Taksa e re, 100 euro për importuesit e Kosovës

Taksa e re, 100 euro për importuesit e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën e re 100 euro për importuesit e mallrave me kamionë nga Maqedonia, Serbia dhe Mali I Zi. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë për “Zërin” se kjo taksë është rezultat i reciprocitetit me këto shtete, me të cilat Kosova nuk posedon marrëveshje të tilla. Lah Nitaj, këshilltar i

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën e re 100 euro për importuesit e mallrave me kamionë nga Maqedonia, Serbia dhe Mali I Zi.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë për “Zërin” se kjo taksë është rezultat i reciprocitetit me këto shtete, me të cilat Kosova nuk posedon marrëveshje të tilla.

Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota, ka pohuar se deri më tani kompanitë kosovare për të kaluar nëpër Serbi, në kufij është dashur ta paguajnë taksën rrugore prej 100 eurosh.

Ndërkaq, sipas tij, kamionët e Serbisë dhe nga shtetet e lartpërmendura kur kanë hyrë në Kosovë nuk kanë paguar asnjë cent. “Kjo është masë reciprociteti për t’i mbrojtur kompanitë eksportuese kosovare. Kjo taksë do të vlejë edhe për shtete e tjera të rajonit, me përjashtim të Shqipërisë, sepse kjo e fundit nuk ka aplikuar asnjëherë taksë për kamionët kosovarë që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë”, tha ai.

Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se Qeveria e Kosovës këtë taksë e ka vendosur pa u konsultuar më parë  me konsumatorin.

“Qeveria duhet ta mbrojë interesin e konsumatorit, e jo ta dëmtojë atë. Kur merren vendime të tilla Qeveria duhet të marrë rekomandime nga konsumatori, por në këtë rast dhe në rastet e tjera Qeveria e Kosovës asnjë herë nuk e ka bërë një gjë te tillë. Janë marrë vendime që e kanë dëmtuar konsumatorin”, tha Kaçaniku.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, mendon se taksa e vendosur nga Qeveria është në të mirë të shtetit të Kosovës. Ai ka theksuar se nëse deri më tash kompanitë kosovare e kanë paguar këtë taksë duke tentuar të eksportojnë në Serbi, apo Maqedoni, ndërkaq tash e tutje edhe Serbia e Maqedonia duhet të paguajnë ketë taksë nëse dëshirojnë të eksportojnë prodhimet e tyre në Kosovë.

Që nga vendosja e kësaj takse, disa transportues të mallrave i kanë parkuar kamionët e tyre në hyrje të pikave të ndryshme kufitare, duke e refuzuar pagesën.

 

/ Elta Liksenaj /

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar