Vorë, atentat me eksploziv, vdes biznesmeni

Një automjet u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar, duke lënë të vdekur në vend drejtuesin e makinës, Baki Xhabafti rreth 40 vjeç, pronar i një servisi në Vorë dhe dy bizneseve në Selitë të Tiranës. Shpërthimi ndodhi pak minuta pasi Xhabafti kishte hipur në automjetin e tij që ndodhej i parkuar para bashkisë

Një automjet u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar, duke lënë të vdekur në vend drejtuesin e makinës, Baki Xhabafti rreth 40 vjeç, pronar i një servisi në Vorë dhe dy bizneseve në Selitë të Tiranës.

Shpërthimi ndodhi pak minuta pasi Xhabafti kishte hipur në automjetin e tij që ndodhej i parkuar para bashkisë së Vorës. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se makina ishte në lëvizje kur shpërtheu në flakë.

Nga të dhënat paraprake mësohet se lënda eksplozive ishte vendosur poshtë automjetit, i cili u shpërbë thuajse tërësisht. Për kryerjen e këtij atentati autorët dyshohet se kanë përdorur një sasi të konsiderueshme eksplozivi me qëllim ekzekutimin e sigurtë të biznesmenit.

Pas shuarjes së flakëve u pa se makinës i kishte mbetur vetëm skeleti. Në vendngjarje  shkuan forca të shumta policie të cilat bënë rrethimin e zonës në një perimetër të gjerë.

Sipas policisë, pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve për shkak të hasmërisë, por nuk përjashtohen edhe konfliktet për trafiqet e drogës, ku Xhabafti dyshohet se ka qenë i përfshirë. Në njoftimin e policisë së kryeqytetit thuhet se ekspertët hetimorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të  Rënda kanë bërë administrimin e provave dhe po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë shoqëruar miq dhe familjarë të viktimës, të cilët kanë deklaruar se Xhabafti kishte shkuar te një i afërm i tij në Vorë.

/Enerida Malo/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar