PESHKOPIA, DHE TË RINJTË QË VEÇ DUAN TË IKIN

0

Një ndër plagët historikisht më të rënda të shoqërisë sonë ka qenë kurbeti. Kjo lëvizje e njerëzve, kryesisht burrave, në vende të huaja me qëllim punësimin dhe fitimin e parave, duke siguruar kështu bukën e gojës dhe jetesën e pjestarëve të tjerë të familjes, sot ka marrë përmasa të tjera. Sigurisht shkaqet janë po ato, problemet ekonomike, ndërsa pasojat janë sigurisht më të rënda. 

Sot të rinjtë nuk shkojnë në kurbet, por emigrojnë. Pra ikin për të mos u kthyer kurrë. E lëshojnë vendin e tyre, pikërisht se nuk “i mban vendi i tyre”.

Edhe pse është një fenomen kombëtar, do trajtojmë vetëm zonën e Dibrës, si një zonë dikur me potencial për t’u zhvilluar, sot po zbrazet gjithnjë e më keq.

Për arsye pune mu desh që të isha për dy ditë në Dibër dhe të vizitoja gjimnazet e vendit tim. Nga i pari tek i fundit situata është e njëjtë. Të gjithë i përshkon e njëjta frymë, e njëjta qasje, e njëjta shpresë për të ardhmen: të ikin. 
Gjimnazet mbizotërojnë nga vajzat, dhe djem ka çdo vit  e më pak. Edhe ata që janë nuk shprehin ndonjë interes kushedi çfarë për të studiuar, sigurisht edhe ata e kanë mendjen jashtë.

Sigurisht që problemet nisin prej tek vetja. Të njëjtën situatë paraqesin edhe fshatrat. Siç edhe fshati im.

Sohodolli është i shkretë, pa të rinjë. Rrugët të hanë me vetmi, rrallë tek tuk dëgjon ndonjë të lehur qeni. Të lehurat jehojnë e shumfishohen vetiu. Kjo vetmi më nxit të mendoj shkakun e kësaj shkretie në Sohodoll, dhe me një numërim të shpejtë më dalin që mbi 20 djem nga lagjia ime janë në Angli, 4-5, në Greqi, 3-4 në Itali dhe disa të tjerë në Tiranë. Nga kontaktet që kam, një pjesë e mirë nuk pretendojnë të kthehen më në fshat.

Pikërisht kështu e boshtatiset  Sohodolli. Fill mandej të gjitha fshatrat, në të njëjtën logjikë. Të gjithë fëmijët edukohen me të ikurit, me arratinë nga vendi i tyre. Edhe ata që edukohen me arsim, e bëjnë me objektivin e vetëm për të ikur.

Pas 9 vjetësh u ktheva në Gjimnazin “Gjergj Kastioti” Kastriot. Aty para pesë vitesh pata kryer të mesmen, dhe kthehesha i arsimuar, i bindur se ku po shkoj. Me dëshirë dhe me një mal kujtime futem në portën e oborrit të shkollës. Heshtje vrasëse. Veriu që fryn të ther në palcë. Brenda të mbyt zymtësia. Shumë më pak nxënës, shumë më pak gjallëri.

Shumica e maturantëve që kontaktova e kanë mendjen veç për të ikur. Janë të bindur që aty nuk jetojnë. Kanë dëgjuar plot nga prindërit dhe familjet e tyre.

Këta të rinjë janë pa lekë, me pak dije, me prindër të papunë, dhe më e rënda, janë pa shpresë.

Gjëja më e keqe që mund të bëjë një qeverisje: të vrasë shpresën.

Nga Alban Tufa

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here