Rreth 2000m² për varrezat e Sharrës

0

Nis puna për prishjen e 16 bunkerëve, të regjimit komunist në Sharrë, me qëllim përfitimin e 2 mijë metrave katrorë sipërfaqeje, për ndërtimin e parcelave të reja në këtë zonë. Kjo është nisma më e fundit e Bashkisë së Tiranës, e cila ka gjetur si zgjidhje të përkohshme zhdukjen e bunkerëve, proces që do të vijojë në ditët në vazhdim, për t’i hapur rrugën ndërtimeve të varreve të reja në Sharrë.

Vetëm dje, nëpërmjet shembjes së disa bunkerëve, është liruar një hapësirë prej 1000 metrash sipërfaqe truall, ndërsa puna do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, deri kur të arrihet një hapësirë prej 2 mijë metrash katrorë.

Kjo iniciativë vjen si pasojë e mbylljes së dy varrezave publike në kryeqytet, përkatësisht të Tufinës dhe Sharrës, ku te kjo e fundit, ndërtimi i parcelave të reja, është ndërprerë me urdhër të ndërmarrjes së funeraleve në Bashkinë e Tiranës, që prej vitit 2010. Mirëpo sipas nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, kjo zgjidhje, duke qenë alternativë e përkohshme, do t’u shërbejë qytetarëve për një periudhë kohore prej dy muajsh, ndërsa ata që do të ndahen nga jeta pas këtij afati, do të mbeten pa një varr për t’u prehur, situatë kaotike, që vitet e fundit është kthyer në çështje problematike për komunitetin në vend.

/Enerida Malo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here