Llalla urdhëron hetim për rastin “Doshi”

0

Prokuroria e Përgjithshme bën të ditur se prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka urdhëruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda që të nisë hetimet mbi deklarimet e deputetit Tom Doshi, i cili denoncoi në media se disa muaj më parë është tentuar që të vritet bashkë me një deputet tjetër.

Bëhet e ditur se Prokuroria e Krimeve te Renda ka regjistruar menjëherë procedimin penal për dyshimet se është konsumuar vepra penale e “vrasjes me dashje të mbetur në tentative”, ashtu siç edhe ka pretenduar në deklaratat e tij deputeti Doshi. Megjithatë veprimet hetimore të prokuroreve nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.

“Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria, krahas veprimeve të tjera proceduriale, fton deputetin Tom Doshi që të paraqesë shpjegimet e tij, si edhe provat që ai disponon në lidhje me këtë rast”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Shtypit të prokurorit të Përgjithshëm.

“Prokuroria Shqiptare vlerëson mbështetjen dhe inkurajimin e partnerëve ndërkombëtarë në përmbushje të misionit të saj për evidentimin, hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të personave që kryejnë vepra penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe zyrtarët publikë të çdo niveli”, thuhet në mbyllje të deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme.

Në hetimet e hapura kryesisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që të merren edhe deklarimet e deputetit Doshi, si edhe të kërkohen materiale të tjera shtesë, për të cilat pretendohet se janë të faktuara deklaratat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here