Kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon nga vartësit që të mbyllin së më parë hetimet për dosjet e bujshme, të cilat zvarriten prej muajsh në disa akuza, duke zbehur edhe hetimet, shkruan gazeta “Shqip”. Në një takim me vartësit, numri një i akuzës pohoi se pret më shumë punë nga viti 2014, sidomos te çështjet me impakt
Kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon nga vartësit që të mbyllin së më parë hetimet për dosjet e bujshme, të cilat zvarriten prej muajsh në disa akuza, duke zbehur edhe hetimet, shkruan gazeta “Shqip”.
Në një takim me vartësit, numri një i akuzës pohoi se pret më shumë punë nga viti 2014, sidomos te çështjet me impakt të madh në publik, të cilat duhet të hetohen brenda afateve ligjore, ndërsa tha se prioritet do të jenë edhe dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç kanë qenë edhe më parë. Llalla kërkoi që të ushtrohet një kontroll më i thelluar mbi performancën dhe cilësinë e hetimeve nga ana e prokurorëve në të gjithë Republikën e Shqipërisë. “Konstatohet rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës, gjë e cila obligon çdo prokuror që të impenjohet më shumë në aktivitetin profesional”, vijoi kryeprokurori, duke analizuar punën e vitit 2013.
Për 2014-n, ai kërkoi nga Drejtoria e Inspektimit që të përfshijë në programet e kontrollit një numër të madh prokurorish në rrethe dhe Apel, për të vlerësuar punën e të gjithë strukturës në një kohë sa më të shpejtë. “Opinioni publik ka një pritshmëri të lartë për punën e prokurorisë dhe për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme duhet t’u japë zgjidhje sa më të shpejtë çdo ankese apo shqetësimi të qytetarëve për punën e prokurorëve”, vijoi Llalla, ndërsa i dha porosi drejtorisë së hetimit që të angazhohet maksimalisht në përmbylljen e hetimeve të çështjeve të nisura gjatë vitit 2013, duke vënë theksin, “sidomos tek ato çështje që kanë impakt në opinionin publik”.
Drejtoria gjyqësore, e cila përfaqëson akuzën në emër të shtetit në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ka si detyrë prioritare gjatë vitit 2014, krahas të tjerave, angazhimin për bindjen e Gjykatës së Lartë në nxjerrjen e vendimeve unifikuese. Ndërkohë, mësohet se kryeprokurori e vuri theksin te disa lloje veprash penale, të konsideruara “të reja”, ku veçoi krimin kibernetik, për të cilin duhen kapacitete të afta për t’i hetuar. Shtim kapacitetesh profesionale është parashikuar që të realizohen edhe në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë. “Konstatohet se është e nevojshme që ekspertë autoteknikë, kontabël, etj., të jenë pjesë e institucionit të prokurorisë. Kjo lëvizje pritet të japë rezultate më të shpejta dhe më pozitive në hetimin e rasteve që kanë nevojë për cilësi të lartë profesionale”, përfundoi Prokurori i Përgjithshëm.
/Objektiv.al/
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *