Rrugëtim apo destinacion ?

Sidorela Jança Njeriu mund të mendojë çdo gjë sepse fundja një qënie e tillë është. Nuk ka limite në të menduar. Limitet e tij vijnë më pas, në atë të perceptuarit. Mund të mendosh se ke një jetë dhe t’a shfrytezosh këtë jetë në maksimum. Mund të luftosh për të arritur suksese në këtë jetë,

Sidorela Jança

Njeriu mund të mendojë çdo gjë sepse fundja një qënie e tillë është. Nuk ka limite në të menduar. Limitet e tij vijnë më pas, në atë të perceptuarit. Mund të mendosh se ke një jetë dhe t’a shfrytezosh këtë jetë në maksimum. Mund të luftosh për të arritur suksese në këtë jetë, por për çfarë maksimumi do të luftosh vallë? Saktësisht, për çfarë suksesesh po flet?

Ne këtë rast po i drejtohem njeriut në pergjithesi, jo në një përgjithesim siç bën Sami Frashëri tek “Përsëri Njeriu”. Ky është një përgjithësim mental, një përgjithësim i të gjithë njerëzimit në përpjestim të drejtë me vetë jetën, jo me ndarjen e njerezve në rraca, ndryshime të theksuara të aparencës si për shembull ngjyra e flokëve, e trupit, e syve, madhësia nofullës dhe fytyrës, gjinia, përsoshmëria, dallimi i rracave nga pikëpamja psikologjike dhe filozofike, doket, zakonet, fetë, etj. Sami Frashëri shkruan: “Disa vjet më  parë pata shkruar një vepër me titullin ‘Njeriu’. Tema për njeriun është aq e gjerë sa që , po të shkruheshin , jo një vepër e vogel e këtille, por edhe vëllime e libra të shumtë , përsëri do të mbetej dic për të thënë.”

Pra, gjithkush, nëse mundohet të shkruajë për njeriun, jo vetëm që do të ndihet tepër konfuz, por edhe nuk do të dijë të përqëndrohet në temën e tij konkrete. Ndonjeherë është më e rëndësishme të mendosh mënyrat se si do t’a trajtosh një teme, saktësimin dhe specifikimin e saj, e sidomos kur bie fjala për njeriun. Kjo ka të bëjë me anën e prekshme të rastit në fjalë. Unë më tepër do dëshiroja të ndalesha tek metafizika, tek ato që ekzistojnë por që nuk mund të preken, të tilla siç është mendimi, ndjenja, lumturia, gëzimi, lëndimi, mërzitja, kokëfortësia, arroganca e të tjera po të këtij lloji.

Janë pikërisht këto pjesë përbërëse, ekzistenca e të cilave mundëson rrugëtimin e njeriut që nga lindja e deri ne vdekje. Synimet e njeriut per të dominuar në këtë jetë, fokusimi tek fitorja (duke e pranuar ose jo humbjen), bëjnë të mundur edhe ekzistencën e destinacionit. Ka njerez dominues të tillë në këtë jetë  që mundohen t’i drejtojnë të gjitha rrugët e mundshme të jetës drejt destinacionit. Ideologjizma të ndryshëm ekzistente, kanë mundur t’ia ndryshojnë rrugën e jetës shumë njerëzve të cilët kanë patur primare destinacionin, dhe tashmë kanë rrugëtimin, por ka ndodhur edhe e kundërta. Nuk përjashtohet as mundësia që ideologjizmat mund të mos kenë patur as rolin më të vogël në zgjedhjen e rrugëtimit apo destinacionin e vetë njeriut.

Jeta është një rrugëtim në veten e saj, por ajo që mbetet enigmë, është destinacioni. Mund ta konsiderojmë destinacionin si diçka të paarritshme, shumë të largët, por ato që na e afrojnë janë zgjedhjet që bën vetë njeriu në jetë. Pra njeriu me anë të cilësive të tij metafizike, të cilat i gëzon, s’mund të bëjë një zgjedhje konkrete mes rrugëtimit apo destinacionit. Meqënëse jeta është një rrugëtim, atëhere prioritet i jepet përfitimeve të cilat perftohen nga ky rrugetim, të tilla si eksperienca, rëniet duke luftuar për destinacionin etj. Pra destinacioni vetë nuk është i kufizuar. Dimë që ka shumë destinacione, përderisa edhe vetë njeriu si qënie, duke qënë se ka edhe shumë dëshira dhe synime, edhe për destinacionin mbeten alternativa të shumta.

Shpesh herë njeriu ëndërron shumë. Kjo vjen si pasojë e lirisë për të menduar, perceptuar, ëndërruar dhe vepruar. Synon për të arritur të mundurën por edhe të pamundurën. Per t’i realizuar këto synime, njeriut fillimisht i duhet të rrugëtoje. Kështu, me anë të rrugëtimit njeriu përfiton eksperienca, njohje, mënyra të përfitimit etj, dhe në fund vjen destinacioni. Nuk mund të bëhët një njeri kryeministër pa u bërë fillimisht një anëtar partie. Nuk mund të bëhesh biznesmen i zoti pa e njohur botën e biznesit.

Duke marrë parasysh të gjithë dritëvijën e jetës sonë, harku kohor i së cilës është i kufizuar, dhe unë personalisht nuk mund të zgjedh rrugjëtimin pa destinacion dhe destinacionin pa rugëtim. Nëse do  të ndodhte e kundërta, s’do ishim duke bërë gjë tjetër përveçse të gënjenim veten tonë. E nëse njeriu do t’a mendonte, atëhere realiteti nuk do ishte gjë tjetër veçse një mashtrim perfekt, të përkryer me levizje misterioze, sikur të jesh duke  luajtur  shah, dhe në fund të mendosh e t’i drejtosh vetes një pyetje: për çfarë luftove vallë, për atë shah mat që fundja një lojë është, të cilën po të duash edhe e luan përsëri. Dhe përsëri fillon e njejta gjë, e njejta lojë edhe pse tashme e shoqëruar me lëvizje disi më ndryshe nga ato të lojës së parë. Nuk ishte humbje, as fitim, ishte thjesht loja që luajte e titulluar  rrugëtimi dhe shah mati, domethënë destinacioni yt.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar