Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e By-Pass-it të Fierit

0

Në MPPT, u nënshkrua dje kontrata për ndërtimin e BY-Pass-it të Fierit, një projekt autostradal i rëndësishëm që do të lidhë segmentet Lushnje-Fier dhe Levan-Vlorë.

By-pass-i i Fierit është një autostradë 22 km e gjatë dhe 22 metra e gjerë, me katër korsi, që kalon në Mbrostar, në ultësirën mes Fierit dhe bregdetit, pranë Apollonisë dhe lidhet në nyjen e Levanit me segmentin Levan – Vlorë.

By-pass-i ka tre ura nga 80 metra gjatësi secila, Ura e Semanit, e Kanalit të Hoxharës dhe e Pojanit, si dhe katër kryeqëzime në disnivel. Ka 21 nënkalime mjetesh, dy zona shërbimi dhe një zyrë informacioni turistik, duke qenë se kjo autostradë kalon nëpër një zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik, qoftë për shkak të qytetit antik të Apollonisë, qoftë për shkak të vijës së virgjër bregdetare.

Punimet për këtë autostradë do të kryhen nga kompania italiane “Serenissima”, një kompani me eksperiencë të gjatë në ndërtimin dhe administrimin e autostradave. “Serenissima” fitoi garën e zhvilluar për këtë autostradë, me një vlerë prej 39.87 milionë Euro, nga 60 milionë që ishte fondi limit, duke kursyer në këtë mënyrë rreth 20 milionë euro, ose më shumë se 33 përqind të fondit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here