Rama: T’i japim kohë PD-së të përgatitet

Rama: T’i japim kohë PD-së të përgatitet

Ditën e djeshme grupi parlamentar i PS-së diskutoi për kohën që i duhet lënë opozitës për të studiuar programin e qeverisë së re. Në mbledhjen që u zhvillua dje pasdite, ku mori pjesë edhe vetë kryeministri dhe njëherësh kryetari Rama, disa prej deputetëve kanë propozuar që PD-ja të ketë më shumë kohë në dispozicion për

Ditën e djeshme grupi parlamentar i PS-së diskutoi për kohën që i duhet lënë opozitës për të studiuar programin e qeverisë së re. Në mbledhjen që u zhvillua dje pasdite, ku mori pjesë edhe vetë kryeministri dhe njëherësh kryetari Rama, disa prej deputetëve kanë propozuar që PD-ja të ketë më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për programin.

Burimet nga mbledhja e grupit bënë të ditur se, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Spartak Braho e Koço Kokëdhima, kanë qenë në një mendje, që seanca e parlamentit të niste në orën 10:00 me prezantimin e programit nga kryeministri Rama e më pas, rreth orës 18:00 pasdite të fillohet me pyetjet dhe debatin për programin, në mënyrë që të përmbushet edhe kërkesa e opozitës për të pasur më shumë kohë në dispozicion.

Mësohet se kryeministri Rama dhe kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, kanë pyetur deputetët se kush do të përgatitet për të diskutuar për programin në seancën parlamentare, dhe asnjë nuk ka ngritur dorën, përveç Arben Çukos. E më pas, duke parë që nuk ka pasur shumë gatishmëri, Ruçi porositi të gjithë deputetët të përgatiten që të diskutojnë sot.

Disa minuta pas mbledhjes së grupit parlamentar, në selinë e PS-së u zhvillua një tjetër takim. Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, si dhe drejtuesit përkatës të grupeve parlamentare të PS-së e LSI-së, diskutuan sërish për sa i përket seancës së sotme, të lajmëruar në orën 11:00. Mësohet se nga kjo mbledhje u vendos që seanca të vijojë në orën 11:00, të nisë paraqitja e programit nga zoti Rama, nëse nuk do të ketë ndonjë të papritur me dekretimin e emrave të ministrave nga ana e Presidentit Bujar Nishani, e më vonë, rreth orës 17:00, Kuvendi të mblidhet sërish në seancë për të vijuar debatin e diskutimet, sipas rregullores.

Burimet nga kjo mbledhje bëjnë të ditur që drejtuesit e PS-së në këtë takim,  janë shprehur se: “Në vitin 2005, opozita e sotme na la vetëm 12 orë kohë për të parë programin e qeverisë së saj, ndaj 24 orë janë të mjaftueshme”. Ditën e sotmë  pritet që para nisjes së seancës Presidenti Nishani të dekretojë emrat e ministrave të kabinetit “Rama”. Ndërsa dje paradite ai thirri vetë Ramën dhe e dekretoi si kryeministër të vendit. Rama u paraqit në Presidencë vetëm 4 minuta para takimit dhe për rreth 30 minuta ai bisedoi me Presidentin Nishani. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, Presidenti Nishani i uroi zotit Rama punë të mbarë në detyrën e tij. Të dy krerët ndanë pikëpamje të njëjta për vijimësinë e bashkëpunimit institucional. E pas dekretimit të Ramës, Ps-ja dorëzoi menjëherë po në Presidencë emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritar dhe pritet që ata të dekretohen para nisjes së Parlamentit.

/Jonida Halili/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar