Rama shtron darkë në Durrës, mungojnë Blushi dhe Braçe

0

Kryeministri Edi Rama organizoi mbrëmë një darkë me anëtarët e kryesisë socialiste në qytetin e Durrësit me rastin e fitores së zgjedhjeve dhe nisjes nga puna të qeverisë së re pas tetë viteve në opozitë. Dy nga anëtarët e Kryesisë Socialiste munguan në këtë darkë.

Ben Blushi ishte mbrëmë në restorant “Artisti” me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Deputeti socialist ishte i vetmi nga Grupi Parlamentar që në debatin për programin e qeverisë së majtë ishte kritik dhe me kërkesa ndaj qeverisë së partisë së tij. Madje, Blushi nuk kurseu kritikat e tij dhe në lidhje me lënien në mënyrë vullnetare të mandatit të deputetit nga ministrat e rinj, si një kërkesë e papërcaktuar në ligj apo Kushtetutë.

Duket se darka është zhvilluar enkas për të falënderuar kryesinë e Partisë Socialiste, kryesisht senatorët e saj, të cilët mbetën jashtë kabinetit qeveritar.

Disa anëtarët e Kryesisë socialiste që kanë mbetur jashtë qeverisë janë Pandeli Majko, Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Arta Dade, Valentina Leskaj, Bashkim Fino, Arben Isaraj, Besnik Bare, Blendi Klosi, ndërsa shumica e sekretarëve janë përfshirë në të. Për shkak të mbledhjes së qeverisë së zhvilluar dje pasdite dhe ceremonisë së hapjes së Dhomës Kineze të Tregtisë në Tiranë, darka nisi rreth një orë me vonesë.

Mësohet se darka është mbyllur pas mesnate, ndërsa Rama pritet të niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në një takim të fondacionit “Bill Klinton”, i ftuar nga ish-kryeministri britanik Toni Bler e më pas do të marrë pjesë në seancën plenare të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

 /Ardiol Hoxha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here