimor u mundësua prej mbështetjes së ambasadës austriake në Tiranë.
Moti i nxehtë, duke shënuar gjatë ditës temperatura të njëjta me ato të Tiranës, gjë e veçantë për kryeqytetin austriak që ndodhet rreth 1000 km në veri të Shqipërisë, nuk e shqetësoi përgjegjësin, i cili ka përvojë për organizime të tilla. Para se të dilnim nga aeroporti, shpejtoi të blejë bileta transporti ditore te shitorja elektronike, që siguronin lëvizjen me të gjitha mjetet brenda qytetit për një ditë. Si ndërruam disa stacione metroje, u takuam me mikpritësin dhe pas një mëngjesi të shijshëm filloi papra vizita e programuar. Rrugët e pastra ishin të tejmbushura me turistë, që binin në sy nga aparatet fotografike apo celularët që mbanin në duar. Qendra e qytetit u shfaq për grupin nga Tirana, porsa dolëm nga metroja dhe vizita e parë do të kryhej në mjediset e Katedrales befasuese të Stefandomit(Shën Stefanit) që zinte vendin kryesor në sheshin qendror të qytetit me po të njëjtin emër. Besimtarët kryenin ritet fetare bashkë me vizitorët e shumtë. Kaluam “Portën e gjigantëve”, si e quajnë hyrjen kryesore të kësaj kryevepre gotike, poshtë së cilës ndodhet kripti gjithnjë i çelur e misterioz, çka ia shton kuriozitetin gjithkujt. E kisha vizituar më herët katedralen e plot legjendave, përfshi atë se pse kulla veriore mbeti e pambaruar, edhe disa nga anëtarët e grupit e kishin vizituar ndërtesën e famshme, të tjerët për herë të parë merrnin emocione të pashlyeshme, por për të gjithë ishte befasim një foto e Nënë Terezës, vendosur në kornizë, që të uronte mirëseardhjen me atë buzëqeshjen e ngrirë, duke mos iu dorëzuar asnjëherë dhembjeve të pafund, që ia shkaktonte mjerimi njerëzor.
Para se të niseshim, kisha mbledhur të dhëna për Vienën, madje kujtova një bisedë të hershme me poetin Koçi Petriti, që dikush i kishte rrëfyer se në zbukurimet e jashtme të disa prej godinave më përfaqësuese të stilit barok, kishte diçka nga forma dhe koloriti i veshjeve voskopojare, sepse dihet që jo pak banorë të qytetit me akademi emigruan në Vienë, pas prishjes së parë të qytetit dhe ndoshta ndonjë prej tyre arriti të bëhej arkitekt.
Viena më sjell ndërmend vend-vdekjen e aktorit me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, por që u varros në Zvicër, ndonëse në teatrot e atij qyteti kishte arritur të tërhiqte vëmendjen deri dhe të Franc Kafkës, i cili ka lënë vlerësimin: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit.” Lavdia e Moisiut artist arriti majat para Luftës I Botërore, por ai kërkoi shtetësinë shqiptare në prag të vdekjes në vitin 1935, që shteti shqiptar nuk ia pranoi, ndërsa Italia ia dha me të shpejtë (nga nëna arbëreshe). Gruaja e tij Maria ishte vieneze dhe dihet që ka lënë pasardhës të suksesshëm, për të cilët dimë edhe më pak sesa mbi çudinë e mosdhënies së shtetësisë birit të kavajsit.
Nga sheshi qëndror grupi kaloi në rrugët e gjera drejt jugut të qytetit, ku binin në sy ndërtesa të mirëmbajtura kryesisht të stilit barok, katet e para të të cilave ishin me dyqane. Një violinist po bëhej gati të jepte koncert në shesh dhe heshtja po mbulonte gjithçka përreth. Koha shkonte pa e kuptuar, sepse të tërhiqte larushia arkitekturore, monumentet e shumta që dëshmonin të kaluarën perandorake, të cilës i kemi borxh mbështetjen për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, njerëzit e latuar në mermer apo granit, por dhe barelieve, buste, monumente të figurave të artit, të historisë, muzikës, shkencës. Si pa dashur u ndodhëm buzë një prej degëve të Danubit, që i kalon mespërmes qytetit të lashtë e modern njëkohësisht. Njerëzit me të cilët shkëmbeheshim ishin të racave dhe ngjyrave të ndryshme, por nuk ishin më të pakta edhe gjuhët që përdoreshin. Deri dhe reklamat ishin me alfabete të shumta, duke dëshmuar se Viena është një qytet multikulturor, ku bashkëjetojnë qytetërimet. Binin në sy kishat madhështore, tek-tuk sinagogat, por në Vienë ka dhe dhjetëra xhami, mes tyre vetëm njëra me minare e ndërtuar në vitet 70’ të shekullit që lamë pas. Ishte vetëm fillimi, ndaj mikpritësit shpejtuan të na strehonin në mjedise universitare. Banorët apo vizitorët thyenin etjen në lokalet e shumta buzë rrugëve, por edhe në çezma të rrugëve, që shoqëroheshin me ajër të mbufatur me avuj të freskët uji. Vienezët krenohen me ujin e pijshëm që furnizohen, nga rubinetat, sepse nuk ka klor.
Mëngjesin e hëngrëm në apartamentin ku u strehuam dhe pasi u takuam me grupin e vajzave, që ishte strehuar shumë pranë me ne, u nisëm për vizitë në Qendrën Ndërkombëtare të OKB-së në Vienë (VIC), që ndodhej në pjesën veriore të qytetit, i cili shtrihej në anën veriore të Danubit.
Grupi i Bedërit u plotësua me vizitorë të tjerë, sepse numri minimal ishte 20. Vizita të mbushte me krenari që je pjesë e kulturës e cila beson te e ardhmja më e mirë, më e sigurt, më e paqtë. Flamuri i dytë ishte ai i Shqipërisë, që valvitej me dinjitet në hollin mes ndërtesave gjigante të projektuara nga një arkitekt austriak, i cili kishte fituar konkursin ndërkombëtar. Eksponatet ishin nga më të lashtat (një fragment i kodit të Hamurabit i gdhendur në një punim prej balte në përmasat e një trupi njeriu) e deri te ato digjitale, që dëshmonin ndihmesën në ruajtjen e paqes, mjedisit, kulturës, shëndetit, të kujdesit ndaj rrezatimeve atomike, të eksplorimit të hapësirës e deri zbritjen e parë në hënë të Gagarinit.
Ciceroni biond rreth 40-vjeçar vijonte shpjegimin plot pasion, ndërkohë që ora 12 e ftonte personelin e shumtë për pushimin e drekës. Midis ndërtesave të qendrës ishte krijuar një kopsht i vërtetë natyror, ku filluan të uleshin disa syresh. Dy prej punonjëseve që kaluan aty pari, po komunikonin në gjuhën shqipe. Nuk mund të ndërprisja folësin e përkushtuar, që t’u tregoja se shumica e grupit ishte me shqiptarë, madje dhe me vajza dhe që ato i motivonin për arritje.
E vura re që Genti diçka lexonte te celulari, diçka hiqte, sepse të nesërmen do të realizohej vizita e rëndësishme zyrtare në Ministrinë Federale për Punët e Jashtme dhe Integrimin Evropian të Austrisë. Në mjediset e institucionit të rëndësishëm hymë me lehtësinë që mbërrijmë në Kolegjin tonë Universitar, ku vizitorët u pritën nga zv/Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Kulturore, Ambasador, Dr. Markus Bergmann dhe Mag. Maximilian Hamerle. Mes atmosferës që krijuan pijet e ftohta joalkoolike dhe ëmbëlsirat, guxova t’u rikujtoja mikpritësve bujarë se Mbreti Zogu I ka qenë i dashuruar me Vienën, ndaj duket, u divorcua me të fejuarën e parë për t’u martuar me konteshën Geraldina Apponyji de Nagy-Appony, që kishte lindur në Gjenevë, por që ndërroi jetë dhe prehet në Tiranë. Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, nofkë që i shkonte së tepërmi, mbaroi në Vienë Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare, ndaj nuk na duket pa lidhje që dha ndihmesën e vet në çeljen e Radio – Tiranës më 28 nëntor 1938, përurimin e së cilës e bëri vetë Mbreti. Gjeneva më kujton dhe vend-vrasjen e Sisit, Perandoreshës Elisabeth të Austrisë dhe Mbretëreshës së Hungarisë, eshtrat e së cilës prehen në një kript të Vienës. Në një nga shkrimet e veta elegante Sisi kishte pranuar se gjatë gjithë jetës pati mike vetëm vdekjen, metaforë, më duket se iu shkon të dyja Zonjave të Mëdha.
Roja me veshje civile i ndërtesës qeveritare ishte lajmëruar, ndaj dy-tri minuta para orës 10 na drejtoi te ashensori që na hipi në katin, ku do të zhvillohej takimi. Po ajo ndërtesë ku Ismail Qemali mori mbështetjen për t’u nisur drejt Durrësit, ku do të shpallej pavarësia politike e Atdheut?! Këtu shteti ka zënë vend dhe nuk ka më përmbysje, zhvendosje institucionesh, por konsolidim, progres.
Biseda ishte miqësore, ata ishin të mirëinformuar prej ambasadës së tyre në Tiranë, por Presidenti Bruçaj i siguroi që vëllazërimi ndërfetar në Shqipëri vijon të ketë ndikim shumë të rëndësishëm për vendin dhe më gjerë. Prandaj fondacioni që ai drejtonte, po shton bursat e ekselencës, ato sociale dhe të talenteve për studentët, që do t’i shtonin vlera të tjera vendit të tyre. Si pa dashur përmblodha thënien e Sokratit që besonte se nuk mund të ndaheshin njerëzit në të mirë dhe jo të tillë, por në të ditur dhe të paditur.
Afër me ndërtesat hijerënda qeveritare, ishin shitoret e biletave për koncerte muzikore, por vlera ishte shumë e shtrenjtë për ne, edhe pse disa shitës shqiptarë na ofruan ulje çmimi. Vizita vijoi në Hollin e Bibliotekës Kombëtare, me eksponate origjinale të manuskripteve dhe botimeve të para, hartave të lashta. Holli i mrekullueshëm me portik është pak t’i thuash i bukur, ishte madhështor duke dëshmuar shenjtërimin e dijes, që është para së gjithash dashuri.
Të nesërmen dita nisi me vizitën në Muzeun e Natyrës. Edhe atje pati surpriza që në hyrje. Nuk paguan biletë Dr. Kruja dhe dekani Ombashi, si dhe dy pjesëtarët e grupit nën 19 vjeç. Hollet me portikë të mrekullueshëm të shërbenin për të kaluar në sallat pa fund. Salla e parë filllonte nga gurët, mineralet, metalet për të kaluar te hollet e tjera me qeniet e gjalla. Me mikroskop mund të shihje unaza me diamante apo brilantë shumëngjyrësh, që u përkisnin individëve të shquar.
Parketi prej bredhi natyral është krenari e Austrisë. Tek-tuk kishte stola ku mund të uleshe për t’u çlodhur dhe përsiatur. Në fund, pas hollit ku ishin mostra majmunësh të shumëllojshëm, u ulëm në një mjedis kabineti mësimor, ku zhvillohen diskutime shkencore. Pranë kisha Mehmetin, që sapo përfundoi programin e studimit Shkenca Moderne Islame, në nivelin “Master i shkencave”.
– Asnjë qenie hibride nuk paska në natyrë, por që tani rreken t’i prodhojnë, pasi i ka krijuar imagjinata mitike, – i them. Njeriu i lashtë dokumentohet qysh me fillimet, rreth 100. 000 vjet më parë, me evolucionin e vet human, por askund muzeu gjigant plot fosile, mostra, eksponate origjinale nuk ekspozoi qenie hibride (me qeliza të përziera). – Përsosmëria e krijimit prej “Zotit të botëve”, këtë na e përplotësoi me fakte shkencore, – ma ktheu studiuesi i ri i Shkencave Islame. “Çfarë gjykimi i urtë!”, -më shkoi në mendje.
Tashmë është pranuar një koncensus shkencor sipas të cilit substancat biokimike komplekse, të cilat përbëjnë jetën, u formuan nga reaksione kimike në vetvete më të thjeshta, por nuk sqarohet sesi ka ndodhur gjithçka. Edhe lidhur me stadet e hershme të evolucionit të jetës biologjike si dhe për strukturën e objekteve të para jetësore, për identitetin dhe natyrën e ndonjë paraardhësi të përbashkët universal, apo një grup paraardhësish gjenetikë, nuk ka informacione shkencore garante. Për këtë Xhorxhina, tashmë asistente e departamentit të Shkencave Islame, por dhe besimtare myslimane praktikante, gjykon se muze si ky ndihmojnë të bindesh te mbinatyrshmëria e Krijuesit, i Cili i besoi aq shumë njeriut.
Bileta javore e transportit qytetas ndihmoi të arrinim shpejt në Universitetin e Vienës, me holle të shumta e të rehatshme, ku të shoqëronin buste të vendosura në piedestale mermeri figura të shqura, mes të cilëve veçuam Karl Popper, Zigmund Frojd (profesorëve të tjerë me buste apo që i kishin emrat e gdhendur në mermer as që ua kisha dëgjuar emrin) etj. U futëm në bibliotekë, ishte mahnitëse e megjithatë këtu nuk paguam.
Kishim ecur mjaft. Anëtari më i ri i grupit kishte programin i cili maste kilometrat që bënim dhe nuk ishin pak. Një kafe për t’u çlodhur te “Bari Ajshtajn”, lokali që frekuentohej nga zbuluesi i teorisë së relativitetit, ebreu që përflitet se mori në Tiranë pasaportë false për t’i shpëtuar persekutimit. Një kujtim i ngrohtë, foto, piktura të tij, ndonëse kishte bare edhe me emrin e Frojdit, lokale me emrat e muzikantëve të mëdhenj etj.
Muzeu i bimëve që rriten në Austri ishte joshës, por pranë me të ishte Muzeu i Torturës. Aty nuk hymë, jo për çmimin, ndonëse dy-tre nga studentët guxuan e hynë në hollin e tij, por u ribashkuan me grupin shpejt. Nuk pyeta se pse u kthyen dhe vijuam rrugën. Në një sheshqëndrim po zhvillohej një koncert muzikor nga një grup të rinjsh.
Vapë e paparë për këtë qytet në mes të Evropës, ndaj duhej një gotë ujë i freskët, një akullore apo diçka freskuese na drejtoi te një pasticeri italiane. Pagoi Genti, i cili kthehet me të shpejtë te arka e lokalit. E ndoqa me kujdes sepse nuk e kuptova çfarë ndodhi. Kur doli, pronari vijonte ta falenderonte në italisht (gjithsecili kur emocionohet përdor gjuhën e djepit). Ai iu bashkua grupit, ndërkohë që ende e përshëndeste pronari i pasticerisë. Një nga studentët më sqaroi se prof. Genti i ktheu pasticierit jo pak, por 35 euro. “Nuk mund t’i mbetem borxh asnjë njeriu, por edhe këtij qyteti të vlerave”, m’u përgjigj, kur e pyeta se ç’ngjau.
Zotëri Kruja ka studiuar në Stamboll, por lindur e rritur në Shkodër, qytetit të Rozafës ilire, dhe që u ka bërë vend dhe e mbron trashëgiminë austro-hungareze, pas asaj veneciane dhe osmane. Është biri i ekonomistit të zotë që e kishte vëllain të arratisur në Spanjë dhe që me siguri e ka njohur ekonomistin nga halli Zef Zorba, prej të cilit m’u kujtuan vargjet nga poezia “Në kërkim të fjalës së pathënë”: “O jetë!” / Edhe në zgrip,/ Shtegëtarët e tu,/ Gjithnjë të dashurojnë.”/ te pasthënia e Zef Zorbës nga libri “Buzë të ngrira në gaz”, që u botua në Shkodër më 1994, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Shembuj si ky më përforcojnë idenë se bota metafizike e munguar aq fort në kulturën tonë kombëtare, por jo te shkodranët, nuk e pranoi asnjëherë materien si primare, por atë të ndërgjegjes, edhe duke sakrifikuar.
Një vizitë buzë Danubit jo vetëm na freskoi, por na kujtoi që “Valët e Danubit” e Shtrausit, luheshin nga orkestra e Vienës çdo fillim viti, në Teatrin e Operas, që ishte një godinë solide sa një bllok ndërtesash në qytetet tona të vogla.
Vapën e paparë për vienezët, të vegjëlit e shuanin në mënyra të ndryshme. Te një shatërvan në qendër të qytetit, buzë obeliskut kushtuar Ushtrisë së Kuqe që çliroi qytetin në pragfund të Luftës II Botërore, me kushtime në rusisht, madje me një vlerësim të Stalinit, fëmijët futeshin në ujin e pastër që në ndërkohë formonte ylberin atje ku stërkalat imtësosheshin. Prindërit i linin të lirë, sepse uji ishte i pastër.
Ktheheshim vonë në mjediset tona, por asnjë nga pjesëtarët nuk dëgjova të ankohej. Të nesërmen grupi vizitoi Qendrën Islame të Vienës, ku ndodhet xhamia e vetme me minare në këtë shtet. Interes paraqet vizita në Selinë e Bashkësisë Islame të Austrisë, ku u pritëm nga kreu i institucionit, Z. Umit Vural dhe personeli i tij. Zotëri Bruçaj pasi e informoi mikpritësin për Bedërin e çelur nga KMSH-ja në vitin 2011, e ftoi atë për bashkëpunime të mundshme dhe veprimtari të përbashkëta.
Një befasim ishte takimi në Qendrën Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar dhe Ndërkombëtar (KAICIID). Zonja Andrea Pfanzelter dhe shoqëruesit e saj shprehën dëshirën për bashkëpunime institucionale, trajnime të personelit akademik dhe studentëve, por dhe për konferenca shkencore dhe veprimtari të përbashkëta. Institucioni i rëndësishëm ngritur me ndihmesën e Mbretit të Arabisë Saudite, Mbretit të Spanjës, qeverisë së Austrisë dhe me këshilltarë të Vatikanit mësoi për traditën shqiptare në këtë fushë dhe për rolin e saj në të ardhmen.
Nga ana tjetër, takimi i realizuar në Komunitetin Shqiptar pranë Bashkësië Islame të Austrisë, veç anës zyrtare pati dhe ngrohtësinë e ofruar nga bashkëkombasit, që e drejtonin institucionin, nënkryetari Usam ef. Alimi dhe kryeimami Ylli ef. Buraniqi, të cilët shprehën dëshirën për të binjakëzuar disa xhami të Vienës dhe Austrisë me xhami që do t’i caktojë KMSH-ja.
Parashikimi i motit për të dielë ishte për kohë me shi të imët deri të plotë për Vienën dhe Bratislavën, kryeqytetin e Sllovakisë, që ndodhet rreth 70 km në lindje të kryeqytetit austriak, apo rreth 1 orë me trenin që përshkonte fushat pa fund, të cilat gjelbëronin nga të mbjellat që ujiteshin me sistem nëntokësor apo tek-tuk nga kodrat e veshura me pemë. Pas vizitës në kështjellën e lashtë, nga e cila shijohej gjithë qyteti, zbritëm drejt qendrës së lashtë dhe nuk kishim si ta linim pa parë një nga skulpturat e veçanta kushtuar punëtorit që dilte nga puseta. Në sheshin qëndror jepej koncert në mes të ditës nga një grup sllovak, që tërhoqi vëmendjen e vizitorëve, veçmas me ritmet e përcjella me pasion nga orkestrantët dhe solistët. Pak më poshtë sheshit ndodhej një obelisk metalik kushtuar viktimave të holokaustit, që ishte dëmtuar ditët e fundit, ndonëse pranë kishave gotike ndodhej një sinagogë, madje dhe një mesxhid mysliman. Pjesa e re dhe zona industriale e qytetit ndodhej në veri, mbi Danubin që e ndante qytetin në dy pjesë. Para se të ktheheshim, pasi shijuam një kafe e pas saj drekën në një restorant iranian, hymë në një qendër të madhe tregtare, që i afrohej TEG-ut të Tiranës, ndonëse nuk e arrinte dot për nga pozicioni i ndërtimit, arkitektura fine e deri te llojshmëria dhe cilësia e asortimenteve që tregton. Edhe moti u tregua miqësor, sepse retë u larguan pak nga pak dhe u kthye dielli, që sfidoi parashikimin. Në kthim nga Bratislava, Viena flinte nën drita pa fund.
Dita e fundit e qëndrimit vijoi me vizita në qendra muzeale dhe kulturore, dikush diçka bleu për dhuratë, ndonëse bileta e lirë nuk lejonte të merrje më tepër se madhësia standard e çantës. E megjithatë na zuri malli për një kafe në Tiranë, që nuk krahasohej me atë që shijuam te stacioni i trenit në Bratislavë, apo dhe në restorantet luksoze të Vienës.
– Bukur, begati, kulturë, art, njerëzillëk, – më kumtoi Kryeziu, studente e kursit II te departamenti i Shkencave Islame, programi i studimit “Bachelor”, – por më tepër se kaq do të mërzitesha. Më mungon familja, universiteti, shoqëria. Përvoja e fituar, ajo ndryshja më bën ta dua më fort vendlindjen me diell e ngrohtësi.
Fluturimi të nesërmen ishte sërish paradite, ndërsa lamë atje larg portretin e shenjtores Terezë me buzën e ngrirë në gaz.
*Autori është Dekan i Fakultetit te Shkencave Humane – Universiteti Bedër
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *