4 viktima, 4 vjet burg për 21 janarin

0

Gjykata e Apelit Tiranë jep vendimin e saj për të akuzuarit e 21 janarit ku mbetën të vdekur 4 persona. Ish – kreu i gardës Ndrea Prendi u dënua me një vit heqje lirie, ndërsa ish – gardisti Agim Llupo me tre vjet heqje lirie. I akuzuari tjetër i kësaj çështjeje Margarit Kume doli i pafajshëm.

Ditën e djeshme, Prokuroria kërkoi prishjen e dënimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës dhe të dënohen me burg dy gardistët që akuzohen për vrasjen e katër protestuesve.

Organi i akuzës i përfaqësuar nga Shkëlqim Hajdari kërkoi që Ndrea Prendi të dënohej me 23 vite burg ndërsa Agim Llupo me 25 vite burg.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë të Tiranës i nxori të akuzuarit të pafajshëm për ngjarjet e ndodhura më 21 janar të vitit 2011.

Gjyqi për 21 janarin është cilësuar një proces mjaft delikat duke qënë se partite politike hodhën akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrin për përgjegjësinë e vrasjeve.

Në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të organizuar nga opozita e asaj kohe e drejtuar nga kryeministri aktual i Shqipërisë mbetën të vrarë katër persona  Hekuran Deda, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi.

/Osman Stafa/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here