Në bisedë me mësuesen e nderuar znj.Liljana Luani: ”Një shkollë për fëmijët e ngujuar, kjo është ëndrra ime më e madhe. Kam shpresë.”

Hapat nuk ndalen, rruga për të realizuar ëndrrën shfaqet e vështirë. Në përballje të ashpër me kohën, mentalitetin, kanunin dhe sytë  fëminorë që kërkojnë dritë shprese, përtej frëngjive burgosëse. Mësuesja burrneshë është përshtatur  me vështirësitë dhe nuk mund të heqë dorë përpara një realiteti që të vret  ngadalë.   Znj.Liljana Luani është mësuese që prej

Hapat nuk ndalen, rruga për të realizuar ëndrrën shfaqet e vështirë. Në përballje të ashpër me kohën, mentalitetin, kanunin dhe sytë  fëminorë që kërkojnë dritë shprese, përtej frëngjive burgosëse. Mësuesja burrneshë është përshtatur  me vështirësitë dhe nuk mund të heqë dorë përpara një realiteti që të vret  ngadalë.

 

Znj.Liljana Luani është mësuese që prej 35 vitesh, aktualisht ajo jep mësim në klasën e pestë të shkollës 9-vjeҫare  “Pashko Vasa”, në Shkodër. Ditën e martë më datë  04 mars 2014  u vlerësua me ҫmimin “Trëndafili i artë” në programin e përvjetshëm për ditën ndërkombëtare të gruas, “Simfonia e jetës”. Zv.ministrja e arsimit Nora Malaj,  i dorëzoi ҫmimin duke vlerësuar me të drejtë kontributin e paëmuar të zonjës Luani në edukimin e fëmijëve të ngujuar. Gjatë asaj mbrëmje e takuam mësuesen e nderuar dhe i kërkuam të na tregojë për vështirësitë që mbart misioni i saj. E gatëshme dhe miqësore si pakkush.

1-Znj.Luani, si nisi kjo nismë e juaja?

Unë kam lindur në Dukagjin dhe jam rritur me realitetin shqetësues që shkakton kanuni në marrëdhëniet njerëzore. Kam 35 vite që jap mësim dhe aktivizohem në projekte të ndryshme bamirësie. Në vitin 2006 kam punuar me Kryqin e Kuq Shqiptar në ndihmë të fëmijëve në nevojë, kjo shërbeu që të pikas rastet e fëmijëve që nuk vinin në shkollë për shkak të gjakmarrjes. Fillova të shqetësohem dhe pyeta në polici e nëpër familje dhe  më treguan një numër  të  konsiderueshëm. Fakti që jam vajzë nga Dukagjini, zëri i nënës dhe mësueses janë forca më e madhe që më shtynë t’i zgjeroj kërkimet dhe  t’i ndihmoj ata fëmijë.

2-Cilat janë disa nga  vështirësitë që keni hasur?

Një femër nuk mund të shkojë në familjet që janë në gjak nëse nuk është në besë. Për këtë m’u desh që të marr me vete djalin tim, sepse duhej një besë burri. Ka qenë e vështirë, kisha frikë për djalin më tepër sesa për veten. Kështu fillova t’i vizitoj ato familje dhe mësoja për të tjera raste që nuk i njihja më parë. Fatmirësisht komuniteti më ka mbështetur, u bëra e fortë dhe e duruar për t’i bërë ballë atij realiteti të egër. Tani nuk është e nevojshme të marr djalin me vete, ata më njohin dhe më mirëpresin në shtëpitë e tyre. Fëmijët i marr në besën time. Jam e sigurt deri në momentin që nuk bëj faj.

3-Ҫdo të thotë të bësh faj?

Faj quhet nëse nxit ngatërresa mes familjeve apo të mashtrosh, por nuk është ky qëllimi im, unë dua që kjo sëmundje që merr shkas nga arsye të kota si psh:radha e bluajtjes në mulli apo vijës së ujit, të izolohet e të marrë fund. Mundohem që t’i zbus gjakrat. Fëmijët nuk kanë faj, ata duan vetëm fëmijërinë që nuk e kanë jetuar  ndonjëherë.

4-Sa fëmijë mësoni dhe sa e vështirë është që t’i vizitoni?

Afërsisht kam 35 nxënës. Mundohem të shkoj 2-3 herë në javë pasi mbaroj punën. Gjatë fundjavave shkoj në zonat më të largëta. Udhëtoj me varkë, me fugonat e linjës por edhe në këmbë. Vështirësia është e  madhe sepse nuk arrij që të punoj si duhet me ta, prandaj dëshira ime më e madhe është që të hapet një shkollë që të vazhdojnë mësimin rregullisht.

5-Si janë fëmijët psikologjikisht, janë përshtatur me situatën ku ndodhen?

Ata janë të etur për dije, duan të jetojnë fëmijërinë dhe adoleshencën e tyre. Frikësohen, nervozohen, heshtin, kanë nevojë për shokë dhe shoqe. Fëmijët që heshtin më trembin më shumë. Ata kanë nevojë për një edukim psiko-social. Jetojnë në varfëri të skajshme, sëmuren, kanë nevojë për ndihmë. Marsela e vogël jeton në një vend me lopën. Në shumë raste ka ndodhur që djemtë të vrasin që në moshë të vogël, 15 vjeҫ. Ata rriten me idenë e vrasjes. Prandaj është shumë e nevojshme që ky brez i ri të edukohet dhe të mësojë ҫfarë quhet konflikt e të njohë ligjin. Vetëm edukimi i këtij brezi do ta ҫrrënjosë këtë sëmundje, kjo është mënyra më e mirë që të shkëputen nga gjakmarrja. Vështirësia është e madhe por me punë mund të arrihet gjithҫka. Na duhet mbështetje.

6-Si keni arritur të siguroni librat dhe mjetet e tjera te nevojshme për t’i mësuar?

Kam gjetur mbështetje nga organizata të ndryshme, ka pasur  projekte, edhe pse minimale, si psh: radio televizioni i Kosovës na ndihmoi me veshje dhe libra, ministrja e arsimit Lindita Nikolla na ka mbështetur shumë, top channel etj. Media ka luajtur një rol shumë të madh duke informuar dhe kështu kemi arritur të punojmë. Më kanë ndihmuar edhe mësuesit e shkollës ku punoj, bashkë me nxënësit. Na duhet shumë më tepër punë dhe sidomos investime sepse ka shumë nevoja që duhen përmbushur.

7-Ҫfarë  planesh  keni në vijim?

Kam udhëtuar në Shllak, Masrek, Malësi e Madhe, Dukagjin etj. Këtë javë do të shkoj në Pukë dhe pas 2 javësh në Tropojë. Do të bëj sa mundem.

8-Jeni lodhur ndonjëherë, keni dashur të hiqni dorë?

Unë do të pushoj kur të realizoj ëndrrën time më të madhe, ndërtimi i shkollës. Kjo është urgjente. Është shumë e nevojshme që të bëhen studime për të ditur numrin e saktë të fëmijëve që nuk ndjekin shkollën për shkak të gjakmarrjes sepse nuk ka shifra të sakta. Organizatat qeveritare i zvogëlojnë shifrat, ato joqeveritare i zmadhojnë në bazë të interesave që kanë. Gëzohem shumë kur nxënësit e mi arrijnë rezultate edhe në ato kushte, nëse do të ndiqnin mësimin rregullisht do të mësonin edhe më shumë sepse unë nuk mundem t’i mësoj ҫdo gjë në aq pak kohë.

Duke shpresuar që ëndrra e zonjës Luani të përmbushet ne e falenderuam dhe u larguam me një ndjesi mirëdashësie. Shoqëria ka nevojë për shembuj të tillë që na mësojnë thjeshtësinë, dashurinë për punën, njeriun dhe jetën.

 

Intervistoi:Borana BELEGU

 

 

 

 

 

 

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar