Takimi i tretë rajonal midis liderëve të Ballkanit Perëndimor, Kosova refuzon pjesëmarrjen, shkak Vuçiçi

0

Sot dhe nesër në Tiranë do të zbarkojnë liderët e Ballkanit Perendimor, ku do të mbahet takimi i tretë rajonal mes këtyre vendeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pasi ka falenderuar Edi Ramën për ftesën e ka refuzuar atë pasi sipas Thaçit Serbia akoma nuk e pranon gjenocidin që ka kryer kundër Kosovës.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës” shprehet Thaçi.

Ky takim vjen pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane. Kosova e ka refuzuar pjesëmarrjen edhe në dy takimet paraprake.

Ndërsa dje kryeministri Rama deklaroi se tryeza e radhës për projektin e Shengenit Ballkanik është pjesë e një procesi ku veç ëndrrës ka dhe një plan konkret pune të mirëstudiuar. Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e vëllezërve amerikanë.

“Ne kishim rënë dakord që do bënim këtë samit në Durrës dhe përkon koncerti me një ditë përpara samitit, ku s’do jenë vetëm Presidenti i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jenë dhe të tjerë. Do vijë nga SHBA, nuk e di nga Kosova. I dërguari special, Palmer, më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do dërgojë dy persona të posaçëm nga DASH në mbështetje të këtij procesi”-, tha Rama.

“Vuçiç ishte skandaloz në drejtim të deklaratave për “Kaçakun”, unë e thashë me zë të lartë. Kjo ishte vërtet një simptomë e faktit se Serbia nuk është shkëputur deri në fund nga e shkuara e saj. E dyta, unë s’e dua paqen, dhe nuk e dua Shengenin rajonal dhe nuk e dua transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder apo për të mirë të Serbisë. Unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”, theksoi ai.

A.Q

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here