Shuhet artistja e madhe Vaçe Zela

Artistja e madhe e skenës shqiptare, Vaçe Zela, ndërroi jetë sot në moshën 74 –vjeçare në Basel të Zvicrës, pas një sëmundje të gjatë. Vaçe Zela lindi në Lushnjë në vitin 1939 dhe më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeçe. Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa qe gjallë

Artistja e madhe e skenës shqiptare, Vaçe Zela, ndërroi jetë sot në moshën 74 –vjeçare në Basel të Zvicrës, pas një sëmundje të gjatë.

Vaçe Zela lindi në Lushnjë në vitin 1939 dhe më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeçe. Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa qe gjallë me titullin “Nderi i Kombit.

Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela do të prehet në atdhe.

Karriera e suksesshme e këngëtares

“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare.

Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur, ku numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jetonte në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

/Objektiv.al/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar