Pse Rusia nuk ndërhyn në Ukrainë?

Nga Dmitri Trenin – “The New York Times”   Përshtati në shqip: Romina Qama   Viktor F. Janukoviçi i Ukrainës dhe drejtuesit e opozitës ukrainase firmosën të premten një marrëveshje që u dha fund protestave vdekjeprurëse në Kiev, me premtimin për një kushtetutë të re dhe zgjedhje të parakohshme. Por përfaqësuesi i presidentit rus në

Nga Dmitri Trenin – “The New York Times”

 

Përshtati në shqip: Romina Qama

 

Viktor F. Janukoviçi i Ukrainës dhe drejtuesit e opozitës ukrainase firmosën të premten një marrëveshje që u dha fund protestave vdekjeprurëse në Kiev, me premtimin për një kushtetutë të re dhe zgjedhje të parakohshme. Por përfaqësuesi i presidentit rus në Kiev refuzoi të bashkëfirmoste. Ndërsa Moska e mirëpriti fundin e dhunës, ajo e pa marrëveshjen si të diktuar nga opozita ukrainase dhe me prapavijë Perëndimore. Opozita ka fituar pushtet në Kiev, dhe Moska është mosbesuese në lidhje me fundin e shpejtë të krizës. Disa grupe radikale mbeten të mirëarmatosura; në shoqërinë ukrainase ka diferenca klasore të thella politike, kulturore dhe rajonale; elitat e shtetit janë në pështjellim dhe situata ekonomike po keqësohet me shpejtësi. Rrëmuja është më shumë e vetë Ukrainës dhe Rusia ka shumë më pak ndikim në të nga sa mendohet zakonisht.

Miti  më popullor për rolin e Moskës në krizën ukrainase është që Janukoviç ka qenë një kukull e presidentit Vladimir Putin. Në të vërtetë, Z. Putin është shumë i zhgënjyer me homologun e tij ukrainas. Për Putinin, Janukoviç është i pabesueshëm, gjithmonë i lëkundur mes Bashkimit Europian dhe Rusisë; dhe tani arratiset nga Kievi në Karkiv, një qytet rusishtfolës në lindje të Ukrainës. Moska e di që oligarkistët ukrainas, shumica prej të cilëve mbështesnin Janukoviçin, janë në masë antirus.  Edhe pse ata drejtojnë Ukrainën, ata i frikësohen marrjes në dorë nga gjigantët fqinjë të biznesit. Edhe ata që i fituan paratë në Rusi, sikurse nismëtari i protestës Petro Poroshenko, preferojnë të qëndrojnë në Perëndim.

Protestat shpërthyen kur Janukoviçi refuzoi të firmoste të ashtuquajturën marrëveshje të asociimit mes Ukrainës dhe Bashkimit Europian, që ndër të tjera do të vendoste edhe një zonë të tregtisë së  lirë. Pavarësisht asaj që deklaron ai, nuk ishte Kremlini që e shtyu të vepronte kështu. Moska kishte dhënë sinjale të qarta se nuk donte që Kievi ta firmoste marrëveshjen kur paraqiti sanksionet “de facto” për produktet ukrainase vitin e kaluar, por në përfundim Janukoviçi u udhëhoq nga llogaritë e tij vetjake dhe jo nga qortimet apo këshillat e Putinit. Arsyeja themelore që Janukoviçi u druajt ishte frika se ai nuk do të rizgjidhej në 2015-ën, nëse firmoste marrëveshjen. Dikur ai kuptoi se marrëveshja nuk do të sillte mbështetje financiare nga BE dhe nuk gjeti asnjë mënyrë për të zëvendësuar rënien e pashmangshme në tregtinë me Rusinë, ose për të shuar goditjen në industrinë e rëndë të epokës sovjetike në Ukrainë.

Përgjatë muajve të përplasjeve në Kiev roli i Rusisë ishte shumë më modest nga sa u reklamua nga media ndërkombëtare ose thashethemet në Kiev.  Ambasadori  rus në Ukrainë, Mikail Zurabov, nuk u shfaq në publik. Kremlini urdhëroi gjithë anëtarët DUMA të qëndronin jashtë Ukrainës. Dmitri Rogozin, zëvendës kryeministër dhe ish-ambasador i Rusisë në NATO më një veti për të bërë komente haptazi për Perëndimin, heshti më së shumti. I vetmi zyrtar rus që tregoi një interes të vazhdueshëm për Ukrainën ishte Sergej Glazjev, këshilltari i Putinit për integrimin euroaziatik, i cili foli në konferenca dhe shkroi artikuj për kostot e larta të kthimit të Ukrainës drejt Bashkimit Europian.

Putini e takoi Janukoviçin disa herë, në Soshi (Sochi) dhe Moskë. Dhe në dhjetor Rusia u ofrua të blinte 15 miliard dallarë nga bonot e qeverisë Ukrainase, duke zvogëluar çdo ndihmë kushtëzuese që BE mund të detyrohej të ofronte përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe uli me një të tretën çmimin e transporteve të saj të gazit në Ukrainë. Kjo mbështetje financiare u zgjerua pa ndonjë shtrëngim me qëllimin e dyfishtë që ndihma ndaj Ukrainës shmang ndonjë gabim të mundshëm dhe për të krijuar  vullnetin e mirë për marrëdhënie ekonomike në të ardhmen.

Por ky ishte një propozim i rrezikshëm për pasigurinë politike në Kiev. Dhe lëvizja mund të ishte joefektive. Gjesti mbështetës i Moskës bazohej në besimin, siç është shprehur vetë Putini, se ukrainasit dhe rusët janë një popull. Kjo është dukshëm jo e vërtetë, sepse vetë ukrainasit nuk janë ende një popull. Mjafton të krahasosh Lvivin dhe Sabastopolin: Ukraina perëndimore, që u aneksua nga Bashkimi Sovjetik vetëm në kohën e Stalinit, është furishëm anti-ruse; lindja dhe jugu janë rusishtfolës, me Krimean etnikisht ruse. Për shumicën e elitës në Ukrainë, pavarësia e shtetit nga Bashkimi Sovjetik nënkuptonte mbi të gjitha pavarësi nga Rusia. Siç duket nuk ka politikanë ukrainas që mund të quhen pro-rus: kjo është thjesht në kundërshtim me thelbin e idesë kombëtare të Ukrainës.

Kështu oferta e Putinit për forcimin e integrimit ekonomik mes Rusisë dhe Ukrainës përmes një bashkimi doganash nuk është shumë bindës për shumë ukrainas. Ideja është gjithashtu potencialisht e rrezikshme për Rusinë. Nën këtë skemë, Moskës do t’i duhej të dërgonte shumë më tepër para në Ukrainë dhe t’i jepte asaj një rol të madh në organet e përbashkëta si Komisioni Ekonomik Euroaziatik me pak garanci se Ukraina nuk do të largohej sërish sapo të “merrte veten” nga ngërçi i tanishëm financiar.

“Revolucioni i Shkurtit” në Ukrainë mund të jetë një bekim i fshehtë për Moskën, pasi mund të shërbejë për të rrëzuar idenë se Rusia nuk mund të jetë një fuqi e madhe pa Ukrainën si partnere. Moska nuk ka nevojë të drejtojë më shumë njerëz; ajo duhet të rrisë standardet e shëndetit, edukimit dhe punës në jetët e njerëzve të saj.

Pavarësisht dyshimeve të disa ukrainasve, Moska nuk ka gjasa të përpiqet të sjellë shpërbërjen e Ukrainës për të aneksuar pjesët e saj jugore dhe lindore. Kjo do të sillte luftë civile dhe Rusia e urren idenë e diçkaje të tillë. Mundësia më e mirë e Moskës në këtë pikë është qëndrimi mbrapa dhe pritja, ndërkohë që qetësisht favorizon decentralizimin e Ukrainës. Megjithëse federalizmi shihet në Kiev dhe në perëndim të Ukrainës si një hap drejt ndarjes përfundimtare, ai mundet faktikisht të ndihmojë qëndrimin e Ukrainës bashkë. Me më shumë autonomi financiare dhe kulturore, zonat e ndryshme të shtetit mund të jetojnë dhe të lënë të tjerët të jetojnë më lehtë dhe të mbajnë njëri-tjetrin në kontroll. Nxitja e decentralizimit në Ukrainë do të ishte  një strategji afatgjatë realiste për Rusinë, diçka që Moskës i ka munguar deri më tani.

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar