Përmbytjet në vend regjistrojnë sot viktimën e parë

0

Përmbytjet që kanë përfshirë pothuajse gjysmën e vendit ditët e fundit shënuan sot viktimën e parë. Ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin sotëm në Pogradec, ku si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Vërdov ka humbur jetën një 38-vjeçare.

Burime nga Policia e Pogradecit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. 38-vjeçarja Monika Abrashi ishte jashtë oborrit të shtëpisë së saj, kur dalja e lumit nga shtrati e ka marrë në rrjedhën e tij.

Policia e lajmëruar menjëherë ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur punën për gjetjen e trupit të viktimës.

Burimet policore konfirmojnë se Abrashi është gjetur pak orë më pas  pranë liqenit të Pogradecit, rreth 5 kilometra larg vendit ku lumi e mori në rrjedhën e tij. Pas një pune intensive trupi i sajë është nxjerrë nga forcat e FNSH-së dhe polumbare nga Tirana.

Familjarë të viktimës në rrëfimet e tyre në polici kanë bërë të ditur se 38-vjeçarja kishte dalë nga shtëpia për të vendosur disa gurë në pjesën e hyrjes së shtëpisë, nga ku pritej vërshimi i ujit për të mbrojtur nga përmbytja banesën e saj. Por koha nuk ka qenë në favor të Abrashit, duke bërë që rrjedha e lumit të ishte e shpejtë, aq sa të ishte dhe fatal për jetën e 38-vjeçares.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here