Turistët nga Kosova zgjedhin Shëngjinin

Shëngjini është një nga destinacionet turistike më të frekuentuara nga turistët kosovarë. Jo vetëm për afërsinë gjeografike, por mbi të gjitha bukuria që ofron ky plazh dhe çmimet e përballueshme janë arsyet kryesore pse shumica e turistëve e kanë kthyer në një traditë ardhjen me pushime në Shëngjin. Bajram Shalaj, jeton në Zvicër prej vitesh,

Shëngjini është një nga destinacionet turistike më të frekuentuara nga turistët kosovarë. Jo vetëm për afërsinë gjeografike, por mbi të gjitha bukuria që ofron ky plazh dhe çmimet e përballueshme janë arsyet kryesore pse shumica e turistëve e kanë kthyer në një traditë ardhjen me pushime në Shëngjin.

Bajram Shalaj, jeton në Zvicër prej vitesh, dhe pothuajse çdo verë vjen t’i kalojë pushimet në Shëngjin së bashku me familjen e tij. Ai thotë se në krahasim me vite më parë Shëngjini po përmirësohet çdo vit e më shumë, si përsa i përket pastërtisë së plazhit ashtu edhe shërbimeve dhe çmimeve që ofrohen për turistët.

Nga eksperienca e tij krahasuar me vende të tjera, siç është për shembull Ulqini, çmimet këtu në Shëngjin janë 50 % më lirë. Bajrami ka vendosur që mos e ndërrojë Shëngjinin me plazhe të tjera.

“Kemi ardhur para një jave, kemi kaluar mirë, Shëngjini këtë radhë është më i pastër, por duhet të jetë edhe më i pastër. Nuk është vetëm përkujdesi i njerëzve këtu që e mirëmbajnë, por për mua është negativiteti më i madh kultura jonë, që do të thotë se edhe ne duhet ta mirëmbajmë plazhin, jo vetëm ata që punojnë këtu. Megjithatë vërej një ndryshim të madh në krahasim me vitet e mëparshme, ka qetësi më të madhe, kujdes më të madh, edhe mbrëmjet po ashtu kalohen shumë mirë. Unë kam ardhur nga Zvicra për të kaluar pushimet këtu, dhe jam absolutisht shumë i kënaqur, dhe ma merr mendja se nuk do të ndërroj vend, tashmë veç Shëngjinit. Edhe çmimet janë të arsyeshme, po them vetëm një krahasim, unë kam qenë edhe në vende të tjera, në Ulqin, por 50 % është më lirë këtu se sa në Mal të Zi”, thotë Bajrami.

Preng Kola prej 25 vitesh jeton në Gjermani. Ka mbetur i kënaqur nga pushimet që ka kaluar në Shëngjin, madje thotë se nuk e ndërron as me Kroacinë dhe as më Italinë.

“Kam 7 ditë që kam ardhur në Shëngjin së bashku me familjen. Unë kam qenë gjithandej, në Kroaci, Itali, por më bukur është këtu. Edhe shërbimi në hotel, pastërtia e palzhit janë të gjitha mirë, uji nuk është i keq, mirë është, mua më pëlqen. Unë jetoj në Gjermani prej 25 vitesh dhe vij shpesh këtu”, thotë Prenga.

Edhe Dritan Gashi një i ri nga Kosova ka ardhur në Shëngjin me familjen për të qëndruar së bashku disa ditë, thotë se i pëlqen shumë plazhi i Shëngjinit, dhe është hera e dytë që kthehet këtu për të kaluar pushimet. I pëlqen edhe jugu i Shqipërisë por veçse është pak larg.

“Kam ardhur me familjen, kemi 3 ditë këtu, nuk do rrimë gjatë sepse jemi për tu kthyer në Zvicër. Është hera e dytë që vij në Shëngjin, në Durrës kam qenë po ashtu. Plazhi dhe shërbimet më pëlqejnë shumë, plazhi është i pastër, kemi dëgjuar se është bukur edhe në jug, Sarandë, Ksamil, por është pak larg dhe nuk kemi kohë të rrimë më shumë”, thotë Dritani për Kosovapress.

Edhe dy pushuese të tjera vajza, thonë se u pëlqen Shëngjini, është i qetë, i pastër, dhe të tërheq të vish çdo verë.

“Mirë krejt, krejt mirë, kemi ardhur nga Kosova. Përveç Shëngjinit kemi qenë edhe në Sarandë, Ksamil. Saranda na pëlqen më shumë, por këtë vit zgjodhëm Shëngjinin sepse është më qetë dhe më mirë”, thotë një tjetër pushuese nga Kosova.

“Kam ardhur këtu me familjen time, jemi nga Tirana, do qëndrojmë për 10 ditë. Edhe vitin e kaluar ishim këtu, po ashtu kemi qenë edhe në plazhe të tjera, por Shëngjini më pëlqen shumë. Edhe notin e kam mësuar këtu”, thotë Anxhela, një vajzë nga Tirana.

Fundi i muajit korrik dhe muaji gusht është ajo periudhë e sezonit veror që numëron edhe numrin më të madh të turistëve vendas dhe të huaj që zgjedhin plazhet shqiptare për të kaluar pushimet e verës. Tashmë edhe më mbarimin e muajit të Ramazanit, pritet një fluks edhe më i madh turistësh nga Kosova drejt Shqipërisë. /RTK/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar