Shifra marramendëse: Të ardhurat nga kultivimi i drogës në Shqipëri arrijnë në miliarda euro

0

Kapja e tonelatave me hashash në Shqipëri, ose në brigjet e fqinjëve, sidomos në Itali është bërë një lajm i përditshëm tashmë, që nuk po habit më askënd.

6

 

Por, sa janë të ardhurat që vijnë nga shitja e këtij produkti, që për vetë riskun e lartë që mbart, ka një vlerë të konsiderueshme shitjeje?

“Monitor” është munduar të bëjë një vlerësim, nisur nga dy të dhëna indirekte, atë të rrënjëve të asgjësuara nga policia (për vitin 2016) dhe sasive të kapura nga policia përgjatë viteve 2016-2017, kur u tentua trafikimi i prodhimit masiv të 2016-s. Të dy vlerësimet të çojnë në një rezultat të ngjashëm se, vlera e drogës së kultivuar në vitin 2016 i kalon 1.2 miliardë euro, e konvertuar si vlerë e mbetur në ekonominë vendase.

Të ardhurat e vlerësuara nga droga llogariten në rreth 10% të PBB se në 2016 (1.5 trilionë lekë). Kjo shumë është katër herë më e lartë sesa vlerësimi që ka bërë UNODC (Zyra e Kombeve të bashkuara për Drogën dhe Krimin), për vitin 2014, ku fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave në Shqipëri janë sa 2.6% e prodhimit të brendshëm bruto apo rreth 300 milionë USD për vitin 2014.

Më poshtë jepen vlerësimet për të ardhurat nga kultivimi i narkotikëve

Vlerësimi i parë, përmes sasisë së rrënjëve të asgjësuara:

Sipas të dhënave zyrtare gjatë aksioneve masive antikanabis gjatë vitit 2016 janë asgjësuar 1.5 milionë rrënjë.

Nisur nga sasitë e kapura pas aksionit të vjeshtës 2016 vlerësimet janë se është asgjësuar minimalisht më pak gjysma e prodhimit. Pra rreth 2 milionë rrënjë të prodhuara që janë hedhur në treg ose janë stok ende ne magazina.

 

Burimet nga tregu shpjegojnë se, rendimenti minimal i bimës që ka periudhë kultivimi 6-mujore është 1 kilogram për një rrënjë me një çmim mesatar (përfshirë kostot e prodhimit, përpunimit, magazinimit, transportit) në pjesën shqiptare është mesatarisht 800-900 euro/kg), për shkak të zhvlerësimit të bimës nga superprodhimi. (Të dhënat e fundit nga përgjimet e Dosjes së Habilajve nga prokuroria italiane bënë të ditur se çmimi i shitjes së një kg hashashi në tregun italian ishte rreth 1500 euro, nga të cilat 60% ishte kosto deri sa mbërrin produkti në palën italiane, pra rreth 900 euro).

Kalkulimet, për 2 milionë rrënje, me një ardhur mesatare në anën shqiptare prej 800-900 euro/kg sugjerojnë se vlera e 2 milionë rrënjëve që i kanë shpëtuar asgjësimit është 1.2-1.35 miliardë euro.

Vlerësimi i dytë, sipas sasive të kapura

Një shifër e ngjashme vërtetohet indirekt edhe nga të dhënat e policisë.

Sipas të buletinit zyrtar të Ministrisë së Brendshme gjatë periudhës janar-tetor 2017, bashke me deklaratat prokurorisë së Leçes janë sekuestruar 100 tonë kanabis, nga të cilat 25 tonë në vendin fqinjë.

Duke llogaritur dhe sasinë e kapur në 2016-n janë në total rreth 130 ton.

Sasia e kapur është edhe më e lartë pasi në përllogaritje nuk janë përfshirë sasitë e kapura në Greqi, Gjermani dhe Maqedoni. Vlera e mbetur në ekonominë shqiptare e një kilogrami kanabis është rreth 800-900 euro pas rënies së çmimeve. Në total droga e sekuestruar këtij viti vlerësohet 900-100 milionë euro.

Praktika sugjeron se me një mesatare ndërkomëtare policia arrin të sekuestrojë një të dhjetën e sasisë, pra sasia e prodhuar arrin në 1300 ton. Ndaj vlera e drogës e kapur nga policia e dhjetëfishuar tregon një të ardhur të mbetur në ekonominë shqiptare me rreth 1 miliardë euro.

Një pjesë e kësaj vlerë tashmë ka hyrë në ekonomi, por sipas burimeve nga tregu stoqet janë të mëdha, pasi grupet e trafikut janë pritje të çmimeve më të larta. Në këto përllogaritje nuk janë përfshirë të ardhurat nga kokaina. Nga janari në gusht policia e shtetit në buletinet mujor të saj ka sekuestruar 17 kilogramë heroinë dhe 1.7 kilogramë kokainë, pa përfshirë kapjet e këtyre substancave narkotike ne vendet fqinjë me origjinë nga Shqipëria.

XH.ZOGU

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here