Luiza Gega, emri që përfaqëson atletikën shqiptare

Një tjetër sukses për Shqipërinë u shënua në Kampionatin Ballkanik të Atletikës  nga sportistja Luiza Gega. Ajo u kurorëzua si kampione në garën e 1500 metrave. Ky aktivitet u zhvillua në salla të mbyllura më 22 shkurt 2014 në Stamboll të Turqisë. Para këtij evenimenti atletja Gega pati një fazë përgatitorë 2-mujore në Kenia. Për

Një tjetër sukses për Shqipërinë u shënua në Kampionatin Ballkanik të Atletikës  nga sportistja Luiza Gega. Ajo u kurorëzua si kampione në garën e 1500 metrave. Ky aktivitet u zhvillua në salla të mbyllura më 22 shkurt 2014 në Stamboll të Turqisë. Para këtij evenimenti atletja Gega pati një fazë përgatitorë 2-mujore në Kenia. Për shkak të rezultateve të larta dhe mjaft të arrira, Federata e Atletikës Shqiptare i ofroi Luizës të drejtën për t’u stërvitur në Kenia, për të pasur një rezultat më të mirë në përfaqësimet ndërkombëtare.

Kjo mundësi duket se i shërbeu shumë atletes pasi ajo arriti një rezultat rekord. Gega fiton me kohën e përgjithshme 4:07.84, pas një supergare me diferencë të thellë nga vendi i dytë, i cili u arrit nga rumunia Ankuta Bobokel me kohën 4:18.13, ndërsa vendi i tretë u arrit nga sllovenia Sonja Roman me kohën 4:18.14.

Atletja e artë ka përsëritur suksesin e vjetshëm, vetëm se me përmirësime të dukshme. Me këtë rezultat Gega është një nga pretendentet për të hyrë në 6-shen e parë në kampionatin  botëror. Luiza shprehet mjaft e kënaqur për këtë rezultat dhe tepër entuziaste për Kampionatin Botëror, duke premtuar gjithashtu se mund të arrijë një rezultat akoma më të mirë. Ajo e ka vlerësuar si eksperience pozitive dhe frytdhënëse edhe eksperiencën në Kenia, vend ky me sportin e atletikës më të zhvilluar në botë. “Ndihem e privilegjuar që kam pasur mundësinë  për tu stërvitur në Kenia dhe e them me plot bindje se ka qenë një eksperiencë e vlefshme. Për një sportist shqiptar ky është një shans i madh”, thekson Gega në një intervistë për “Objektiv.al”.

Gjithashtu trajneri aktual i saj, Taulant Stermasi, në intervistën ekskluzive për portalin “Objektiv.al” u shpreh se, Luiza është emri i vetëm në atletikë që përfaqëson Shqipërinë denjësisht në vitet e fundit në arenën ndërkombëtare. “Ajo vazhdon me një progres të jashtëzakonshëm nga viti ne vit, e nga sezoni në sezon. Jam i kënaqur pasi në çdo sezon ajo ka përmirësuar të gjitha kohët e veta dhe që  sigurisht janë  dhe rekorde kombëtare tanimë. Unë si trajner nuk di çfarë të them sepse Luiza nuk është surprizë për mua pasi unë i kam projektuar rezultatet e saj që në ditët kur ajo ka ardhur të stërvitet me mua para 7 vitesh. Pra, progresi i saj nuk më çudit. Kjo është  e pritshme pasi ajo stërvitet shumë dhe  ka një talent të jashtëzakonshëm dhe sigurisht që as rezultati nuk do t’i mungonte”, thekson trajneri Stermasi.

Ai shton se stërvitja në Kenia ishte diçka e re si për Luizën ashtu  edhe për atë vetë, si nga ana e stërvitjes ashtu dhe mënyrës së përshtatjes me ambientin atje. “Nuk mund të them se Kenia ishte çelësi i suksesit, pasi këto parametra të larta Luiza i ka pasur dhe në Tiranë para se të niseshim për në Kenia. Gjithsesi mendoj se grumbullimet për sportistët e elitës janë të domosdoshme dhe se Kenia ishte një nga faktorët për përgatitjen e mirë të Luizës. Sigurisht që jam dhe  i pakënaqur me Kenian për kushtet e akomodimit, pasi nuk plotësonin të paktën dietën ushqimore që një sportist duhet të ketë gjatë periudhave të stërvitjeve intensive. Siç thashë më lart, stërvitja në Afrikë është një eksperiencë për sportistin e nëse disa detaje rregullohen për akomodimin atje besoj se do të bëjmë një grumbullim tjetër për përgatitjet në sezonin atletik për verën e këtij viti”, thekson trajneri Stermasi.

Atletja e suksesshme pothuajse në çdo garë që ka zhvilluar gjatë këtyre 4 viteve të fundit ka marrë vetëm medalje ari. Rezultatet tregojnë se Luiza po përmirëson veten më hapa të mëdhenj pasi theu rekordin e saj me 2 sekonda e 6 të qindtat. Kjo garë që u zhvillua së fundmi ishte  testuese për në botërorin e atletikës i cili do të zhvillohet në Sopot të Polonisë në datat 7-9 mars 2014.  Nëse Luiza arrin në finale, atëherë do të jetë hera e parë që një sportiste të përfaqësojë  Shqipërinë në finale të një botërori të atletikës.

/Jonida Halili/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar