Serbët protestë në Ibër, thirrje për bojkotim të zgjedhjeve

0

Dhjetëra serbë të veriut të  Kosovës  marshuan të enjten në mesditë  rrugëve në veri, e deri tek ura kryesore mbi lumin Ibër,në protestën që u thirr kundër zgjedhjeve komunale dhe marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zgjedhjet e 3 nëntorit do të dështojnë në veri, sepse serbët veriorë, nuk janë tradhtarë për të votuar kundër shtetit të tyre!
Një propagandë e tillë u dëgjua dje  në veri të lumit Ibër, ku nga mikrofoni jehonte thirrja për bojkot të procesit zgjedhor që organizohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Kush po frikësohet? Ka të atillë që frikësohen! Por edhe kjo është veti e njeriut. Nuk duhet të merremi shumë me gjënë se njerëzit po frikësohen. E rëndësishme është që atë ditë (të zgjedhjeve më 3 nëntor) njerëzit të mos dalin të votojnë”, tha Vladimir Rakiq, anëtar i bordit organizues të marshit protestues anti-zgjedhor, nga i ashtuquajturi Kuvendi i Përkohshëm Serb në Kosovë.

Qëndrim të tillë mbanin në protestë edhe pjesëmarrësit.

“Të gjithë ata që mendojnë me kokën e tyre, dhe nuk veprojnë nga frika se do të humbin vendin e punës, dhe kërcënimeve që po i përçojnë funksionarët shtetërorë, mendojnë njësoj se nuk duhet të dilet në këto zgjedhje, sepse ato pikërisht këtë parashohin, shuarjen e institucioneve të tyre, humbjen e vendeve të tyre të punës, dhe humbjen e asaj për të cilën kemi luftuar tash e 14 vjet.

Dhe mbi të gjitha, kjo sjell njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës”, tha  Nemanja Jakshiq një qytetar që iu bashkëngjit protestës. Protesta në veri vjen në kohën kur Prishtina dhe Beogradi po shkëmbejnë akuza për mosrespektim të marrëveshjes për normalizim të raporteve, që u nxit për shkak të pjesëmarrjes së funksionarëve serbë  në fushatën parazgjedhore.

Politika zyrtare serbe iu ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje, dhe se këtë ftesë personalisht do t’ua bëjnë krerët më të lartë shtetëror serb gjatë vizitave në terren.

Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic pritet që javës së ardhshme të vizitojë Kosovën.

“Është e paraparë që, nëse mbetet ashtu sic jemi pajtuar, atëherë deri në fund të javës së ardhshme kjo vizitë të realizohet”, tha shefi i qeverisë serbe.

Por në protestën e së enjtes në veri, del se vizita e kryeministrit serb nuk është edhe aq e mirëseardhur, pasi ai do të bëjë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.

/Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here