Bilanc “lufte” në Shkodër pas ndeshjes Vllaznia-Tirana. Afro 20 tifozë të Vllaznisë dhe Tiranës janë dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të Shkodrës. Me të çara në kokë, plagë në trup e disa të tjerë të goditur me armë të ftohta si thika apo të qëlluar me shkopinj e gurë, të fashitur e të larë
Bilanc “lufte” në Shkodër pas ndeshjes Vllaznia-Tirana. Afro 20 tifozë të Vllaznisë dhe Tiranës janë dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të Shkodrës. Me të çara në kokë, plagë në trup e disa të tjerë të goditur me armë të ftohta si thika apo të qëlluar me shkopinj e gurë, të fashitur e të larë me gjak kanë mbërritur në urgjencën e spitalit. Infermierët dhe mjekët e turnit kanë vepruar me shpejtësi, në mënyrë që të mos kishte pasoja dhe dëmtimet të ishin sa më të lehta. Në urgjencë nuk kanë qenë vetëm tifozë, por edhe katër policë, të cilët janë gjakosur në pjesë të ndryshme të trupit. Bëhet fjalë për Pjetër Bungaja, Tahir Lekndreu, Agim Lohja dhe Gjergj Dodani. Më rëndë nga të gjithë ishte polici Bungaja, i cili mori goditje në kokë, ndonëse është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa tre policët e tjerë janë mjekuar dhe më pas janë larguar nga spitali. Një tifoz i Vllaznisë, Ismet Osmani, rreth 40 vjeç, ka marrë tri goditje me thikë në trupin e tij dhe fillimisht u mendua se ishte në gjendje të rëndë. Ai menjëherë i është nënshtruar mjekimit të shpejtë, duke arritur të dalë jashtë rrezikut për jetën. Kirurgu Ardjan Dajti tregon se si kanë mbërritur në spital tifozët e të dyja ekipeve, Vllaznisë dhe Tiranës. “Ambulancat e urgjencës kanë shkuar dhe ardhur disa herë, duke sjellë tifozët e plagosur dhe të dëmtuar nga stadiumi. Me disa tifozë kemi bërë kujdes, sepse plagët e tyre kishin disa orë që ishin shkaktuar, pasi nuk kishin mundur që të vinin menjëherë në spital. Plagët dhe dëmtimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Jemi përpjekur të bëjmë maksimumin, në mënyrë që të shpëtojmë jetët e të gjithëve. Falë angazhimit të të gjithëve ia arritëm qëllimit. Ka pasur tifozë nga të dyja skuadrat që vinin për t’u mjekuar. Një tifoz i Vllaznisë dhe një polic kanë pasur situatat më të vështira, por arritën të jenë jashtë rrezikut për jetën. Në fakt, jemi befasuar kur kemi parë tifozë që vinin për t’u mjekuar dhe fillimisht menduam se numri i tyre do të ishte i madh, duke marrë parasysh se çfarë po ndodhte. Në fakt nuk kanë ardhur më shumë se 20 persona, të cilët kanë marrë mjekimin e menjëhershëm”, tregon kirurgu për gazetën. Ndërkohë, krahas tifozëve, në spital përfunduan edhe dy futbollistë të rinj të akademisë Vllaznia, Beci dhe Vecaj, të cilët kanë qenë në pistën e stadiumit në momentin e sherrit në fushë. Gjithsesi, për fat të mirë, ata kanë pasur plagë të lehta. Situata e krijuar për trazirat në stadiumin “Loro Boriçi” dhe përhapja e lajmit se kishte të plagosur, ka terrorizuar shumë familje shkodrane dhe të afërm të tifozëve.
Ndeshja – Klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, ka rikthyer në numër të shumtë tifozët në shkallët e “Loro Boricit”. I ashtuquajtuyri “lojtari i 12-të” ka qenë një mbështetës i fuqishëm i të dyja skuadrave, por sikurse thamë më lart ka krijuar mjaft problematika në vijimësi të lojës. Antagonizmi është i lartë në tapetin e blertë dhe në shkallët e impiantit sportiv shkodran që në vërshëllimën e parë të kryesorit Laver Alla e deri në fund. Tirana vinte në transfertën e parë për këtë kampionat e plotë, me 6 pikë, pas fitoreve me Apoloninë dhe Flamurtarin, ndërsa Vllaznia e relaksuar disi pas suksesit pararendës në Durrës. Pra, në planin psikologjik, të dyja palët ishin në ditë të mirë. Skuadrat mbartin elementë cilësorë në përbërjet e tyre, sidomos ajo bardheblu, por në këtë supersfidë të luaftuar fort ka vendosur ai gol i Ndriqim Shtubinës, realizuar direkt nga goditja e këndit. Ka qenë pikërisht minuta e 18-të, kur mesfushori kuqeblu do të adresonte për krosim këndoren, e cila ka marrë një trajektore të cuditshme, duke përfunduar në rrjetën e portës së Frashërit. Hezitim i pafalshëm i mbrojtjes kryeqytetase, që ishte e angazhuar në mbulimin një për një të kundërshtarit, por edhe i portierit të Tiranës. Stadiumi shpërthen si një vullkan, kuqeblutë janë në delir. Gjithsesi, reagimi i 24 herë kampionëve të vendit është i fuqishëm. Ata arrijnë ta spostojnë lojën në gjysmëfushën e vendësve, por vuajnë në finalizim. Kagere, Bushic e të tjerë shpërdorojnë raste mjaft ideale për t’i barazuar shifrat. Portieri Selimi bëhet shpëtimtar i të tijve me pritjet spektakolare. 45 minutat e para mbyllen me epërsinë minimale të shkodranëve. Fraksioni i dytë nis me ndryshime te Tirana. Magani hedh menjëherë në lojë Ervin Bulkun, që kishte pësuar lëndim gjatë grumbullimit me kombëtaren. Ofensiva e Tiranës është e furishme. Sulmet nuk kanë të sosur drejt kuadratit kuqeblu, por sërish sulmuesit kryeqytetas nuk e kanë shënjestrën e duhur. Vllaznia tërhiqet disi pas, edhe e detyruar nga presioni i lartë bardheblu, por nuk harron të dalë shpejt në kundërsulm. Kruja dhe debutuesi uruguajan Sosa mbahen nën mbikqyrje të rreptë nga Curri e Muca, gjithsesi, duke mos lejuar ndonjë rrezik tjetër serioz për Frashërin. Kalimi i minutave e rrit presionin te lojtarët në fushën e lojës, por edhe në tribunat e tifozërisë. Në minutën e 68-të hidhen shishe plastike, ndizen tymuese dhe ka fyerje në kor, ndaj ndeshja ndërpritet për gati 6 minuta. Tirana nuk pajtohet kurrsesi me disavantazhin, ndaj nuk e heq “këmbën nga gazi”, ndërkohë që Bulku i ka dhënë tjetër frymëmarrje mesfushës kryeqytetase. Raineri fillon të mendojë për mbrojtjen e rezultatit, ndaj bën lëvizjet e duhura, duke shtuar forca në prapavijë. Sidoqoftë, goli i barazimit do të vinte në minutën e katërt shtesë, nga Ervin Bulku, kur situata kishte nisur të degjeneronte në shkallët e stadiumit, për të vijuar ,ë pas me përleshje të dhunshme mes tifozërive.
Ndërpreja – Në minutën e 76-të, Tirana tërhiqet nga fusha e lojës. Trajneri Magani i fton lojtarët e tij të mblidhen te stoli i skuadrës së tij, ndërkohë që tensioni te tifozëria bardheblu është tepër i madh. Ata kanë pretenduar për një penallti në dëm të Bakajt, pas ndërhyrjes së kapitenit Beqiri, një emër të cilës kontestojnë me të gjitha mënyrat. Policia mundohet të vendosë qetësi në pjesën ku ndodhen tifozët kryeqytetas, ashtu sikurse bën edhe Magani e donatori Refik Halili, që ka zbritur nga tribuna e “Loro Boricit”. Ky i fundit është goditur në kokë në këtë moment, ndaj i është dashur stafit mjekësor ta fashojë. Ervin Bulku ka lënë fushën e blertë dhe është futur mes tifozëve bardheblu për të shuar sadopak gjakrat, gjë e cila është bërë e mundur pas gati 10 minutash. Loja rifillon dhe Kagere shënon në portën e Selimajt, por anësori ka ngritur më parë flamurin për pozicion jashtë loje. Lojtari në fjalë gjendet i vetëm përballë Selimajt në kohën shtesë, por portieri kuqeblu është sërish i pakalueshëm, heroi i vërtetë për të tijtë në këtë ndeshje me shumë tension deri në minutën e katërt shtesë. Në limit të gjithckaje, Ervin Bulku ka arritur të shënojë e të barazojë, duke evituar humbjen në transfertën e parë të këtij kampionati.
EDI RAMA: STADIUMET, JO MË PENG I BARBARËVE
Lidhur me dhunën e shfaqur në ndeshjen e “Loro Boricit”, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama. Kreu i ekzekutivit shqiptar ndodhet në Kinë për një vizitë punë, por së andejmi i ka përcjellë incidentet e rënda mes dy tifozërive në Shkodër, ku ka pasur të lënduar, mes të cilëve edhe presidenti bardheblu, Refik Halili. Në mesazhin e tij përmes Facebook-ut, Kryeministri Rama shprehet: “Stadiumet në Shqipëri s’mund të jenë më peng i barbarëve! Do të bashkëpunojmë ngushtë me FSHF-në për t’i dhënë fund histerisë turpëruese të dhunës.”
POLICIA ARRESTON 12 TIFOZE
Një ditë pas dhunës që shpërtheu në stadiumin “Loro Boriçi” vijon të mbetet e rëndë gjëndja shëndetësore e tifozit shkodran, Ismet Osmani, 40 vjeç, i cili u plagos me thikë pasditen e së enjtes, gjatë përleshjeve mes tifozërive të Tiranës dhe Vllaznisë. Ndërkohë, kanë lënë spitalin pasi kanë marrë mjekimin e duhur 4 policët si dhe fëmijët që ishin lënduar me gurë. 4 efektivët dhe 3 të miturit, që u dhunuan dje në stadium, kanë marrë ndihmën mjekësore dhe kanë lënë spitalin. Efektivi Pjetër Bungaja ka lënë spitalin e Shkodrës rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, pasi mori mjekimin e duhur.
Nga ana e saj, Policia e Shtetit deklaron se janë arrestuar 12 persona, një person është shpallur në kërkim, ndërsa 41 tifozë të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Policia e Shkodrës ka vijuar tërë natën marrjen në pyetje të mbi 35 tifozëve të Tiranës, të cilët ishin shoqëruar pas ndeshjes. Klubi 24 herë kampion i vendit ka njoftuar përmes faqes së vet në Facebook se “në orët e para të mëngjesit të së premtes janë liruar nga rajoni i policise në Shkodër 33 tifozë të ndaluar të Tiranës. Vetëm 4 tifozë mbeten të ndaluar nga policia për hetime të mëtejshme.” Ndërkohë, policia po verifikon pamjet filmike të ngjarjeve të dhunshme në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në ndeshjen Vllaznia-Tirana, si dhe po merr deponimet e drejtuesve të të dyja skuadrave e të efektivëve të vet që ishin dje me shërbim.
TE PLAGOSUR DISA TIFOZE DHE 4 POLICE
Mësohet se janë plagosur disa tifozë dhe 4 policë. Policët e plagosur janë Pjeter Bungaja, Gjergj Dodani, Tahir Lekndreaj dhe Agim Lokja, ndërsa mësohet se ata u transportuan me urgjencë në spital. Blutë e Shkodrës kanë qëlluar në ajër me armë për të shpërndarë tifozët, por kjo ka qënë e kotë pasi raportohet se sherri është zhvendosur edhe jashtë stadiumit. Tifozët kanë thyer xhama e kanë dëmtuar makina të shumta, ndërsa policia në pamundësi për t’i shpërndarë ka futur brenda stadimit tifozët e Tiranës, me shpresën se do të largohen tifozët e Vllaznisë. Pas 20 minutash situata është normalizuar.
VLLAZNIA: DËNOJMË DHUNËN, TIFOZI YNË RËNDË
Për ngjarjen ka reaguar edhe Klubi i Futbollit Vllaznia. Administriatori Neritan Kalamishi ka dënuar dhunën në stadium duke u shprehur se një situatë e tillë ka mbizotëruar eDhe në ndeshjen e prillit. “Dënojmë dhunën në stadium. Edhe në ndeshjen e prillit ka pasur të tillë atmosferë. Kemi marrë masa që para ndeshjes, prandaj kërkuam praninë e policisë dhe ambulancave. E kishim parashikuar një situatë të tillë”, – shprehet ai. Më tej, Kalamishi shton se një një tifoz i Vllaznisë ndodhet në gjendje të rëndë.
PRESIDENCA KUQEBLU: MASA DRASTIKE NDAJ TIRANES
Vllaznia ka reagiuar të premten nëpërmjet faqes së GEA Sport në Facebook: “Në bazë të provave të mbledhura dhe televizive, pas dëgjimit të mendimit të avokatëve të shquar të sportit e të ligjit në Zvicër, KF Vllaznia do të paraqesë kërkesën pranë FSHF-së për të ndëshkuar KF Tirana për pushtimin e fushës, ndëshkimin e tifozëve të tyre, që kanë rrezikuar sigurinë e spektatorëve dhe familjet në stadium, që më pas kanë shtrembëruar rezultatin e ndeshjes, me një mostër gjobë, përkatësisht:
1) Humbje e ndeshjes 3-0 në tavolinë.
2) 3 lojëra prapa dyerve të mbyllura në Tiranë.
3) 3 lojëra pa tifozë jashë fushës së tyre.
4) Pezullimi për 10 raunde të arbitrit dhe asistentët e tij, delegatëve federal të pranishëm, sepse pa vetëdije ata e bënë të rifillojë një lojë pa bazën më të vogël të sigurisë.
NIKOLLA: KY TURP NUK DUHET TË PËRSËRITET MË
Për incidentin mes tifozëve në Shkodër ka reaguar edhe ministria e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, e cila shprehet se dhuna nuk ka asnjë lidhje me sportin. “Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes Vllaznia-Tirana në stadiumin “Loro Boriçi” është një turp për të gjithë ne,” – thekson Nikolla në reagimin e saj në Facebook. Sipas saj, “dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me sportin. Dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë për sportin dhe për futbollin”.
Ajo në postimin e saj kërkoi marrjen e masave për të mos ndodhur më ngjarje të tilla. “Masa urgjente duhet të merren pa neglizhuar asnjë përgjegjësi! Ky turp nuk duhet të përsëritet më!”
POLICIA: AUTORËT E DHUNËS PARA PËRGJEGJËSISË
Policia e Shtetit ka reaguar e një deklaratë për situatën e tensionuar të krijuar në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës por edhe jashtë tij ku u përleshën tifozët e Tiranës dhe Vllaznisë.
“Situata në stadiumin e Shkodrës tashmë është normalizuar. Në sajë të ndërhyrjes së forcave të policisë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke e normalizuar atë, megjithëse pati të lënduar nga forcat e policisë. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të akteve të dhunës”, – thuhet në deklaratën e policisë.
Po sipas Policisë së Shtetit do merren masa edhe për organizatorët e këtij aktiviteti.
FSHF DENON DHUNEN E SHKODRES
Federata Shqiptare e Futbollit, e shqetesuar per ngjarjet e renda te ndodhura ne ndeshjen e javes se trete te Kampionatit kombetar te Superliges, Vllaznia-Tirana luajtur ne stadiumin “Loro Borici” te qytetit te Shkodres, kerkon ti beje me dije opinionit publik dhe mediave te interesuara se: Denon ashper cdo akt te dhunshem, i cili demton lojen dhe prish imazhin e futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit garanton se te gjitha organet e drejtesise sportive, mbeshtetur ne rregullore, do te denojne energjikisht veprime te tilla. Institucioni i futbollit shqiptar do te kerkoje mbledhjen e tyre dhe marrjen e vendimeve sa me shpejt te jete e mundur.
Federata Shqiptare e Futbollit kerkon nga Policia e Shtetit qe te marre masa te forta per te siguruar mbarevajtjen normale te ndeshjeve te futbollit. Pa nderhyrjen e saj profesionale, organizatoret e ndeshjes e kane te pamundur te kontrollojne veprimet e dhunshme neper stadiume. Per kete arsye, ajo kerkon nderhyrje energjike nga ana e Policise se Shtetit per te frenuar te gjitha aktet e dhunshme te cilat vetem prishin imazhin e futbollit. Policia dhe Prokuroria duhet te ndalojne shkaktaret e kesaj dhune dhe ata te denohen sipas ligjeve ne fuqi. Nuk mund te penalizohet futbolli per hir te disa individeve te dhunshem dhe te papergjegjshem.
FSHF kerkon edhe nga sportdashesit, qe te distacohen nga veprime te tilla te dhunshme, qe s’kane asnje lidhje me lojen e bukur te futbollit, por vetem e shkaterrojne ate.
KF TIRANA: ORGANIZATORET E TAKIMIT DESHTUAN
KF Tirana denon ashper dhunen e paprecedente ne qytetin e Shkodres. Ngjarjet ne ndeshjen Vllaznia-Tirana kaluan pertej kornizave ku mund te flitet per futboll. KF Tirana eshte dhunuar ne te gjitha menyrat dhe klubi do te reagoje ashper ndaj te gjithe aktoreve dhe faktoreve qe e sollen kete shfaqje te shemtuar. Organizatoret e takimit deshtuan te merrnin masat e nevojshme per zhvillimin normal te nje ndeshje futbolli. Forcat e rendit deshtuan te menaxhonin situatat e tensionit mes tifozeve dhe paaftesia e tyre solli me pas edhe perdorjen e dhunes pa shkak ndaj tifozeve te Tiranes. Vendasit e kishin pergatitur me paragjykim kete takim ashtu si kane permendur edhe ne deklaraten e tyre zyrtare ku kane permendur ndeshjen e prillit ne kryeqytet. Skuadra eshte share dhe ofenduar ne kor pa nisur ndeshja, gjate saj dhe goditur me sende te forta nga tifozet e Vllaznise ne perfundim. Tifozet e Tiranes jane goditur me sende te forta nga jashte stadiumit pergjate gjithe ndeshjes dhe masivisht ne perfundim te saj. Policia jo vetem qe deshtoi te merrte masat e nevojshme, por ne shume momente u be pjese me tifozerine vendase duke goditur barbarisht tifoze te Tiranes, femije, te moshuar dhe femra. Dhuna ndaj tifozeve qe nuk u trajtuan si miq, por si armiq, meriton te ndeshktohet rende. Policia e Shkodres u hapi dyert tifozeve te Vllaznise per te hyre ne fushe pasi tifozet e Tiranes per t’u mbrojtur nga sendet e forta kishin lene sektorin e tyre. Policia e Shkodres pergjate gjithe situates kaotike ka perdorur fjale banale, shkopinj gome dhe dhune fizike. Vllaznia eshte pergjegjese si organizatore e takimit. Federata Shqiptare e Futbollit eshte gjithashtu fajtore per licensimin e nje stadiumi qe nuk permbush asnje nga kushtet minimale te sigurise. Gjyqtaret e ndeshjes u bene pjese e shfaqjes se dhunshme duke lejuar sharjet e tifozeve shkodrane ndaj skuadres, tifozeve dhe qytetit te Tiranes, ndryshe nga sa ndodh ne stadiume te tjera.
KF Tirana denoncon ashper dhunen barbare qe eshte ushtruar ndaj tifozeve ne perfundim te ndeshjes. Grushta, shkopinj gome, gaz lotesjelles dhe shume dhune verbale eshte ushtruar ndaj tifozeve te Tiranes, si dhe lojtareve te skuadres. KF Tirana denon ashper dhunen e forcave te nderhyrjes se shpejte, qe kane pergatitur nje kurth ne tynelin e brendshem te stadiumit per te dhunuar kedo u dilte para nga tifozet e Tiranes. Pa shkak. KF Tirana denon dhunen qe policia e Shkodres ka ushtruar ndaj lojtareve dhe stafit, si dhe kontrollin e bere ne autobuzin e ekipit, duke kaluar cdo limit. KF Tirana disponon filmime te cilat do tu ofrohen mediave per te zbardhur ngjarjet dhe denuar autoret. Gjithashtu, do te ndiqen rruge ligjore per dhunen barbare qe eshte ushtruar ne Shkoder, brenda dhe jashte stadiumit. KF Tirana denononcon publikisht ndalimin e 37 tifozeve te Tiranes, te cilet jane dhunuar gjate transportimit ne rajonin e policise ne qytetin e Shkodres, aq sa tre prej tyre kane perfunduar ne spital.
KF Tirana i kerkon ndjese sponsorit Halili per incidentin, ku ai mbeti aksidentalisht i demtuar, pasi kishte per qellim te ndalte dhunen e policise ndaj tifozeve te Tiranes. KF Tirana i kerkon ndjese qytetarise shkodrane, qe nuk ishte ne stadium ne kete takim, komunitetit bardheblu si dhe opinionit publik per kete ngjarje, fajtoret e te ciles duhet denuar rende. KF Tirana nuk ka qene dhe nuk do te jete kurre pjese e histerive te tilla kolektive apo dhe bashkepunetore ne corganizimin e ngjarjeve sportive.
ERJON BRACE: RRUGACET KANE MARRE PENG FUTBOLLIN
Nuk mund te rrinte pa reaguar edhe deputeti socialist, Erion Braçe, mbi dhunen e shfaqur ne ndeshjen e javes se trete te Superiores, Vllaznia-Tirana. Ne fakt, deputeti ne fjale kishte bere nje reagim te forte kunder tifozerise bardheblu edhe pas ndeshjes se Tiranes me Flamurtarin, kur ultrasit kryeqytetas thirren ne kor “Poshte Komunizmi”. Ai i quajti ata rrugaçe ne shkallet e stadiumit, por rrugaçe evidentoi edhe ne fushen e lojes. Sipas Braces, nuk duhet që stadiumi të mendohet si shesh lufte për bandat e rrugaçëve, ndaj bën apel që ata të gjykohen nga drejtësia.
Ja reagimi i plote i tij ne Facebook:
“Kjo qe po ndodh tani ne stadiumin e Shkodres eshte e patolerueshme!! Nuk ka lidhje me Shkodren dhe qytetarine e saj, as me Tiranen. Ka lidhje me:
RRUGACERINE E STADIUMEVE!! PO PO, ME RRUGACET E STADIUMEVE!
KETA KANE MARRE PENG STADIUMET DHE FUTBOLLIN!
Nuk di c’te them me; Une e njoh Refik Halilin, me te nuk shkemben dot nje fjale konfliktuale, jo me te arrije gjithcka tek goditja e gjakosja e tij! Nuk e meriton! Eshte e turpshme!
Kurse kjo e fundit, ku rrugacet zene fushen e lojes dhe rrihen me njeri tjetrin, duhet te ndeshkohet pa fund, penalisht madje!
E fundit; Jo mor jo, nuk eshte pune e policise, nuk mundet qe stadiumi te mendohet si shesh lufte per bandat e rrugaceve.
Po ne teater me police shkoni?!”
Brace pas ndeshjes Tirana-Flamurtari “Rrugaçë në fushë! Rrugaçë në tribuna! Kore ordinere të rrugaçëve mu në mes të Tiranës. Në fund refreni: Poshtë Komunizmi. Futbolli ky! Pyet Shakohoxha: pse policia nuk i ndalon këta të Tironës me flakadanë, shishe e shashka? Se thërrasin poshtë komunizmi, Shako! Ishin tre ‘parullat’ dje në stadium, shkruar e demonstruar nga tifozët e Tiranës; E para: ’1991, fund marrëzisë’, shkruar në një beze të zezë, shoqëruar me grafikën e rënies së monumentit të E.H dhe stemën e Partizanit. E dyta: ‘Partizan ka dhe Beogradi, Tirone ka një’. E treta dhe më e rënda: ‘Për ju ne hapim Aushvicin’, shkruar e zezë mbi të bardhë, drejtuar Partizanit dhe mbështetësve të tij. Unë e di që ka plot injorantë që nuk dinë kuptimin e fjalëve, vendeve, ngjarjeve, nuk dinë as çfarë përfaqësojnë për vendin e për botën ato që thonë. Por, këta injorantë bëjnë dëm, dëm të pashembullt. Po pres prej presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit të dalë e të mbajë qëndrim në emër të institucionit që përfaqëson. Ishte dy karrige larg meje dhe pa gjithçka pashë dhe unë. Ai dhe Federata që drejton po heshtin kur duhet të reagojnë, madje të ndëshkojnë. Pres gjithashtu që të njohurit dhe miqtë e mi të Tiranës të flasin e distancohen prej Halilit, Vorpsit, Nallbanit, Tafajt. Duhet ta bëni! Fashizmi na turpëron si komb”, – shkruante Braçe në “Facebook”-un e tij.
/Panorama Sport/
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *