Dhunohen seksualisht dy vajza, një nga agresorët në pranga

Dy vajza, 14-vjeçarja me inicialet K.H  dhe 19-vjeçarja T.F, kanë rënë pre e dhunës seksuale, përkatësisht në Elbasan dhe në Tiranë. Për rastin në Elbasan, policia tha se ka arrestuar personin e dyshuar për përdhunimin e një 14-vjeçareje, i cili e mbante nën presion të miturën, duke e kërcënuar me jetë që të mos kallëzonte

Dy vajza, 14-vjeçarja me inicialet K.H  dhe 19-vjeçarja T.F, kanë rënë pre e dhunës seksuale, përkatësisht në Elbasan dhe në Tiranë. Për rastin në Elbasan, policia tha se ka arrestuar personin e dyshuar për përdhunimin e një 14-vjeçareje, i cili e mbante nën presion të miturën, duke e kërcënuar me jetë që të mos kallëzonte në polici. Kurse rasti i kryeqytetit mësohet se ka të bëjë me një 19-vjeçare, të cilës i ka hyrë në shtëpi një person i paidentifikuar dhe e ka dhunuar seksualisht.

Policia e Elbasanit shpjegoi se 48-vjeçari është vënë në pranga, pasi dyshohet se prej një viti ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, duke kërcënuar atë dhe nënën e saj se do t’i vriste nëse do të denonconin në polici. E mitura ka dëshmuar se është përdhunuar dhe më pas ka qenë “e dashura” e 48-vjeçarit për rreth një vit. Sipas dëshmisë së vajzës, burri ka kërcënuar atë dhe të ëmën të mos tregonin se ndryshe do t’i vriste. Nëna, sipas hetimeve të para, e ka shtyrë vajzën të mos denoncojë. Në këto kushte, policia ka arrestuar menjëherë të dyshuarin Shyqyri Zena, me banim në lagjen “Sulë Paprri” në Elbasan. Policia tha se ai është arrestuar edhe për kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrës.

Rasti i dytë i rëndë mësohet se ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, kur një vajzë 19-vjeçare ndodhej e vetme në shtëpi. Sipas policisë, rreth orës 23:30 të së hënës, 19-vjeçarja ka qenë e vetme në shtëpinë e saj, kur një person ka shkuar aty dhe ka hyrë forcërisht brenda. Duke përfituar nga mungesa e familjarëve, personi, ende i paidentifikuar nga policia dhe që nuk njihej nga vajza, e ka dhunuar seksualisht. Pas aktit të rëndë, ai është larguar nga banesa e T.F. me vrap, ndërsa e dhunuara ka njoftuar shërbimet e policisë. E traumatizuar nga kjo ngjarje e rëndë, ajo është munduar të japë disa karakteristika të agresorit, ndërkohë që në praninë e një psikologeje, ajo ka rrëfyer gjithçka i ka ndodhur në orët e vona të natës. Policia tha se bazuar në dëshminë e vajzës ka kryer shoqërimin e disa personave, por pas procesit të njohjes me 19-vjeçaren, ata janë lënë sërish të lirë. Grupi hetimor tha se vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e dhunuesit.

/Enerida Malo/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar