Shuhet Sokol Olldashi

0

Politikanë i njohur Sokol Olldashi ndërroi jetë mbrëmë si pasojë e një aksidenti automobilistik. Automjeti më të cilin udhëtonte deputeti 41-vjeçar doli nga rruga rreth orës 21:15 në aksin Elbasan-Tiranë, pranë zonës së njohur si Lapidari i Kërrabës.

Mjeti tip “Benz” me targë AA 003 NH doli nga rruga duke përfunduar disa metra në një humnerë. Olldashi mendohet të ketë humbur kontrollin e mjetit si pasojë e kushteve atmosferike dhe shpejtësisë së lartë.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë parë se një makinë ka dalë nga rruga dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë deputetit Sokol Olldashi.

Policia dhe autoambulancat e zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje, por për shkak të pozicionit të makinës, terrenit të vështirë dhe shiut që binte vazhdimisht, trupi pajetë i deputetit demokrat është nxjerrë vetëm pas rreth dy orësh pasi ndodhi aksidenti.

Burime të policisë bënë të ditur se automjeti ka pësuar disa rrotullime, madje identifikimi i viktimës është bërë nga dokumentat që mbante me vete.

Në vendgjarje mbërritën fillimisht deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Astrit Patozi, më pas ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-kreu i kësaj partie, Sali Berisha, djali i tij, Shkëlzen Berisha, e mjaft deputetë të tjerë të kësaj partie por edhe deputetë të PS-së, si Taulant Balla, Ilir Beqaj, Alfred Peza, por dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Edhe bashkëshortja e Sokol Olldashit, e tronditur nga lajmi i hidhur ka mbërritur në vendin ku ndodhi aksidenti e shoqëruar nga deputetja demokrate, Mesila Doda.

Trupi pajetë i Olldashit  është përcjellë për në institutin e mjekësisë Ligjore, aty ku kishte mbërritur fillimisht nëna e 41- vjeçarit por edhe deputetë të të gjitha forcave politike. Lotët dhe dhimbja pushtuan oborrin e morgut, aty ku familjarët, miqtë dhe kolegët ende nuk e besonin se jeta e tij ishte shuar.

Rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm ekspertiza mjeko-ligjore ka përfunduar dhe trupi pajetë i 40 vjeçarit është përcjellë për tek banesa e tij

Në rrugën e Elbasanit, përballë ambasadës amerikanë, dyert e mortit u hapën menjëherë pas lajmit të hidhur. Familja e Sokol Olldashit ka pritur e përcjellë menjëherë pas ngjarjes të afërmit, miqtë dhe kolegët e deputetit demokrat.

Në orën 11:00 në sallën e Kuvendit do të zhvillohen homazhe në nder te deputetit që u nda tragjikisht nga jeta, ndërsa në orën 14:00 do t’i jepet lamtumira e fundit deputetit demokrat Sokol Olldashi.

/E. Lila/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here