Gjashtë elementët që mund t’i shërbejnë Ermal Mamaqit për “autokritikë”

Nga Alban Tufa Kritika e kulturës apo e artit në vendin tonë, tash e parë, është një fushë e ve, jetime dhe fillikate në mesin e show-eve politike, thashethash-eve të showbiz-it, reklamave dhe fasadës, si edhe një mal fushash të tjera, gjithnjë e më mbrapsht, gjithnjë e më shkatërruese për identitetin, vetëdijen dhe realitetin tonë.

Nga Alban Tufa

Kritika e kulturës apo e artit në vendin tonë, tash e parë, është një fushë e ve, jetime dhe fillikate në mesin e show-eve politike, thashethash-eve të showbiz-it, reklamave dhe fasadës, si edhe një mal fushash të tjera, gjithnjë e më mbrapsht, gjithnjë e më shkatërruese për identitetin, vetëdijen dhe realitetin tonë.

Kritika na e ka rrahur veshin më së shumti si “autokritik”, “je shumë kritikues”, “i pranoj kritikat”, “mos më kritiko”, “kritikuesit e qeverisë”, etj. dhe gjithnjë e më pak si kritikë mbi kulturën, sepse ne veç lavdërojmë deri në butafori.

Kritika e artit lidhet drejtpërdrejt më estetikën dhe me kritikën mbi bazë të tipareve artistike e estetike (jo në kuptimin modern alla shqiptarçe, për lyerjen, ngjyerjen dhe fryrjen e trupit, por në kuptimin e lyerjes, ngjyerjes dhe fryrjes së intelektit nëpërmjet artit).

Kështu, do të marrim në trajtesë (pa ndofarë pretendimi, krejt modestisht, duke parë që askush nuk po merr mundin të shkruajë diç për kulturën dhe kapitullimin e saj në tokën amë), një ndër filmat që ka zaptuar kinematë, reklamat outdor të stacioneve të autobuzëve, si dhe celularët dhe laptopët tanë: “Dy gisht mjaltë”.

Sigurisht që unë e pashë filmin dhe të jem i sinqertë, mezi e bitisa, pasi këtë periudhë po harxhoj kohë mbi filma. Gjithsesi, duke njohur tashmë profilin e Ermal Mamaqit (të viteve të fundit) nuk e pata fort epër kurbën e pritshmërive.

Para se të fillojmë më poshtë, propozoj ta quajmë art filmin për të cilin po flasim dhe fill ata që nuk bien dakord, sugjeroj të mos lexojnë më poshtë.

Filozofi dhe esteti polak Vladislav Tatarkieviç (Władysław Tatarkiewicz), kur përkufizonte artin si formë e të shprehurit estetik, na njohu me gjashtë tipare, mbi të cilat do flasim më poshtë.

Tipari i parë që ai rendit është “riprodhimi i realitetit”, duke na shpjeguar se arti ka funksion të riprodhojë realitetin qoftë me ngjarje fiksionale, qoftë me ngjarje të ndodhura tashmë, ku në të cilat shikuesi të gjejë pak nga vetja e vet: realitetin.

Por kur sheh filmin, deri në fund është një ndërtim i realitetit politiko-mediatik. Të gjitha pamjet janë të xhiruara në ato vende ku qeveria na i shet si arritje.

Kjo mund të jetë bërë për dy arsye: a) ose ka dorë nga zyrat e komunikimit të institucioneve qeverisëse, dhe b) thjesht nuk ka vend tjetër të bukur dhe të pastër në Tiranë.

Kështu, filmi ka një disonancë në lidhje me realitetin, pikërisht me Tiranën jashtë bulevardit. Po ashtu, edhe skenat e tejzgjatura deri në bajatje (skenat me gratë e lagjes), të cilat nuk përputhen askund me realitetin që ne jetojmë.

Tipari dytë është “krijimi i formave”. Nuk rezulton ndonjë risi në formë, as në përmbajtjen që filmi ka, përveç mbingarkesës deri në çorodi të audiencës.

Filmi ka të njëjtën formë që kanë skeçet e Ermalit në emisionin e tij: shtirje, farsë dhe rrënim, rënie here pas here të skenarit, personazheve dhe aktorëve (përjashto Marjana Kondin dhe Koço Devolen dhe disa të tjerë).

Tipari i tretë që Tatarkieviç na paraqet, “shprehja e përvojave estetike”, të cilat duhej të gjendeshin në çdo element: skenar, regji, audio, fotografi, kostumografi dhe në harmoninë e këtyre elementëve që përbëjnë në barazim tërësinë e veprës estetike, për ironi, nuk gjenden askund. Ironi sepse në një vepër artistike (film) nuk gjenden dot elementë estetikë.

Për “kënaqësinë” si element i katërt për ekzistencën e një vepre arti nuk kemi ç’të themi shumë.

Sigurisht që një pjesë e mirë e shqiptarëve e kanë shijuar, ama me të njëjtën kënaqësi siç u ka shijuar kaherë emisioni i Ermalit, bash si një sufllaqe me ketchup dhe mustardë: sigurisht që ka alamet shijeje, por nuk është shije e re e aq më pak shije e dobishme për trupin; në këtë rast: mendjen dhe shqisat e perceptimit estetik.

Elementi i pestë, sipas estetit polak, renditet “emocioni”. Emocioni nuk nënkupton veç të qarët me lotë nga një dashuri e ndaluar, as rënien brinjësh së qeshuri (gjë që as këtë ta provokon), por sigurisht ta tërheqë shikuesin në një gjendje tjetër, ta përfshijë atë në harmoninë që elementët e veprës krijojnë, pse jo edhe ta ndryshojë perceptimin e gjërave pasi të jetë njohur me veprën fizike dhe konceptuale.

Ndërsa elementi përmbyllës është shock-u. Pasi e përfundon së pari filmin, sigurisht që pëson shock, madje të rëndë.

Ky shock të vjen nga disa kënde: a) dyshimi se mos ngjarjet zhvillohen në një vend europian; b) si mund një tru shqiptari të mbajë në kokë kaq shumë reklama; c) nuk paska në vendin tonë një skenarist që të shkruajë diçka për të qenë; d) ku e katandisëm kulturën dhe publikun. Por kurrsesi atë shock që na sugjeron Tatarkieviç.

Kam bindjen se vetëm gjashtë tiparet e artit nga Vladislav Tatarkieviç mjaftojnë për të patur një ide mbi filmin kinematografik më të suksesshëm të momentit në vendin tonë, duke na kursyer kohë dhe autorë të tjerë.

Në këtë pikë ku jemi, do të thoja se mjafton që Ermalin ta kesh parë ose në emisionin e tij, ose në filmin “Femrat” (mund të jetë më dobët).

Ndërkohë, derisa Qendra Kinematografike jonë të zgjohet dhe Ministria e Kulturës sonë të zbresë nga kronikat e PR dhe të bëjë diçka të mirë në vendin tonë, le të shohim filma të huaj dhe të lexojmë libra.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar