Muhaxhirët e Shijakut

Muhaxhirët e Shijakut

Nga: Sonila QAZIMI Që në fillim, boshnjakët e kanë lidhur ngushtë jetën e tyre me tokën shqiptare, me jetën dhe me bëmat e banorëve shijakas. Në veçanti, ata kanë pëlqyer zakonet e kulturën e tyre dha kanë ndarë me ta të njëjtin besim fetar dhe të njëjtën mënyrë jetese. Që ditët e para, ata ndërtuan

Nga: Sonila QAZIMI

Që në fillim, boshnjakët e kanë lidhur ngushtë jetën e tyre me tokën shqiptare, me jetën dhe me bëmat e banorëve shijakas. Në veçanti, ata kanë pëlqyer zakonet e kulturën e tyre dha kanë ndarë me ta të njëjtin besim fetar dhe të njëjtën mënyrë jetese. Që ditët e para, ata ndërtuan me vendasit marrëdhënie shumë dashamirëse. Mirëkuptimi dhe harmonia midis boshnjakëve dhe shqiptarëve tregon shpirtin e pastër, por mbi të gjitha tregon për kulturën që karakterizon njerëzit tanë.

 

Arsyeja e vërtetë e largimit të tyre nga Bosnje-Hercegovina është pushtimi austro-hungarez, ose siç mund të njihet në histori, genocidi i gjashtë, pasojat e të cilit ishin mjaft të rënda. Pushtimi i Bosnjës më 1878 nga forcat austro-hungareze solli ndryshime mjaft të mëdha në jetën e këtij populli. Moslejimi i lirisë fetare dhe i atdhedashurisë i bëri ata të merrnin vendimin për t’u larguar nga vendi i tyre. Kjo ngjarje nuk mund të harrohet lehtë, veçanërisht nga boshnjakët. Ardhja e austro-hungarezëve në Bosnje për ta do të thoshte kalim në një jetë tjetër, qytetërim krejtësisht i ndryshëm, një mënyrë jetese e kulturë krejt e ndryshme. Kjo nuk ishte aspak e lehtë dhe nuk mund të kalohej pa dhimbje.

Një pjesë e bosnjakëve të ardhur në fund të shekullit të XIX-të janë cilësuar si muhaxhirë, si refugjatë. Një pjesë e tyre jetojnë fare pranë Tiranës, në  Shijak. Në fshatrat Borakë dhe Koxhas janë vendosur fise dhe familje me origjinë boshnjake. Ardhja e tyre në këto treva daton që prej vitit 1878, një kohë relativisht e gjatë për t’i cilësuar ata si të  “huaj”.  Por cila është realisht historia e tyre, ardhja në Shqipëri e deri te vendosja e tyre në Shijak?

Ndërsa sa i përket teorive, besohet se boshnjakët qenë nisur drejt Turqisë, por gjatë qëndrimit në portin e Durrësit kishin takuar një oficer turk ku gjatë një bisede të shkurtër u tha: “Turqinë mund ta gjeni edhe këtu, prandaj nuk është e nevojshme të shkoni atje”. Për ardhjen e boshnjakëve në Shqipëri ka tri teori të ndryshme.

  1. Iu prish anija dhe zbritën në Durrës për ta rregulluar.
  2. Kanë ndaluar për të pushuar.
  3. Kanë ndaluar për tu furnizuar me ushqime.

Për ta Shijaku është një vend pothuajse i ngjashëm me Hercegovinën, madje edhe lumi që kalon përmes këtij qyteti, Erzeni, ishte i ngjashëm me lumin Nerdva në Hercegovinë. Ata vlerësuan vendndodhjen, klimën, tokën, pjellorinë e tokës dhe në veçanti, miqtë e fshqinjët, të cilët nuk i pritën si të huaj, por si vëllezër. Boshnjakët u vendosën në fshatin Borakë dhe Koxhas në vitin 1880. Fshati Borakë u populluara vetëm me boshnjakë, ndërsa Koxhasi ishte i përzierë sa i përket popullsisë.  Pjesa më e madhe e boshnjakëve vinte nga Hercegovina, vend që ndodhet midis qyteteve Mostar, Çaplin dhe Stollac. Familjet e para të vendosura në Borakë e Koxhas qenë: Kllariçët, Sabliçët, Guzinët, Obadet, Osmanoviçët, Shehjviçët, Zyriçët etj. Fillimisht, shtëpitë u ndërtuan me dërrasa, pasi ata mendonin se qëndrimi i tyre këtu do të ishte i përkohshëm. Ata u vendosën në kurrizet e dy-tri kodrave, ku qenë rreth 15-20 familje, të cilat u lidhën shumë me njëra-tjetrën.

copez

Në Borakë e Koxhas janë  ruajtur zakonet dhe virtytet më të bukura të Bosnje–Hercegovinës: dashuria për njerëzit, puna, respekti, solidariteti, ndihma vëllazërore, mikpritja, morali i lartë, humori e deri tek lojërat sportive dhe argëtuese. Emërtimi “Borakë” mendohet se është i njëjtë me emrin e një liqeni në Hercegovinë. Pas viteve ’90 të shekullit të kaluar kur pati një dyndje të popullsisë nga rrethet verilindore, në fshatin e vogël me popullsi boshnjake nuk u pranua asnjë i huaj.  Sot kjo situatë ka ndryshuar dukshëm.

Ka kaluar më shumë se një shekull që nga ardhja e boshnjakëve në Shqipëri, por nëse takohesh me ta kupton që janë të pakta gjërat që kanë ndryshuar tek ata. Duke nisur që nga tradita, ritet fetare, gatimet, kultura e deri te më e rëndësishmja, gjuha boshnjake, nuk janë harruar. Ata i kanë ruajtur me fanatizëm shumë të fortë duke i bërë pjesë të jetës së tyre të përditshme. Fëmijët edukohen sipas riteve dhe traditave nga ata realisht vijnë.

Boshnjakët janë njerëz shumë mikpritës dhe të presin në mënyrën e tyre më të mirë. Ata janë  njerëz punëtorë, të urtë, dorëdhënë, për këtë ata kanë një shprehje “ Vodu mari, Vodu hladi” (Ngroh ujë, ftoh ujë), janë edhe pak dorëlëshuar. Ata kanë zemër të pastër dhe shpirt human. Me thjeshtësinë dhe humanizmin që i karakterizon, ata ia hapin derën kujtdo që i troket.  Nëse të bie rruga të kalosh ndonjëherë në këtë zone, nuk mund të largohesh pa provuar një nga gatimet e tyre tradicionale, byrekun me patate “kurala”, ose siç u thonë ata “pita”, i cili përgatitet me shumë kujdes dhe mjeshtëri nga zonjat e shtëpisë.

shijaku 1

Gjuha boshnjake mësohet dhe ruhet me fanatizëm nga këta banorë e transmetohet nga brezi në brez. Edhe pse në kushte shumë të vështira për ta mësuar gjuhën, ata nuk ngurojnë ta mësojnë atë. Ata krenohen me gjuhën e tyre. Me atë gjuhë nënat u kanë kënduar të vegjëlve këngët e bukura të fëmijërisë, u kanë lexuar përrallat, u kanë mësuar fjalët e para “majka” dhe “tata” (mami e babi). Me këtë gjuhë ata i kanë folur për atdheun dhe njerëzit e tyre. Kohët e fundit, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës së Republikës së Shqipërisë iu ka miratuar mundësinë e hapjes së klasave ku mësohet gjuha boshnjake. Edhe pse po shkon drejtë humbjes, boshnjakët po mundohen ta ruajnë gjuhën e tyre në çdo mënyrë të mundshme.

Ata e duan shumë muzikën. Kënga është pjesë e pandarë e boshnjakëve. Në një proverb të tyre thuhet: “Kush bukur këndon, keq nuk mendon”. Kënga i ka shoqëruar dhe i shoqëron në çdo hap që ata hedhin.

Martesat

Martesa është një tjetër veçanti e boshnjakëve. Gjatë viteve 1936-1937 martesat lidheshin vetëm me vajza ose me djem të gjakut të tyre. Qe viti 1938, kur Mahmut Baçi, atëherë 18-vjeç  vendosi të martohej me një vajzë shqiptare. “Te muhaxirët edhe merr vajzë, por më shumë jep, sepse ata i mbajnë mirë gratë”. Kjo është një veti që i karakterizon dhe është një veti dhe një virtyt mjaft i bukur. Vite më vonë, kjo tabu u thye dhe u  kthye në traditë.  Ata e thonë këtë pasi vajzat boshnjake cilësohen si të përkëdhelura dhe e kanë tepër të vështirë ambientimin në një shtëpi tjetër që nuk është e tyre.

Dasmat kanë karakteristikat e tyre. Ato  nisin me këngët e Shqipërisë së Mesme dhe përfundojnë me vallen katërshe boshnjake. Nuset shqiptare janë të detyruara të mësojnë gjuhën boshnjake sepse është vetmja mundësi komunikimi me fqinjët dhe familjarët.

Feja

Kur erdhën në fillim ishin qind për qind myslimanë. Edhe në kohën e komunizmit e kanë ruajtur fenë me fanatizëm. Me kalimin e viteve ajo filloi të zbehej. Vitet e fundit në fshatin Borakë është ndërtuar edhe një xhami. Të premteve kur falet xhumaja, predikimi dhe lutjet bëhen në të dyja gjuhët, në atë boshnjake dhe shqipe.

shijaku 3

Pas themelimit të shoqatës “Zambaku” më 28 tetor 1995, një grup prej tyre bënë një plan për t’u rikthyer sërish në atdheun e tyre, por plani dështoi. Rikthimi ishte pothuajse i pamundur sepse në vendin e tyre, në Bosnje, ata nuk kishin më asgjë. Shoqata çdo vit përkujton 1 marsin, Ditën e Republikës së Bosnje- Hercegovinës dhe 21 nëntorin, Ditën e Çlirimit.

Ëndrra për të shkelur e për ta parë edhe njëherë Bosnjën mbetet ende e gjallë në zemrat e tyre.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar