“Zambaku i Prizrenit” vjen në edicionin e 26-të

“Zambaku i Prizrenit” vjen në edicionin e 26-të

Festivali i përvitshëm “Zambaku i Prizrenit”  ka ardhur me edicionin e tij të 26-të. Në të morën pjesë  rreth 14 këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, por që sivjet u përball me shumë probleme të natyres teknike, por edhe përmbajtësore. Bashkim Rakaj, producent i “Glob Media” dhe organizator i sivjetshëm i “Zambakut…” ka theksuar  se

Festivali i përvitshëm “Zambaku i Prizrenit”  ka ardhur me edicionin e tij të 26-të.

Në të morën pjesë  rreth 14 këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, por që sivjet u përball me shumë probleme të natyres teknike, por edhe përmbajtësore.

Bashkim Rakaj, producent i “Glob Media” dhe organizator i sivjetshëm i “Zambakut…” ka theksuar  se mungesa e mjeteve financiare kanë qenë problemi kryesor në këtë organizim.

“Ka shumë vështirësi për të realizuar një festival të përmasave të mëdha. Nuk bëhen gjëra të mëdha pa para dhe është qesharake të pretendosh të bësh festival me shuma simbolike duke marrë parasysh kushtet.

Ndërsa me një përkushtim të jashtëzakonshëm të stafit mendoj se kemi bërë një punë të mirë sepse unë tregova veten që di të bëj gjëra të mira në bashkëpunim me stafin tim”, është shprehur Rakaj.

Por jo të gjithë mendojnë se ky festival ka pasur vetëm këto probleme, kualiteti i tij jo domosdoshmërisht lidhet me financat. Nuk mbahet në mend të ketë pasur më shumë kritika se kësaj radhe ky festival duke marrë parasysh që për shumë vite festivali më nuk organizohet nga vetë qyteti por nga përfitues privatë të “tenderëve muzikorë”.

Kompozitori i këtij festivali ishte Reshat Randobrava, i cili është edhe një nga themeluesit e parë të këtij evenimenti  thotë se “himni” i këtij festivali së pari ka munguar dhe  sipas tij, është një obligim nga ana e çdo organizatori që ta përfshijë në fëstival.

“Një pikë baleti që është prezentuar mendoj se është diçka e pazakontë për këtë festival, por nuk do të thotë që nuk bën, mirëpo nuk jemi mësuar të shohim vallëzim në “Zambak..”. Ky festival është për këngë të vjetra qytetare, jo për vallëzime balerinësh”, është shprehur Randobrava.

Një pengesë tjetër që nuk e karakterizon këtë festival tradicional të qytetit të Prizrenit kanë qenë edhe disa momente kur janë lëshuar “playback” këngët, për të cilat Randobrava thotë se asnjëri festival në rajon e më gjërë nuk mund të bëjë një realizim të tillë, gjysmë të drejtëpërdrejtë e gjysmë “fals”.

Pedagogu i muzikës, Bajram Çupi, një nga të parët që ka marrë pjesë në organizimet në skenën e “Zambakut…” ndër vite, ka thënë se është ndjerë i befasuar për aoranizimin jo të mirë të këtij festivali krahasuar me vitet e kaluara.

“Me keqardhje po e them ngase festivali ka një traditë që nuk ka një njeri i cili është profesionist në skenën muzikore. Ky i këtij viti ka qenë shumë i dobët si nga ana e organizmit, përmbajtja e këngëve, me përjashtim të disave, por ky festival ka një traditë që të jetë “i gjallë” e jo sikur ky konglomerat jo shumë i pëlqyeshëm”, ka thënë Çupi.

Regjisori i festivalit, Isuf Kurtaj, ka thënë se realizimi i këtij festivali ishte shumë i vëshirë, pasi mungonin fondet financiare, por që nga ana tjetër ajo morale ka qenë mjaft e madhe.

“Në krahasim me vitet e kaluara, realizimi ka qenë shumë më lart, por kjo nuk do të thotë se ne ishim të kënaqur me realimin e “Zambakut…”. Ministria e Kulturës na ka ndarë 4 mijë euro, e me ato pak para nuk realizohet një punë e madhe”, shprehet Kurtaj.

Nga katërmbëdhjetë këngëtarë që kanë performuar në natën e 6 korrikut në Prizren, serenata e korçarit Devis Xherahu ka rrëmbyer tre çmime, këngë kjo e orkestruar nga Gent Myftaraj me tekst dhe muzikë të Vask Nicos ka fituar çmimin e interpetimit më të mirë, vendin e parë dhe çmimin e publikut.

Në rrjetin social e tij fejsbuk “Facebook”, Xherahu ka shkruar se çmimet e marra në Prizren, janë pjesë e ditëve më të veçanta të jetës së tij.

“Ju falënderoj ju të gjithëve që më besuat sonte këto tre çmime të mëdha në Prizren tek evenimenti më i rëndësishëm në Kosovë…”, ka shkruar Xherahu. “Zambaku i Prizrenit 2013”, u prezentua nga tre moderatorë nga Shqipëria, ndërsa në juri profesionale kanë qenë kompozitorja Elizabeta Musliu, pianisti Xheladin Kastrati, dhe artistët Mark Gjoni, Redon Makashi dhe Adrian Trebicka.

/Sonila Qazimi/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar