Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit: Si t’i interpretojmë?

Süddeutsche Zeitung”  ka shtruar pyetjen nëse “qeveria e Serbisë ka gisht në dhunën e agjitacionin të atjeshëm?”   Rezultatet Sipas rezultateve përfundimtare të konfirmuara nga KQZ-ja dhe Dnv-ja, shumica e komunave të Kosovës do të shkojnë në balotazhin që do të zhvillohet më 1 dhjetor të këtij viti. Në Prishtinë, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti. Në Gjakovë, Mimoza Kusari – Lila e Aleancës Kosova e Re do të jetë në balotazh me Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në Prizren, pritet garë ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu. Në Pejë, ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet Gazmend Muhaxherit të LDK-së dhe Ali Berishës së AAK-së. Balotazhit, pritet t’i nënshtrohen edhe kandidatët për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Qemajl Mustafa i PDK-së. Për Mitrovicën e Jugut, pritet të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Avni Kastrati dhe atij të AKR-së, Agim Bahtiri. Në komunëne Ferizajt, votuesit e kësaj komune do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu dhe atë të LDK-së, Muharrem Svarça. Po ashtu, balotazh, pritet të ketë edhe në Malishevë, ku ndërmjet kandidatit, Ragip Begaj nga iniciativa qytetare për Malishevën dhe Sali Morina nga LDK-ja.Edhe Rahoveci, pritet të shkojë në balotazh me kandidatët, Idriz Vehapi i PDK-së dhe Smajl Latifi i AAK-së. Procesi zgjedhor për kryetarë komunash dhe këshilltarë  për asambletë komunale u zhvillua në 38 komuna të Kosovës. Në garë ishin 103 subjekte politike, me 7.932 kandidatë. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sivjetme lokale morën pjesë 814.780 votues nga rreth 1.8 milion sa ishin të regjistruar, ose 45.79 për qind. Ky numër i votuesve, sipas KQZ-së, është rritur për rreth 100 mijë. Në këtë numër nuk përfshihet numri i votuesve të veriut. Zgjedhjet lokale të tre nëntorit u monitoruan nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar. Një mision vëzhgimi në Kosovë ka dërguar për herë të parë edhe Bashkimi Evropian, mision ky që kryesohet nga Roberto Gualtieri, deputet në Parlamentin Evropian. Ky mison akoma nuk ka dhënë vlerësimin për zgjedhjet. Incidentet  në veri Reagojnë Jahjaga, Thaçi dhe Daka Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova ka kaluar testin evropian me organizimin e këtij procesi. “Ky është një kapitull i ri për shtetin tonë, është një kapitull evropian. Kemi dëshmuar se në Kosovë ekziston rendi demokratik, ndërsa hap shumë i rëndësishëm për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian është edhe organizimi i zgjedhjeve edhe në veri të vendit”, ka thënë kryeministri Thaçi. Ndërkohë, incidentet që kanë ndodhur në këtë pjesë të vendin, sipas kreut të ekzekutivit, janë incidente të izoluara që nuk dëmtojnë procesin zgjedhor. Sipas tij, zgjedhja e përfaqësuesve legjitimë në veri të vendit legjitimon marrëveshjen e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë.   Përgjithësisht,procesi i votimeve u cilësua i qetë dhe i rregullt, me përjashtim të zonave në veriun e Kosovës. Pjesmarrja në votime në nivel të Kosovës, sipas kryetarës së KQZ-së, Valdete Daka, ishte 45.79%. Në këtë përqindje nuk është përfshirë numri i votuesve nga pjesa veriore e Kosovës. Kryetarja e KQZ-së, Daka, tha pas mbylljes së qendrave të votimit se grupe të organizuara ekstremiste serbësh, demoluan disa qendra votimi dhe shkatërruan material të konsiderueshëm zgjedhor. “Republika e Kosovës përmbylli një proces zgjedhor jo aq të lehtë, për faktin që u zhvilluan zgjedhje edhe në veri të Kosovës. KQZ, njofton se në orët e pasditës, grupe huliganësh kanë hyrë në disa qendra të votimin në veri të Mitrovcës. Ata kanë rrezikuar stafin vendor dhe ndërkombëtar”, tha Valdete Daka. Ajo tha se KQZ, kërkon nga organet e drejtësisë që materiali zgjedhor të sillet në qendrën e numërimit në Prishtinë dhe pastaj të konstatohet gjendja. “Pas verifikimit të materialit zgjedhor, atëherë mund të konstatohet nëse materiali zgjedhor nga komunat veriore është i vlefshëm apo jo”, thotë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një deklaratë për media pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, vlerëson se “zgjedhjet komunale të 3 nëntorit janë mbajtur në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, në pjesën më të madhe të vendit”. Mirëpo, presidentja Jahjaga shpreh indinjatën e thellë dhe dënon fuqishëm frikësimin dhe pengimin e qytetarëve të komunitetit serb të pjesës veriore për të marrë pjesë në zgjedhje. “Parandalimi, frikësimi, shantazhimi i qytetarëve dhe dhuna e shfaqur në disa vendvotime nga grupe të caktuara në pjesën veriore të territorit të vendit, është në kundërshtim me parimet demokratike në shoqëri, pengon procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës dhe tolerant si dhe cënon rrugën e integrimit evropian të Kosovës”, ka thënë Jahjaga. Incidentet dhe parregullsitë që kanë ndodhur në disa pjesë të Kosovës, sipas presidentes, janë duke u hetuar dhe duke u procesuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e procesit. “Aktet e tilla do të pasohen me veprim të shpejtë të mekanizmave të sigurisë me qëllim të vendosjes së rendit dhe të qetësisë dhe të sundimit të ligjit në veri”, është shprehur ajo. Në veri të Kosovës pavarësisht incidenteve të shkaktuara, nuk ka asnjë person të arrestuar në lidhje me incidentet. Mirëpo, të arrestuar ka rreth 20 persona në rajone të ndryshme të Kosovës, për disa incidente që policia i cilësoi të izoluara. Prokuroria e shtetit njofton se nga këto arrestime nëntë raste cilësohen vepra penale.    Vlerësimet nga  ndërkombëtarët Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur  angazhimin e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë për nxitjen e pjesëmarrjes së votuesve për t’i mundësuar popullit të Kosovës që të zgjedh udhëheqësit e tyre në mënyrë demokratike. Organizimi i suksesshëm i këtyre zgjedhjeve është një aspekt i rëndësishëm i zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Departamenti i Shteti i bëri thirrje të gjitha palëve që të sigurohen që faza e ardhshme e procesit zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore, të lirë dhe të drejtë. “Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmet në veri të Mitrovicës që dëmtuan zgjedhjet në Kosovën veriore dhe u kërkojnë autoriteteve relevante të Kosovës që të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e incidenteve. Ne nuk duhet të lejojmë që dhuna e disa personave të hedh  hije mbi arritjen e rëndësishme që këto zgjedhje përfaqësojnë”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. “Dua të uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët votuan të dielën më 3 nëntor në zgjedhjet për pushtetin komunal. Procesi i votimit, në përgjithësi ishte transparent, i menaxhuar mirë, i rregullt dhe pjesëmarrja ishte relativisht e lartë në mbarë Kosovën. Këto zgjedhje paraqesin një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë e re të Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit Euroatlantik”. Ky ka qënë mesazhi që Komisioneri I Dhomës për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës, në përfundim të procesit zgjedhor. Engel dënoi veprimet e dhunshme në ditën e zgjedhjeve në Mitrovicën veriore. “Megjithatë, unë e dënoj fuqishëm dhunën në ditën e zgjedhjeve në disa vendvotime në veri të Kosovës. Unë u bëj thirrje autoriteteve të hetojnë dhe të ndjekin penalisht autorët e veprimeve të dhunshme, të cilët u përpoqën të parandalonin qytetarët nga ushtrimi i të drejtës së tyre themelore për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Unë gjithashtu u bëj thirrje autoriteteve në Beograd të bashkëpunojnë plotësisht me Prishtinën dhe EULEX-in në hetimin e incidenteve. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto incidente nuk i heqin vlerën procesit zgjedhor, i cili ishte i suksesshëm dhe do të avancojë përpjekjet për stabilitet dhe demokraci në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në fund të deklaratës së ligjvënësit Eliot Engel.   Nga ana e saj edhe  eurodeputetja gjermane Doris Pack, ka përgëzuar mbarëvajetjen e procesit zgjedhor, duke thënë se Kosova me 3 nëntor dha testin e demokracisë evropiane, Ajo theksoi se do të kishte qenë mirë sikur këtë test ta kishte dhënë edhe pjesa veriore, por kjo u pengua nga ekstremistët dhe vandalët serbë që nuk duan të pranojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe që jetojmë një realitet të ri. ‘’Kaq qenë më se e domosdoshme që këto zgjedhje të mbahen të drejta, të rregullta dhe demokratike. Ato kaluan, me standarde evropiane, me përjashtim të veriut, ku u shkaktuan turbullira nga serbë që nuk duan të pranojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe që jetojmë një realitet të ri. Tani po zhvillohet edhe një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Qeveria Serbisë duhet ta kuptojë dhe të ndikojë që aktet të tilla nacionaliste dhe kriminale të mos ndodhin më. ‘’ Në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar të 19 prillit nga pala serbe, Pack është shprehur: “Marrëveshjet arrihen vetëm për tu zbatuar. Serbia e ka vetë në dorë të dëshmojë dhe tregojë se vërtet e ka seriozisht qëllimin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën. Ajo ka marrë zotime për të zbatuar këto marrëveshje të arritura, të cilave Kosova po u përmbahet dhe po i zbaton nga ana e sajë në mënyrë korrekte. Po kështu, në mënyrë korrekte, duhet të sillet edhe Serbia sepse vetëm kështu ajo do të mund të ecën përpara në rrugën evropiane. Kjo vlen për të dyja palët.’’ Zgjedhjet në Kosovë kanë qenë të suksesshme, të drejta dhe se incidentet në tri qendrat në veri të Mitrovicës nuk e kanë ndryshuar perceptimin për suksesin e këtyre zgjedhjeve. Sidoqoftë  ekziston mundësia e përsëritjes së zgjedhjeve lokale në tri vendvotime në veri të Mitrovicës. Ky ka qënë qëndrimi i përbashkët i shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar,shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë si dhe shefit të EULEX-it, pas raundit të parë të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Përkundër disa parregullsive, në përgjithësi konsiderohet se procesi zgjedhor është një hap pozitiv përpara në procesin e demokracisë në vend. “Fakti që misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve ka vlerësuar se dita e zgjedhjeve ka kaluar e qetë dhe paqësore, duke e cilësuar tërë procesin zgjedhor si një hap pozitiv të demokracisë në Kosovë gjë që paraqet një element të rëndësishëm në fuqizimin e progresit të Kosovës drejtë rrugës saj evropiane. Me kënaqësi e kemi vërejtur se me përgatitje të mirë, vullnet politik dhe me vendosmëri, Kosova është në gjendje që të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta. Kjo dëshmon progresin që Kosova po arrin në reformat e saj”, ka thënë ai. Megjithatë  shumica e përfaqësuesve zyrtarë të BE-së në Kosovë, I kanë vlerësuar zgjedhjet komunale pavarësisht incidenteve.  Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin ka deklaruar se zgjedhjet në veri të Mitrovicës nuk mund të quhen të rregullta, për shkak të dhunës dhe mbylljes së parakohshme të vendvotimeve. “Kjo nënkupton se duhet pritur prezencë e forcuar e KFOR-it dhe EULEX-it në vendvotime në zgjedhjet e përsëritura në Mitrovicë”, – transmetojnë mediat serbe. Ai ka thënë se dënon ashpër shkaktarët e dhunës në veri të Mitrovicës, të cilët duhet të dalin para drejtësisë. Sipas Kacin, Beogradi në mënyrë të veçantë mban përgjegjësi. Takimi  Ashton-Daçiç-Thaçi  pas  zgjedhjeve Pas trazirave në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në të gjithë veriun e Kosovës. Serbia gjatë bisedimeve mes kryeministrave Ivica Dadçiç dhe Hashim Thaçi me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel më 6 nëntor 2013, u tërhoq nga kërkesa e saj për përsëritjen e përgjithashme të votimeve. Tashmë votimet do të përsëriten  vetëm në tre qendra në Mitrovicë. Këtë e konfirmoi kryeministri serb Ivica Daçiç si dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi pas disa orës bisedimesh me ndërmjetësimin e së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton. Ashton i dënoi ashpër incidentet e dhunshme në qendrat e votimit në Mitrovicë: “Këto incidente duhet të hetohen menjëherë”, bëri thirrje Ashton. Në janar, Serbia pret fillimin e bisedimeve të antarësimit me BE-në. Por kusht për këtë është përparimi në procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Zgjedhjet lokale, organizimi i të cilave u arrit pas bisedimeve disa mujore me ndërmjetësimin e BE-së, kanë si qëllim integrimin e pakicës serbe në shtetin e Kosovës të banuar kryesisht prej popullsisë shqiptare. Shumica e minoritetit serb në Kosovë nuk e pranon këtë, ndaj deri më sot i ka bojkotuar zgjedhjet. Risitë

  1. Zgjedhjet lokale kanë krijuar një panoramë të re politike e cila i paraprin zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
LDK-ja rikthehet fuqishëm duke pasur shumicën e mbështetjes së elektoratit. Nga ana tjetër vihet re,një rënie e madhe e PDK-së e cila ka humbur rreth 25 për qind të elektoratit. Kemi një ngritje të AAK-së në nivel të Kosovës, por humbje në bastionet e tyre në rrafsh të Dukagjinit. Si dhe Lëvizja Vetëvendosje e cila shpëtohet nga kandidatura e Shpend Ahmetit në Prishtinë dhe AKR-ja  që shpëtohet nga kandidatura e Mimoza Kusari –Lila në Gjakovë. Secila parti politike ka marrë më pak vota nëpër komunat ku qeveris. “Votat shohim se janë në një trend negativ gati për të gjitha partitë politike. Prandaj është një alarm ndoshta për të gjitha partitë politike që të këndellen dhe të përgatiten mirë që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të dalin me projekte e propozime konkrete”, thotë analisti Ardian Arifaj. Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, duke i lënë anash katër komunat në veri, kanë sjellë zgjedhjen e kryetarëve pas raundit të parë të votimeve vetëm në 10 komuna, kurse në balotazh shkojnë 24 komuna tjera.
  1. Një tjetër risi e këtyre zgjedhjeve,ka qënë edhe monitorimi i mediave të Kosovës nga misioni I BE-së.
Vëzhguesit e BE-së e kanë kritikuar RTK-në për mënyrën se si e ka mbuluar fushatën parazgjedhore. Sipas raportit fillestar të Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së, “në programet e saj, RTK1 ka treguar preferencë gjatë prezantimit të PDK-së, sidomos liderit të saj, kryeministrit (Hashim Thaçi)”. Shumë më mirë se sa kanali i parë që udhëhiqet nga shqiptarët qëndron kanali i dytë i RTK-së i cili ofron program për minoritete. Sipas raportit të Misionit të Vëzhguesve të BE-së thuhet se RTK 2 ka bërë “mbulim të balancuar, duke përfshirë debatet e garuesve që përfshinë votuesit serbë, malazezë dhe boshnjakë”. Raporti i publikuar të martën thotë se televizioni privat kombëtar, RTV 21 ka ofruar “portretizim të balancuar të garuesve”, ndërsa Kohavisioni dhe Koha Ditore mbulimin e PDK-së e kanë bërë me tone kritike. Të dy këto kanale (RTV 21 dhe KTV) sipas të njejtit raport kanë transmetuar edhe “programe analitike dhe debate të cilësisë së lartë”. Raporti gjithashtu vlerëson se “liria e shprehjes” që në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë është respektuar gjatë periudhës së fushatës. 3.  Megjithëse jo totalisht e suksesshme, përpjekje për tu vlerësuar në këto zgjedhje përbën qëndrimi zyrtar i Serbisë që mbështeti zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës. Këto zgjedhje duhet të shërbenin për vulosjen e marrëveshjes së prillit për integrimin e Veriut në strukturat e Kosovës. Por sic duket  serbët e veriut vazhdojnë  ta refuzojnë çdo lloj bashkëpunimi me Kosovën, përpara së cilës shtrohet një rrugë e gjatë sfidash dhe kompromisesh. Ndërkombëtarët i vlerësuan këto zgjedhje si pozitive por akoma nuk është arritur maksimumi i një procesi zgjedhor demokratik. Madje edhe vetë përfaqësuesit e Kosovës e dinë këtë. Serbët kanë edhe një tjetër shans për t’ju afruar konsensusit, njëkohësisht një tjetër  sfidë kjo për Kosovën: Balotazhi i 1 dhjetorit. /Elta Liksenaj/    ]]>

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar