“Thithja e maturantëve të suksesshëm, strategji e Universitetit Bedër”

0

Intervistë me rektorin e Universitetit Hëna e Plotë (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana

Intervistoi: Sidorela Jança

 

Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër) ka tre vite që ushtron aktivitetin e tij në fushën e arsimit të lartë. Si titullar i këtij institucioni, si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Universitetit Bedër?

Gjithmonë një institucion i ri ka sfida të mëdha, sepse krahas shumë angazhimeve dhe punëve rutinë që ka në çdo institucion, ka edhe pjesën e themelimit ose vendosjen e sistemit. Kemi vendosjen e sistemit edhe në aspektin e brendshëm ku përfshihet komunikimi institucional, përcaktimi i punëve të secilit, ndjekja e këtyre punëve derisa personeli të ambientohet me detyrën që ka brenda institucionit. Pjesa e dytë është pjesa e jashtme, ku kemi të bëjmë me institucionet e tjera.

Pjesa e parë është e vështirë për shumë arsye. Kur institucioni është i ri, është në një fazë ku i gjithë stafi vjen nga institucione të ndryshme, vjen me kultura dhe përvoja jo të njëjta. Nuk është e njëjtë përvoja që ka dekani me përgjegjësit e departamentit ose përvoja e stafit administrativ me ato të një pedagogu. Kur këto përvoja i kthen në avantazh duke i konsideruar si vlera dhe i bashkon me njëra-tjetrën, atëherë ato kthehen në pozitive. Por në momentin që formohen  grupe brenda grupeve, duke pasur njerëz që nuk krijojnë sinergji me njerëzit e tjerë, atëherë kjo është një sfidë e madhe. Kjo mund të konsiderohet si një nga sfidat kryesore në një institucion te ri.

Përsa i përket arritjeve gjatë këtyre 3 viteve, mund të them me plot gojë që institucioni ka pasur një arritje të shpejtë, ndoshta mbi parashikimet e gjithkujt, edhe parashikimeve të mia personale. Kjo ka qenë një burim energjie, optimizmi dhe perspektive për stafin dhe studentët.

Një nga prioritetet e universitetit është pranimi i maturantëve me notë mesatare të lartë. Sa është realizuar ky qëllim?

Pranimi i studentëve të suksesshëm është një nga objektivat strategjike të universitetit tonë, sepse për të pasur një institucion arsimor të cilësisë së mirë duhet t’i përmbahemi tre komponentëve parësore: 1-Infrastruktura (ambientet, biblioteka, laboratorët, klasat të jenë të një standardi të mirë etj). 2-Stafi akademik dhe administrativ. Duhet të kemi pedagogë të përgatitur, aktivë, të devotshëm). 3-Cilësia e studentit.

Që nga viti i parë cilësia e studentit ka pasur një nivel të mirë. Pritshmëritë janë arritur rreth 70-80 %, por mosarritja në 100 % nuk mund të konsiderohet si problem, sepse institucioni i ri ka një vështirësi në tërheqjen e studentëve dhe se  kjo është diçka që nuk dihet.

Përgjithësisht ne kemi pranuar studentë të mirë ku edhe mesatarja e përgjithshme e klasës në gjimnaz ka qenë ndërmjet 8.5 dhe 9, e cila është një mesatare relativisht e kënaqshme dhe që tregon një cilësi të mirë të studentëve.

Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) ofron bursa studimi për më të mirët e maturës shtetërore në bazë të nivelit të pikëve. A do të ketë alternativa të tjera për të rritur numrin e maturantëve cilësorë në këtë universitet?

Cilësia e studentëve nuk mund të realizohet vetvetiu, thjesht duke menduar që nuk do vijnë studentë cilësorë. Për këtë duhen ndjekur politika te qarta. Një nga këto politika të ndjekura  është bursa. Universiteti ynë gjatë këtyre viteve ka pasur shumë lloje bursash, si për shembull ajo e maturës, e olimpiadave, konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare,  e aftësive të tjera përveç suksesit në shkollë, si në art, sport etj. Politika e konsoliduar e bursës do vazhdojë,  do të jetë një nga pjesët e rëndësishme të institucionit. Përveç alternativës së bursës nuk do të ketë alternativa të tjera, sepse vetë bursa është shumë e gjerë. Ka shumë zëra që përfitojnë bursa, për shembull studentët me aftësi të kufizuara. Kjo teknikë e bursave do të vazhdojë për të pasur më shumë studentë, më shumë kërkesa, si dhe më shumë pranime.

Së fundmi Ministria e Arsimit dhe Sporteve shpalli datat për provimet e maturës shtetërore, të cilat fillojnë më 31 maj dhe përfundojnë më 30 qershor. Çfarë mesazhi u përcillni të gjithë atyre maturantëve që do t’i nënshtrohen provimeve të maturës?

Studentët që do të jenë maturantë këtë vit i uroj suksese dhe shpresoj të bëjnë zgjedhjen më të mirë për karrierën e tyre  profesionale. Sa më te sinqertë me veten e tyre dhe të shikojnë se ku janë më tepër të prirur. Të zbulojnë veten e tyre dhe sipas kësaj të marrin një vendim për përzgjedhjen e universitetit. Ta bëjnë këtë përzgjedhje duke u konsultuar, duke marre këshillat e nevojshme nga njerëzit që u besojnë më shumë. Duke menduar që jeta është sa e gjatë, aq edhe e shkurtër, një nga pikat me kritike është zgjedhja e profesionit. Kjo është një pjesë e rëndësishme sepse me profesionin maturanti do të kalojë të gjithë jetën e tij. Profesioni i tij nesër do të jetë mishërim i një pjesë të tij siç ai e ka emrin, identitetin e familjes, kulturës që ai përfaqëson etj.

Pse u rekomandoni maturantëve të zgjedhin Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër)?

Unë nuk iu rekomandoj të gjithë maturantëve të zgjedhin universitetin tonë. Unë ua  rekomandoj atyre të cilëve kanë prirje në ato fusha që ofron Universiteti Bedër, të tilla si drejtësia, shkenca komunikimi, mësuesia, etj. Do isha shumë i padrejtë nëse do t’u thosha të gjithëve, ejani se do e gjeni veten këtu. Jo të gjithë e gjejnë veten kudo. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm për studentin, i cili duhet të konsultohet dhe të shikojë të gjitha institucionet e ndryshme që ka si alternativë zgjedhjeje dhe më pas të gjykojë se ku mund të formohet në aspektin profesional sa i përket institucionit të lartë.

E dyta se përse nuk ua rekomandoj Universitetin Bedër për prirjet që kanë, është sepse departamentet në universitetin  tonë kanë një vështirësi të caktuar, e cila vjen nga cilësia e studentëve. Kështu që ata studentë të cilët do të aplikojnë këtu, duhet të dinë që i pret një sfidë e bukur gjatë viteve akademike, e cila nëse kalohet me sukses do t’u sjellë shumë të mira në profesion dhe në jetë. Sigurisht që kjo nuk është e lehtë të kalohet pa punuar, pa lexuar, pa realizuar detyra, projekte, provime, pa qenë i devotshëm etj.

Kështu që u bej thirrje të zgjedhin Universitetin Bedër vetëm atyre maturantëve të cilët pak a shumë janë brenda kësaj kornize.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here