Përurohet shtatorja e ish-presidentit Rugova

Përurohet  shtatorja e ish-presidentit Rugova

Është  përuruar sot në Prishtinë shtatorja e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova Zbulimi  u bë me një ceremoni shtetërore, me mbështetjen e Presidencës së Kosovës, Forcës së Sigurisë si dhe me pjesmarrjen e shumë personaliteteve politike. “Sot , është një ditë shumë e veçantë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por sidomos për

Është  përuruar sot në Prishtinë shtatorja e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova

Zbulimi  u bë me një ceremoni shtetërore, me mbështetjen e Presidencës së Kosovës, Forcës së Sigurisë si dhe me pjesmarrjen e shumë personaliteteve politike.

“Sot , është një ditë shumë e veçantë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por sidomos për qytetarët e Prishtinës, të cilëve, që nga dita e sotme e përjetë, sheshit të tyre qendror do t’i shtohet  shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova,” tha në fjalën e vet kryetari i komunës së Prishtinës dhe njëherësh kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

“Rugova, mjeshtëri i artit poetik dhe dijetari, doli në ballë të popullit të Kosovës, në orët më të liga të historisë së re të kësaj pjese të Evropës. Ndërsa ish-federata jugosllave po shembej nga flakët e luftës dhe nga krimet e tmerrshme, fushata antishqiptare tashmë kishte rimarrë hov në Kosovë.
Më lejoni të kujtoj se në janar të vitit 2006, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Geroge Ë. Bush, në letrën ngushëlluese për familjen Rugova dhe popullin e Kosovës, shkruante: “Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë.
Gjatë viteve të konfliktit, Rugova ishte zëri i arsyes dhe i maturisë, që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë themelet e një të ardhmeje paqësore”.
“Ashtu si Presidenti amerikan Abraham Lincoln, Presidenti Rugova është bërë njeriu i epokave”, shkruante Senatori Dol.

Arkitekt i shtetit të pavarur të Kosovës, Rugova, po ashtu, është inicuesi e themeluesi i simboleve që ruajnë, tregojnë e afirmojnë identitetin e këtij vendi. Ai propozoi Flamurin e Dardanisë, si shenjë e pranisë së pashkëputshme iliro-arbërore në këto treva; Ai propozoi himnin “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, për të nderuar sakrificat e popullit të Kosovë për çlirim kombëtar.

Ai e rilindi Darkën e Lamës, që është sofra jonë bujare tradicionale, nëpërmjet së cilës shqiptari ka ditur gjithmonë ta nderojë mysafirin/mikun, por edhe të falënderojë Zotin për të gjitha begatitë e të mirat”, tha ndër të tjera Isa Mustafa.

Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga foli për figurën e Ibrahim Rugovës në pavarësinë e Kosovës.

“Sot është një ditë historike, është një ditë e lumtur për të gjithë ne, për të gjithë miqtë tanë sepse nga sot përjetësisht në këtë vend në Sheshin kryesor të Prishtinës, të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të qëndrojë shtatorja e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, si përmendore që na kujton gjithë veprimtarinë e këtij intelektuali, të këtij veprimtari, të këtij burrështetasi, të këtij vizionari që nëpërmjet atdhedashurisë e përkushtimit të paluhatshëm besoi dhe ndërtoi platformën politike dhe shtetin tonë, Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, duke na bërë neve popull të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm, që i kthehemi rrënjëve tona  në familjen e civilizimit evropian.
Kjo shtatore e Presidentit tonë themeltar, na nderon neve, na kujton e dëshmon, për  rrugën që e kaluam gjatë historisë, për sakrificën që e bëmë gjatë shekujve, për Liri, Pavarësi, Demokraci”, tha ndër të tjera presidentja Jahjaga.

Zbulimin e shtatores e bënë kryetarja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, bashkëshortja e ish – presidentit, Fana, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa.

/Elta Liksenaj/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar